BE-ja fshikullon planin amerikan të paqes për Lindjen e Mesme, kërkon zgjidhje me dy shtete

“Plani amerikan sfidon shumë nga parametrat e rëna dakord ndërkombëtarisht: kufijtë e vitit 1967, siç u pajtua nga të dy palët, me një shtet izraelit dhe një shtet të pavarur e të zbatueshëm palestinez, të cilët jetojnë krah për krah në paqe, siguri dhe njohje të ndërsjellë”, deklaroi Josep Borrell, i cili u takua në Aman me ministrin e Punëve të Jashtme të Jordanisë, Ayman Safadi dhe Mbretin Abdullah, për të diskutuar marrëdhëniet bilaterale dhe zhvillimet rajonale.

Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe Jordania janë shumë të vetëdijshme se konflikti izraelito-palestinez është një nga konfliktet më të gjata, më të dhimbshme dhe komplekse të historisë botërore.

“Përvoja gjatë 50 viteve të fundit ka treguar se pa marrëveshje ndërmjet të gjitha palëve, asnjë plan paqeje nuk ka shansin të ketë sukses. Për të gjetur një rrugëzgjidhje të qëndrueshme në vijim, të dyja palët duhet të kthehen në tryezë”, tha Borrell në një prononcim për televizionin jordanez.

Shefi i diplomacisë evropiane bëri komente gjithashtu në rrjetin social “Twitter”.

“Patëm një bisedë të sinqertë me ministrin Ayman Safadi mbi procesin e paqes në Lindjen e Mesme. BE-ja dhe Jordania ndajnë angazhimin për një zgjidhje me dy shtete dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar. Ne kemi nevojë për zgjidhje që mund të pranohen nga të dy palët në këtë konflikt të gjatë”, vlerësoi Josep Borrell në median sociale.

Më datë 28 janar, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njoftoi pseudoplanin e tij të paqes për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu. Asnjë përfaqësues palestinez nuk ishte prezent atje.

Gjatë prezantimit të këtij plani, Trumpi e përmendi Jerusalemin si kryeqytet “të pandarë” të Izraelit.

E ashtuquajtura “Marrëveshja e Shekullit” anulon në mënyrë të njëanshme rezolutat e mëparshme të Kombeve të Bashkuara për çështjen palestineze dhe sugjeron t’i jepet Izraelit pothuajse gjithçka që ai kërkon./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne