BE-ja premton mbështetje dhe 20 milionë euro për Jordaninë pas protestave popullore

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini njoftoi një ndihmë prej 20 milionë euro për Jordaninë, disa ditë pas kontestimeve masive popullore që tronditën mbretërinë për një javë.

“Bashkimi Evropian (BE) kërkon të mbështesë Jordaninë në çdo formë të mundshme, kryesisht në aspektin ekonomik dhe financiar”, u shpreh Mogherini gjatë një konference shtypi në Aman.

Ajo nënshkroi gjithashtu një marrëveshje për 20 milionë euro në formë ndihme për të mbështetur projekte në favor të shtresave më në nevojë të shoqërisë.

Banka Botërore parashikon një perspektivë aspak optimiste për rritjen ekonomike në 2018 në Jordani, ku 18,5% e popullsisë është e papunë dhe 20% jeton në pragun e varfërisë. Shteti pret qindra mijëra refugjatë sirianë të cilët i largohen vatrave të luftës.

Ky shtet është angazhuar për të përmbushur kërkesat e FMN-së për reforma strukturore në këmbim të një kredie disa qindra milionë euro për të mbështetur ekonominë e saj. (ATSH)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne