BE-ja do të mbrojë kompanitë evropiane që bëjnë biznes me Iranin

Në një deklaratë të përbashkët lëshuar nga Bashkimi Evropian (BE), Franca, Britania dhe Gjermania, theksohet se janë të vendosur të mbrojnë kompanitë evropiane që zhvillojnë tregti të ligjshme me Iranin në mbështetje të legjislacionit të BE-së dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

BE-ja dhe ministrat e jashtëm të tre vendeve kanë publikuar një deklaratë të përbashkët në lidhje me tërheqjen e ShBA-ve nga marrëveshja bërthamore e quajtur Plani i Përbashkët i Gjithanshëm i Veprimit (PPGjV), e nënshkruar më 14 korrik 2015 në Vjenë të Austrisë mes Iranit dhe vendet P5+1 (ShBA, Kinë, Rusi, Britani, Francë dhe Gjermani) dhe që hyri në fuqi më 16 korrik 2016, si dhe në lidhje me aktivizimin e fazës së parë të sanksioneve (amerikane) ndaj këtij vendi.

“Jemi të vendosur të mbrojmë kompanitë evropiane që bëjnë tregti të ligjshme me Iranin në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në këtë deklaratë dhe shprehet shqetësimi i thellë nga vendimi i ShBA-së për t’u tërhequr nga marrëveshja dhe fillimi i ekzekutimit të sanksioneve.

Në deklaratë theksohet se që nga dita e nesërme do të hyjë në fuqi “Legjislacioni i BE-së për Parandalim”, i cili është përditësuar me qëllim për të mbrojtur kompanitë evropiane që mund të ndikohen nga këto sanksione.

Ndër të tjera thuhet se Irani i ka plotësuar kushtet e PPGjV-së, ashtu sikurse është theksuar edhe në 11 raportet e përgatitura nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (UAEA).

“Shpresojmë që Irani të vazhdojë të përmbushë plotësisht të gjitha përgjegjësitë në kuadër të PPGjV-së”, thuhet në vazhdim të deklaratës së përbashkët, ku bëhet e ditur gjithashtu se kjo marrëveshje është një garanci e sigurisë që luan një rol kyç për paqen e Evropës, rajonit dhe botës.

“Mbrojtja e marrëveshjes bërthamore të bërë me Iranin është një çështje që ka të bëjë me respektimin e marrëveshjeve dhe sigurinë ndërkombëtare”, theksohet në deklaratë, ku nënvizohet se palët që e kanë nënshkruar marrëveshjen (PPGjV) dhe vendet e treta që e mbështesin këtë marrëveshje do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me Iranin.

Pas marrjes së detyrës Presidenti i ShBA-së, Donald Trump kishte njoftuar tërheqjen e vendit të tij nga marrëveshja bërthamore e arritur me Iranin dhe se do të vendoste sanksione ndaj Iranit.

Pas vendimit të Trump, Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi se paketa e parë e sanksioneve ndaj Iranit do të fillojë të zbatohet më 6 gusht, kurse paketa e dytë më 4 nëntor të këtij viti./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne