BE-ja fillon aplikimin e kundërmasave për produktet amerikane

Bashkimi Evropian filloi të premten aplikimin e tarifave doganore prej 25% për produktet amerikane, përfshi këtu motoçikletat, xhinset dhe uiskin.

Tarifat e BE-së vijnë si kundërmasa ndaj tarifave shtesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për importet e çelikut dhe aluminit.

Duke filluar nga 22 qershori, BE-ja do të zbatojë 25% taksa ndaj qindra produkteve amerikane, siç janë misri, barbunja, orizi, xhinset, këpucët, puroja, cigarja, ventilatorët, motoçikletat, jahtet, varkat, çeliku, lëngu i portokallit, uiski, shkallët dhe të tjera.

Në kuadër të masave, ndaj produkteve amerikane në fjalë do të aplikohen 2,8 miliardë euro tarifa doganore shtesë. BE-ja ka bërë të ditur se në të ardhmen do të ndërmarrë edhe masa balancuese shtesë prej 3,6 miliardë eurosh.

Presidenti amerikan, Donald Trump, më 9 mars bëri të ditur se çeliku dhe alumini i importuar do të jenë subjekt i një tarife doganore prej 25% dhe 10%. SHBA-ja bëri përjashtim të përkohshëm për BE-në deri më datë 1 qershor.

BE-ja i bëri thirrje SHBA-së që të përjashtohet nga detyrimet doganore, por në negociata nuk u arrit konsensus.

Si kundërpërgjigje ndaj tarifave të SHBA-së për importet e çelikut dhe aluminit, BE-ja publikoi një listë prej dhjetë faqesh me qindra produkte amerikane, ndaj të cilave do të zbatohen tarifa doganore shtesë prej 25%. Me listën në fjalë, BE-ja u përpoq të bindë SHBA-në që të heqë dorë nga vendimi i saj./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne