Bashkitë “borxhlie” ndaj fëmijëve nga 1 deri në 3 vjeç

Shumë bashki kanë mungesë likuiditeti të detyrimit për fëmijët e sapolindur, familjarët e të cilëve ende nuk kanë marrë shpërblimin prej 5 mijë lekësh të reja. Situata paraqitet e tillë në të gjitha bashkitë e qarkut të Dibrës ku në total prej qershorit 2016 e deri në dhjetor 2018 kanë lindur 3905 fëmijë, të cilët presin ende të marrin shpërblimin e lindjes.

Me 1 Janar të këtij viti, qeveria miratoi një VKM për shpërblimet e lindjeve të fëmijëve, të cilat janë të ndara në masa të ndryshme. Për fëmijën e parë shpërblimi nga 1 Janari është 40 mijë lekë të rinj, për të dytin 80 mijë lekë të rinj ndërsa për të tretin 120 mijë lekë të rinj. Por veç këtij shpërblimi, për lindjet e reja janë në fuqi edhe dy shpërblime të reja, konkretisht ai në masën 5 mijë lekë nga organi i pushtetit vendor ku lind fëmija dhe ai nga Sigurimet Shoqërore në masën 12 mijë lekë, kur një nga prindërit është i siguruar.

Por ndonëse nisma e qeverisë është “motivuese” për rritjen e numrit të lindjeve, problemi qëndron se fëmijët e lindur në harkun kohor Qershor 2016 – Dhjetor 2018 në qarkun e Dibrës, nuk kanë marrë akoma shpërblimin prej 5 mijë lekë të rinj, që duhet dhënë nga qeverisja vendore.

Para Janarit të këtij viti jepej nga Bashkitë të cilat merrnin fondin nga Ministria e Brendshme, nga e cila varet edhe gjendja civile. Por ky fond nuk është dhënë që nga gjysma e dytë e 2016, duke vënë bashkitë përballë qytetarëve. Këta të fundit i kërkojnë në bashki e bashkitë justifikohen se nuk kanë fonde.

Nga të dhënat zyrtare të marra në të katër Bashkitë e Qarkut Dibër, rezulton se që nga Qershori i vitit 2016 e deri në fund të vitit 2018, janë 3905 fëmijë që ende nuk kanë marrë 5 mijë lekë, si shpërblim që jepet nga Ministria e Brendshme nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Numrin më të madh të këtyre fëmijëve që ende nuk kanë marrë këtë shpërblim e ka Bashkia Dibër. Në këtë bashki rezultojnë plot 1845 fëmijë që presin të marrin shpërblimin, ndonëse një pjesë e mirë e tyre shkojnë në kopsht.

Kryetari i Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj tha për Portën Vendore se kjo situatë ka qenë vazhdimisht problematike dhe se bashkia nuk mund të bëjë asgjë nëse nuk jepet fondi nga ministria e linjës.

“Janë 9.2 milionë lekë të rinj në total që duhet t’ua ndajmë fëmijëve të lindur nga Qershori i vitit 2016 e deri në fund të vitit 2018. Unë kam urdhëruar Zyrën e Financës që t’i kërkojë zyrtarisht fondin Ministrisë së Brendshme. Po ashtu, ne gjatë këtyre viteve e kemi deklaruar edhe si debi. Janë me dhjetëra familjarë që përplasen çdo ditë në dyert tona për të tërhequr shpërblimin por ne nuk kemi fond”, sqaroi Imeraj.

Të njëjtin argument jep edhe Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla. Edhe në këtë bashki janë 895 fëmijë që presin të marrin shpërblimin e lindjes me një fond prej 4.4 milionë lekë.

“Ligjërisht fondi delegohet nga Ministria e Brendshme, pasi ne i deklarojmë rregullisht të gjitha lindjet gjatë gjithë vitit. Situata ka vijuar që nga viti 2016 dhe është trashëguar çdo vit. Ne jemi në pritje të përgjigjes së Ministrisë së Brendshme e cila do të na japë sqarimin se përse nuk lëvrohet ky fond. Realisht ky është shqetësim i madh edhe për neve, pasi çdo ditë na takojnë qytetarë që presin të marrin shpërblimin”, tregon për Portën Vendore z. Alla.

Situatë e ngjashme është edhe në Bashkitë Klos e Mat. Edhe në këto dy bashki janë përkatësisht 638 e 527 fëmijë që presin shpërblimin prej 5 mijë lekë, por edhe këtu nuk janë lëvruar fonde që nga qershori i vitit 2016 e deri në fund të vitit 2018./ Porta Vendore

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne