BE “Me kulaç e kërbaç”… nga shqiptarët dhe haraç

Brukseli shpalli “Strategjinë re për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”. Për këtë integrim është folur e shkuar deri në mërzi dhe, praktikisht, nuk kanë mbetur gjëra të panjohura. E reja e kësaj strategjie mund të quhet theksimi më i qartë se Serbia dhe Mali i Zi do të anëtarësohen në vitin 2025

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Pra, ka një dobësim të vëmendjes ndaj Shqipërisë. Ish-kryetari i Parlamentit Europian, Martin Shulc (i cili sapo ka pësuar një disfatë politike në vendin e vet) pat lëshuar dikur fjalët mikluese: “Shqipëria e Serbia janë në rrugë të mirë drejt anëtarësimit” (A.B. “Dera hapur… hyrja nga oxhaku”, “Shenja”, dhjetor 2012). Strategjia e tanishme e Brukselit e zhvendos më anash Shqipërinë. Kjo do të thotë se, edhe sikur këtë vit, më 2018, të hapen bisedimet midis BE-së dhe Shqipërisë, nuk dihet se kur mund të bëhet realitet pranimi i Shqipërisë në BE, pasi bisedime të tilla mund të zgjaten shumë në kohë, sikurse janë zgjatur të gjitha procedurat e deritanishme. Pranimi i Serbisë dhe i Malit të Zi në vitin 2025 do të krijonte vështirësi edhe më të mëdha për pranimin e Kosovës, sepse çdo shtet anëtar ka të drejtën e vetos negative lidhur me zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian. Nuk duhet të na qetësojë për këtë deklarata më e fundit e ministrit të jashtëm gjerman, Gabrie, se pa njohur Kosovën Serbia nuk mund të hyjë në BE. Deklarata të tilla lëshohen sa për oportunitete të çastit, sepse rrethanat, mendimet e vendimet ndryshojë me lehtësi.

Zhvillimet e tanishme, të ambalazhuara në Bruksel me fjalë shumë të bukura, ma shtojnë skepticizmin që kam shprehur para 5 vitesh në shkrimin “Dera hapur… hyrja nga oxhaku”, si dhe shqetësimet që kam paraqitur në shkrimet “Nacionalistët e vonuar dhe antinacionalistët e prapambetur” (janar 2013); “Europa kërkon Jugosllavinëe tretë” (dhjetor 2013). Pas shpalljes së Strategjisë më të fundit për integrimin e Ballkanit Perëndimor, mund të ritheksoj edhe më fort për lexuesin përshtypjen time se edhe hyrja nga oxhaku në BE po bëhet gjithnjë e më e vështirë, madje e rrezikshme për shqiptarët e pastërvitur, sepse oxhaku është ngushtuar edhe më nga bloza që ka zënë gjatë 5 viteve dhe nga gryka e oxhakut po del tym më i dendur, verbues e trullosës për shqiptarët e Shqipërisë, e sidomos ata të Kosovës. Tani në veshët tanë duhet të tingëllojnë edhe më hipokrite shprehjet “E ardhmja e Shqipërisë dhe e Kosovës është vetëm në Europë”, sepse shqiptarëve më shumë po ua imponojnë një integrim të ndërmjetëm “ballkanoperëndimor” të pakufizuar në kohë. Pra, po ua imponojnë njëfarë pozite e statusi suigeneris si ato të myslimanëve në Bosnjë-Hercegovinë, por nën hijen e një blloku të gjerë shtetesh ortodokse ballkanike Greqi-Serbi-Bullgari-Rumani. Ky bllok ka ekzistuar edhe më herët dhe ka vepruar konkretisht kundër shqiptarëve në kohën e luftërave ballkanike, 1912-1913, dhe të Antantës Ballkanike, midis dy luftërave botërore. Ky bllok tashmë është krijuar formalisht (zyrtarisht) dhe qëndron haptazi si kundërpeshë e “amalgamit të Ballkanit Perëndimor” që e ka për zemër diplomacia europerëndimore. Kuptohet që ky bllok ortodoks është hija e shtrirë e politikës e ambicieve të Rusisë në Ballkan.

Prandaj, tani më tingëllojnë edhe më cinike se dikur fjalët se “për Shqipërinë e për shqiptarët dyert e Europës janë gjithnjë të hapura”. Nuk mund të quhet e hapur një derë vetëm se është bërë prej xhami të cilësisë së mirë, që nuk ta pengon vështrimin, por të mban jashtë sallonit të bukurisë europiane. Nuk integrohesh më të vërtetë në Europë nëse të detyrojnë të udhëtosh për atje vetëm në trenin e politikës së ortodoksisë sllavo-greke.

Kjo që po ndodhë në kuadër të Strategjisë së Brukselit për integrimin e Ballkanit Perëndimor është eksperiment e praktikë që bëhet për herë të parë nga Europa e Bashkuar, e cila hidhet nga rastet e pranimeve të nxitura të një numri shtetesh kur nuk e meriton anëtarësimin në shtrëngimin në maksimum të kushteve për pranime të reja për një numër krejt të vogël shtetesh, pa ndonjë peshë të madhe, që mund të rrezikojë ekuilibrat europiane, të cilët kanë mbetur si të çorientuar në mes të pyllit. Ndryshe nga rastet e tjera, Europa e Bashkuar ndaj shteteve të “Ballkanit Perëndimor” po zbaton me rreptësi politikën e njohur me emrin e “kulaçit dhe e kërbaçit”. Ndoshta kjo terminologji nuk është fort “perëndimore” dhe në gjuhën shqipe ka hyrë më shumë nën ndikimin e dikurshëm të rusishtes, por ajo është mjaft domethënëse dhe ka qenë e mbetet gjithnjë edhe një praktikë perëndimore.

Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe është shprehja “me kulaç e me kërbaç”, që do të thotë “me hir e pa hir, me të mirë e me shtrëngim”. Në të folmen diplomatike kjo mënyrë veprimi i nënkupton të gjitha rastet kur shtetet dhe kombet më të mëdhenj e më të fuqishëm e përdorin si alternativë për t’u imponuar sjellje e qëndrime të caktuara shteteve e kombeve më të vegjël e më të dobët. Për fat të keq, zbatimi i “politikës së kulaçit e të kërbaçit” në Ballkanin Perëndimor në rastin e Shqipërisë e të Kosovës shoqërohet edhe me një element më kërcënues “Haraçin për integrimin në BE”. E keqja shkon më tej se, ky haraç nuk u kërkohet shqiptarëve vetëm për nevojat e ngutshme të Brukselit në zgjidhjen e ekuacioneve diplomatike, por si haraç në dobi të fqinjëve të shqiptarëve.

Për fat të keq, kombit shqiptar gjatë gjithë historisë së tij i ka takuar të provojë pa pushim dhimbjet nga politika e kërbaçit dhe ende nuk po shijon realisht të mirat episodike të politikës së kulaçit. Përkundrazi, po bëhen 30 vjet që shqiptarët zgjasin duart thatanike (shprehje e përdorur nga diplomati amerikan Xhorxh Fred Uilliams qysh në vitin 1914 në librin “Shqyptarët”) e lëpijnë buzët e zhuritura për pak ëmbëlsi diplomatike, që të kapin një copë nga kulaçi i integrimit europian që ua kanë rekomanduar vazhdimisht si ushqimin e parajsës që i pret prej kohësh. Por, këto buzë e duar shqiptare po ua thajnë e përthajnë kaq gjatë kamxhikët (kërbaçët) e Europës së Bashkuar, që i tund me cinizëm Brukseli, qendra e burokracisë europianiste (praktikisht “Sarajet e Dovletit Europian”). Kemi arsye të forta të arsyetojmë kështu e të shprehemi me këtë gjuhë të tillë, sepse:

  1. Shqiptarët qysh kur e njohin veten për të tillë, si dhe paraardhësit më herët, nuk kanë njohur asnjëherë një jetë të përbashkët shtetërore krejt të tyren, të pavarur nga të tjerë në hapësirat që kanë mbetur ende si troje etnike shqiptare (për disa vetëm shqipfolëse). Kjo, me sa po shihet sot, ka bërë që në ADN-në dhe në psikologjinë kombëtare shqiptare të jenë rrënjosur shije dhe prirje për ta ndjerë veten më mirë nën çatira e strehë ndërtesash të huaja shtetërore. Disa shekuj banorët ilirë të trevave të mbetura ende shqiptare ishin nën Perandorinë Romake, pastaj për më shumë shekuj të tjerë nën Perandorinë Bizantine, më pas për gjysmë mijëvjeçari në Dovletin Osman, prej të cilit arritën të veçohen më 1912. Por, fatkeqësisht, pavarësia nuk shërbeu për t’i mbajtur gjithë shqiptarët në një shtet të tyrin. Ambientimi me këtë fatalitet historik nuk mbaroi as me krijimin, pas vitit 1920, të një shteti të cunguar e rakitik shqiptar. Edhe atëherë elitat dhe kallaballëku shqiptar merakun më të madh e kishin të zgjidhnin se nën çatinë e kujt mund ose duhej të përfundonin. Pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarët më shumë u shkrehën shpirtërisht dhe pranuan fatin që të ishin në perandorinë që u quajt “Kampi Socialist”. Me shumë peripeci arritën të dilnin e të qëndronin për ca kohë jashtë këtij kampi dhe të tentonin të vetëformoheshin në frymën e “veçanësisë së izoluar shqiptare”. Mirëpo, pas shembjes së socializmit në Europë, filloi epoka e zgjerimit të vrullshëm të Europës së Bashkuar dhe nga mjediset politike e mjetet më të fuqishme të propagandës shqiptare u kultivua vetëm ideja e kërkimit të lumturisë nën çatinë e “Dovletit të ri shumëkombësh”, Bashkimit Europian. Pas tri dekadash nuk po arrijmë të hyjnë në të dhe nuk dihet se kur mund të ndodhë kjo “mrekulli” që mund të na zhgënjejë përsëri. Por, tashmë duhet ta kuptojmë se për t’u bërë “milet europian” na kërkohet haraç i rëndë: të tjetërsohemi sa më shumë kombëtarisht e shpirtërisht. Fjala “Haraç” merr tingëllim të veçantë shqetësues nga këndvështrimi i këtij shkrimi. Prandaj po sjell këtu të dy shpjegimet që jepen në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe:
  2. A) “Detyrim a taksë që i jepte ose i paguante një shtet një shteti tjetër, kur mundej prej tij a kur pranonte t’i nënshtrohej atij”. Shqipëria dhe Kosova nuk janë shtete të mundura në luftë dhe nuk ka kush të drejtën t’u kërkojë “haraç”, sidomos me cedime territori, siç pokërkojnë grekët në jug e sllavët në veri. Europa e Bashkuar duhet t’i dekurajojë këto prirje e jo t’i nxisë për hir të integrimit europian. Shqipëria dhe Kosova nuk kanë shprehur me vullnetin e lirë shtetëror e kombëtar shqiptar t’i nënshtrohet ndonjë shteti tjetër. Europa e Bashkuar nuk ka të drejtë të nxisë shqiptarët të hyjnë në rrugë të tillë në marrëdhëniet me fqinjët, gjoja për të lehtësuar integrimin e të gjithëve në Bashkimin Europian.
  3. B) “Taksë e veçantë që jepte në të holla ose në natyrë popullsia jomyslimane gjatë kohës së pushtimit feudal ushtarak osman”. Edhe pse Europa zyrtare nuk e ka thënë hapur, nga Brukseli ka dëshmi se ajo vendos kushte të veçanta si haraç për shqiptarët që në shumicën e tyre dërrmuese janë të besimit mysliman. Ndër këto kushte është dhe përfshirja e Kosovës dhe e Shqipërisë në amalgamin e Ballkanit Perëndimor që në Europën e Bashkuar (të konceptuar si “klub i krishterë shtetesh”) të mos hyjnë si shtete më vete me shumicë të popullsisë myslimane.

