BE mbështet “fuqishëm” marrëveshjen bërthamore me Iranin

Bashkimi Evropian (BE) mbështet fuqishëm marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe zbatimin e saj të plotë, tha shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për gazetarët para takimit të sotëm të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika të Sigurisë Mogherini tha se ndër temat kryesore të agjendës do të jenë Libia, Irani dhe rajoni i Saharës.

“Ne mbështesim në mënyrë të fuqishme marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe zbatimin e saj në tërësi”, tha Mogherini.

Ajo njoftoi se në kuadër të takimit do të mblidhet edhe me ministrat e jashtme të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë për të diskutuar çështjen e Iranit.

“Ne do të diskutojmë se si do të zbatohet në tërësi marrëveshja bërthamore me Iranin, që paraqet një nga gurthemelet e sigurisë në rajonin tonë”, u shpreh Mogherini.

Kryediplomatja e BE-së tha se ekzistojnë po ashtu dallime serioze ndërmjet Iranit dhe BE-së, por shtoi se dialogu në këtë proces ka rëndësi kyçe dhe se është e nevojshme që të shmanget rritja e tensioneve në rajon.

Ndryshe, vitin e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump tërhoqi vendin e tij nga marrëveshje bërthamore e vitit 2015 midis Iranit dhe vendeve P5+1 (pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermania).

Menjëherë më pas, Washingtoi rivendosi sanksione ekonomike ndaj Iranit, duke shënjestruar sektorin energjetik dhe bankar të vendit.

Me rastin e njëvjetorit të tërheqjes së SHBA-së më 8 maj, Irani u dha afat 60-ditor palëve të marrëveshjes të marrin masa për të ruajtur interesat e vendit./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne