Sport

Bashkimi me Kosovën nuk është më një ëndërr, ideohet një Kupë e përbashkët

Pranimi i Kosovës në UEFA dhe në FIFA i ka hapur shumë mundësi bashkëpunimi Federatës së Futbollit të Kosovës dhe natyrisht që bashkëpunimin më të ngushtë, e ka me Federatën Shqiptare.

Pavarësisht konfliktit që krijohet shpesh për marrjen e talenteve, dy federatat kanë treguar mbështetjen e tyre karshi njëra-tjetrës ashtu si edhe tifozeritë për ekipet Përfaqësuese.

Ëndrra e tifozëve ka qenë që të ketë një Ligë të Përbashkët dhe kjo duket se nuk do të jetë më veç një ëndërr. Në fakt, nuk bëhet fjalë për një ligë të mirëfilltë por për një Kupë, e cila do të njihet edhe nga UEFA. Trofeu “Nënë Tereza” është trofeu më i ri që po diskutohet në zyrat e dy federatave dhe diçka të tillë e ka konfirmuar Agim Ademi.

Në një intervistë të dhënë për “Gazeta Zëri” në Kosovë, Ademi u shpreh së bashku me FSHF-në kanë menduar këtë trofe dhe projekti do të paraqitet në UEFA për të marrë miratimin nga organi më i lartë i futbollit në Europë. Dy federatat shpresojnë që të arrihet në marrëveshje që skuadra fituese e këtij trofeu, të marrë pjesë në Kupat e Europës të organizuara nga UEFA.

“Kjo kupë do të jetë masive dhe do të zhvillohet gjatë tërë vitit. Mund të luhen ndeshjet në mesjavë të mërkurën ose të enjten kur nuk ka ndeshje të kampionatit.

Projekti do të jetë i përbashkët edhe me qeveritë tona. Do të krijohet një fond i posaçëm nga të dyja qeveritë dhe nga federatat.

Krahas shpërblimit që do ta marrë fituesi nga federatat, do ta ketë edhe një shpërblim shtesë nga qeveritë. Kjo kupë do të njihet si kupa ‘Nëna Terezë’”, u shpreh Ademi./tpz

OPINIONE

INTERVISTA