Haraçi më i rëndë që u kërkohet shqiptarëve për të hyrë në Bashkimin Europian është kushti që u vihet për të hequr dorë përfundimisht nga e drejta për vetëvendosje të plotë kombëtare, si dhe nga aspirata e përpjekjet për bashkim në një shtet të vetëm kombëtar shqiptar sikurse të gjitha kombet e tjera anëtare të Bashkimit Europian. Ka tri dekada që mekanizmat europianë e kanë trullosur politikën dhe opinionin publik shqiptar me këshilla të urta (kuleçë të helmuar) dhe me kërcënime të forta (goditje me kërbaç), që shqiptarët ta heqin nga mendja unitetin kombëtar e bashkimin shtetëror dhe të jenë vetëm një “milet europian”, sikurse kanë qenë thjesht “milet’ në Dovletin Osman, kur ndjenja e kombit, kombësisë dhe nacionalizmit ishin ende të panjohura e të pazhvilluara. Pra, për nacionalizmin shqiptar integrimi europian merr pamjen e një kthimi mbrapa në histori. Këtë e vumë re menjëherë pas mendimit që shprehu kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë festimeve për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, që të dyja shtetet të kenë një president të përbashkët. Serbët e grekët filluan menjëherë nga avazet e mallkimit të Shqipërisë së Madhe; disa pushtetarë në Kosovë dhe shumë politikanë e propagandistë në Tiranë u ranë fort borive të alarmit për gjëmën që do të vinte nga kjo deklaratë për Shqipërinë e shqiptarët. Ishte e pritshme, sepse në mjediset politike të Kosovës e të Shqipërisë çdo gjë komentohet e interpretohet me rrëmbim, në kuadër të një lufte politike të ndyrë për pushtet. Kurse strukturat europianiste të Brukselit nuk kishin përse të vinin aq shpejt e frikshëm kujën, ende pa u sqaruar se si e pati Rama atë “shpërthim nacionalist”, kur lëshoi “bombën diplomatike”, që nuk do të ketë më shumë efekt e jehonë se tymëse të ngjashme që janë lëshuar edhe në të shkuarën, përderisa bota e di mirë se nuk ekziston kurrfarë strategjie politike e diplomatike shqiptare për të lëshuar tani e mbështetur me veprime të tjera konkrete deklarata të tilla. Ato deklarata bëhen sa për të turbulluar atmosferën politike brenda në Shqipëri e Kosovë, për të ndezur zjarre diplomatike si flakë kashte, kur pushtetarëve në Tiranë e në Prishtinë u digjet koka nga trysnia ndërkombëtare, kryesisht për problemet e brendshme të korrupsionit, kriminalitetit, drejtësisë së dështuar ndaj kacafytjeve të pandërprera për pushtet. Kështu pati ndodhur edhe disa muaj para zgjedhjeve parlamentare, më 2013, kur kryeministri i atëhershëm Sali Berisha e “tmerroi” Europën” me idenë e bashkimit të shqiptarëve dhe pastaj i qetësoi të gjithë, duke e hedhur poshtë e mallkuar atë. Atëherë Rama ishte në krye të qortuesve të Berishës. Sot Berisha është në krye të ithtarëve të tij për ta linçuar Ramën. Antinacionalistët e para 5 viteve (Rama me pasuesit) u bënë nacionalistë të thekur sot; kurse nacionalistët e atëhershëm (Berisha me pasuesit) u bënë tani shpëtimtarë të Europës e të Ballkanit nga “nacionalizmi gjëmëmadh” i Ramës. Janë veprime që vetëm i nxjerrin në pah papërgjegjësitë në politikën shqiptare.

Por, ngjarje të tilla janë edhe provë se çështja e bashkimit kombëtar e shtetëror shqiptar nuk shuhet dot nga fushata për integrimin europian, sepse është një çështje më madhore për jetën e shqiptarëve. Europa e Bashkuar këtë fakt duhet të vërë re e të vlerësojë si duhet në radhë të parë nëse vërtet dëshiron të ketë në gjirin e saj një Ballkan Perëndimor të qetësuar e stabilizues për të gjithë rajonin. Europa ende qëndron larg përballjes së vendosur me këtë realitet dhe beson ende se duke u treguar shqiptarëve vetëm nga larg kulaçin e integrimit, duke ua vërvitur sa më parë kërbaçin e duke u shtuar barrën e haraçeve mbi kurriz, shpejton zgjidhjen mirë a keq të problemeve. Në Europë nuk po mbahet si duhet parasysh se në Ballkanin Perëndimor vazhdojnë të veprojnë të gjitha kontradiktat e përplasjet që çuan në rrënimin e ish-Federatës së Jugosllavisë. Zgjidhja nuk mund të vijë duke u vënë haraçe shqiptarëve. Europa le ta vazhdojë politikën e “kulaçit e të kërbaçit” në Ballkan edhe për shqiptarët njësoj si për të tjerët, sepse kjo sjell dobinë e vet. Por, kulaçin nuk duhet t’ua japë vetëm sllavëve e grekëve ta lëpijnë e ta kafshojnë dhe kërbaçin të mos e mbajë të ngritur më shumë për shqiptarët.

Është “haraç” për shqiptarët kur këtyre u kërkohet që për të hyrë në BE duhet të zgjidhin gjithë problemet që kanë trashëguar historikisht në marrëdhëniet me shtetet e popujt fqinj. Natyrisht, Brukseli është i kujdesshëm të japë përshtypjen se e njëjta gjë kërkohet edhe nga fqinjët e shqiptarëve. Por, fatura për të bërë pagesën u paraqitet kryesisht shqiptarëve. Vetëm Kosovës i kërkohet të rregullojë kufirin me Malin e Zi. Vetëm Shqipërisë i kërkohet “nëpërmjet kanalesh të heshtura këshillëdhënëse” të kënaqë sa më shpejt e më shumë kërkesat greke që Greqia të mos gjejë pretekst të pengojë hapjen e bisedimeve të BE-së me Shqipërinë. “Bumi diplomatik” për zbutjen e atmosferës së marrëdhënieve shqiptaro-greke që plasi muajt e fundit për këtë tashmë po përdoret. Ndryshe nuk mund të shpjegohet që diplomacia Rama-Bushati papritmas kaloi nga shtrëngimi i dhëmbëve e nofullave tek përqafimet e përmalluara me pushtetarët grekë. Kështu, i paguan haraçet Shqipëria. Është e kotë zhurma se po trajtohen e do të zgjidhen për herë të parë e përfundimisht probleme që nuk janë prekur për 7 apo 8 dekada. Të gjitha problemet që përmenden janë trajtuar shumë herë dhe po çojnë vetëm në plotësim kërkesash absurde e tekanjoze të Greqisë. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, nuk duhet të magjepset nga homologu grek, Kocias, as të kujtojë se po e sjell diplomacinë greke në brazdën e duhur. Ai rrezikon që pas disa vitesh të shprehet i pezmatuar, siç u shpreh dikur Ramiz Alia se grekët e kishin pas gënjyer për heqjen e Ligjit të Luftës. Ky ligj është kaq anakronik, sa nuk sjell më kurrfarë dobie “heqja” e tij e përsëritur. Grekët vetëm bëjnë lojë me diplomacinë shqiptare, duke e hequr e rivendosur disa herë atë ligj. Diplomacia shqiptare ende nuk ka dhënë garanci se marrëveshja e detit do të jetë më e mirë se e vjetra, por tashmë kjo marrëveshje po përdoret edhe për sherre të reja deri në nivelet më të larta të pushtetit në Shqipëri. Ka lindur shqetësimi se çështja e Çamërisë mund të braktiset edhe një herë turpshëm. Mbi të gjitha, diplomacia shqiptare ka lënë në harresë problemin më delikat e më të mprehtë, deklaratën e ish-Kryeministrit grek Miciotaqis, të 14 korrikut 1993, që përfaqëson platformën e kondensuar të politikës armiqësore të Greqisë ndaj Shqipërisë, Kosovës e shqiptarëve. Për sa kohë që në Greqi kjo platformë do të ruhet e paprekur ajo përbën një rrezik shumë më serioz sesa përbënte dikur Ligji i Luftës.

“Politikën e kulaçit e të kërbaçit” ndaj shqiptarëve e ndjekin edhe nga ana lindore e Europës. Rusia po shfrytëzon me shkathtësi dëshirën e Perëndimit që të tërheqë Serbinë në BE e NATO për të ulur trysninë perëndimore mbi Serbinë. Diplomacia e propaganda ruse edhe tani, në rastin e festimit të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, po e ngre dhe nuk po e ulë agresivitetin antishqiptar që ta bëjë sa më të padurueshme klimën e përgjithshme diplomatike për shqiptarët. Rusia po përpiqet që zhvillimet në marrëdhëniet me Shqipërinë t’i ndajë nga qëndrimet e Rusisë për Kosovën. Rusia përdor, me stilin e saj, praktikën e kulaçit në marrëdhëniet me Shqipërinë. Ambasadori rus ne Tiranë, gjatë një aktiviteti të organizuar së bashku me Institutin e Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë, ka mbajtur një fjalë të përpunuar me shumë kujdes për të bindur Shqipërinë e shqiptarët se Rusia është vetëm miqësore ndaj tyre dhe se Shqipëria do të ketë shumë përfitime në rast se marrëdhëniet me Rusinë ecin drejt niveleve të dikurshme (të kohës së komunizmit) të simpative. Kështu, politika e kulaçit dhe e kërbaçit nuk do t’i ndahet nga të gjitha anët Shqipërisë./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne