BE do të propozojë sanksione ndaj Izraelit

Bashkimi Evropian po harton një listë të mundshme sanksionesh ndaj Izraelit për shkak të shqetësimeve për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë luftimeve në Gaza, raportoi të shtunën Euractiv, duke cituar burime diplomatike. Shërbimi diplomatik i BE-së pritet t’u paraqesë ambasadorëve të BE-së të mërkurën një listë opsionesh, që përfshin: pezullimin e pjesshëm ose të plotë të Marrëveshjes së Asociimit me Izraelin, sanksione ndaj ministrave izraelitë, zyrtarëve ushtarakë dhe kolonëve ekstremistë, kufizime tregtare, embargo armësh dhe pezullim të bashkëpunimit shkencor.

Sipas Euractiv, kjo është hera e parë që këto masa do të paraqiten zyrtarisht me shkrim. Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet t’i shqyrtojnë propozimet më 15 korrik.

Megjithatë, çdo vendim për vendosjen e sanksioneve kërkon miratimin unanim të 27 shteteve anëtare – diçka që shihet si e pamundur. Hungaria, për shembull, ka qenë një përkrahëse e vazhdueshme e Izraelit, duke bllokuar sanksionet ndaj kolonëve izraelitë vitin e kaluar.

Dokumenti vjen pas një rishikimi të brendshëm të Marrëveshjes së Asociimit muajin e kaluar, që gjeti “shenja të shkeljeve” të angazhimeve të Izraelit për të drejtat e njeriut. Izraeli i hodhi poshtë gjetjet, duke i cilësuar si të pabaza dhe duke argumentuar se është “në një betejë ekzistenciale kundër armiqve të përbashkët të Perëndimit”.

Në fund të qershorit, Këshilli Evropian bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe shprehu shqetësim për “numrin e papranueshëm të viktimave civile dhe nivelin e urisë”. Këshilli gjithashtu i kërkoi Izraelit të heqë plotësisht bllokadën ndaj Gazës për të lejuar ndihmat humanitare, megjithëse raportime të shumta treguan se situata në terren ndryshoi pak.

Aktualisht, nuk ka sanksione të përgjithshme të BE-së ndaj Izraelit, megjithatë disa individë dhe grupe izraelite, kryesisht kolonë ekstremistë, janë sanksionuar në të kaluarën për dhunë ndaj palestinezëve.

Pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në vitin 2023, Izraeli nisi një ofensivë ushtarake në Gaza që solli shkatërrim të madh. Sipas shifrave zyrtare, rreth 60,000 palestinezë dhe 1,200 izraelitë kanë humbur jetën në konflik./gazetaimpakt/rt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne