BE mund t’i forcojë reformatorët në Ballkan, vetëm duke mbajtur premtimet e saj

nga Kristof Bender, “Open Democracy”

Më 10 maj, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha se asnjë nga “ëndrrat e bukura” që Bashkimi Evropian premton t’i ofrojë Ballkanit Perëndimor, nuk do të realizohet. Ai parashikoi se BE-ja nuk do të çelë asnjë kapitull të ri negociatash me Serbinë dhe Malin e Zi, se nuk do të çelë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, se nuk do të miratojë liberalizimin e regjimit të vizave me Kosovën, dhe se asgjë pozitive nuk do të ndodhë as për Bosnjën.

Ai shtoi: “Ok, ne jemi budallenj, por jo aq sa na pandehin, dhe të gjithë e dinë që unë kam të drejtë, dhe se asgjë nuk do të ndodhë në qershor dhe korrik”.

Mesazhi i Vuçiç, është se Bashkimi Evropian, nuk do t’i mbajë premtimet e veta, dhe se secili nga vendet e Ballkanit duhet të zgjidhë vetë hallet që ka. Dhe në nëntorin e vitit të shkuar, Vuçiç deklaroi se ‘‘ne do të vazhdojmë ta forcojmë shumë ushtrinë tonë”.

Në përfundim të takimeve të Këshillit Evropian, mund të na duhet të mbërrijmë në përfundimin se presidenti serb kishte të drejtë, dhe se kryeministri i Maqedonisë Veriore Zoran Zaev, që ka investuar të gjithë kapitalin e tij politik mbi të ardhmen evropiane të vendit të tij, ka gabuar që ka vepruar kështu.

Nëse Maqedonisë Veriore, do t’i mohohet nisja e negociatave të anëtarësimit, Vuçiç do të duket si një lider më realist dhe më i fortë. Zaev do të duket naiv dhe i dobët. Dhe kjo nuk mund të jetë në interesin e BE-së. S’ka asnjë dyshim:përgjegjëse për këtë situate, janë shumë nga shqetësimet e ngritura nga presidentit francez Emmanuel Macron, parlamentarët gjermanë dhe të tjerët në union, që nuk duan të pranojnë në gjirin e tyre anëtarë të rinj të papërgatitur.

Asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk përmbush aktualisht kriteret për anëtarësim. Asnjeri prej tyre, nuk do t’i bashkohet BE-së, pa bërë përpjekje të mëdha për të forcuar institucionet e veta demokratike dhe sistemin gjyqësor. Asnjë prej tyre, nuk do të jetë i gatshëm t’i bashkohet unionit së shpejti. Pak udhëheqës evropianë, nuk pajtohen me këtë vlerësim.

Por ata thuajse që të gjithë, mbështesin fillimin e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut. Dhe kanë 3 argumente të forta në anën e tyre.

Së pari, BE-ja duhet të mbajë fjalën e saj ndaj udhëheqësve ballkanikë, në mënyrë që ata të kenë ndikim tek fqinjët dhe pakicat në shtëpi, në kushtet e një fryme të vërtetë pajtimi. Në verën e vitit 2017, Maqedonia e Veriut, nënshkroi një traktat miqësie me Bullgarinë, dhe verën e vitit të kaluar ajo nënshkroi me Greqinë Marrëveshjen e Prespës.

Në janar të këtij viti, gjuha shqipe u bë gjuha e dytë zyrtare në vend. Sipas Komisionit Evropian, Maqedonia e Veriut ka arritur më shumë progres në reformat e kërkuara gjatë vitit të kaluar, sesa 2 kandidatët kryesorë, Mali i Zi dhe Serbia.

Nëse BE-ja e lë tani në baltë qeverinë më pro-evropiane të Ballkanit Perëndimor, pse dikush tjetër në këtë rajon, duhet të ndërmarrë në të ardhmen rreziqe të tilla politike? Forcat anti-evropiane në të gjithë rajonin, do të fërkonin duart, dhe do ta portretizonin BE-në si një gënjeshtare.

Së dyti, Maqedonia e Veriut është në pararojë të reformave të kërkuara prej saj nga Brukseli. Duke krahasuar vlerësimet më të fundit të Komisionit Evropian në majin e këtij viti, Maqedonia Veriore është duke ecur po aq mirë sa edhe Mali i Zi dhe Serbia.

Argumenti se “Maqedonia e Veriut, nuk është gati për bisedimet e pranimit”, nuk është i pranueshëm. Së treti, edhe nëse fillojnë negociatat e anëtarësimit, që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së, kjo do të kërkojë shumë vite. Kanë ikur kohët, kur fillimi i negociatave çonte automatikisht në pranimin në Bashkimin Evropian.

Serbia i ka nisur negociatat e pranimit që në vitin 2014, Mali i Zi më 2012-ën. Dhe që të dyja janë ende larg anëtarësimit të plotë. Turqia, i ka filluar bisedimet e anëtarësimit që në vitin 2005, pra 14 vjet më parë, dhe sot është më larg aderimit sesa në fillim.

Mbështetja e çeljes së bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut, nënkupton sot forcimin e ndikimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor; forcimin e udhëheqësve reformatorë në Maqedoninë e Veriut dhe në gjithë rajonin; dhe dobësimin e atyre forcave anti-evropiane, që pretendojnë se BE-së nuk mund t’i zihet besë, dhe se vizioni i një të ardhme të begatë dhe të qëndrueshme në BE është një iluzion, dhe se çdo komb duhet të ecë përpara me këmbët e veta.

Ky është një vizion i rrezikshëm. Bashkimi Evropian, dhe të gjitha vendet anëtare, duhet t’i mbajnë gjallë “ëndrrat e bukura”, dhe të ruajnë perspektivën e një të ardhme evropiane për reformatorët e Ballkanit Perëndimor. Fillimi i bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut, nënkupton sigurimin me një kosto shumë të ulët, të besueshmërisë së kësaj perspektive./tiranatoday

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne