BE thirrje Sudanit t’i japë fund dhunës ndaj protestuesve

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Sudanit që të fillojë një hetim dhe t’i jepet fund dhunës pasi forcat e sigurisë së këtij vendi ndërhynë ndaj protestuesve ku pati dhjetëra të vdekur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga Zyra e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika të Sigurisë Federica Mogherini, thuhet se pezullimi i anëtarësimit të Sudanit nga Këshilli për Paqe dhe Siguri i Unionit Afrikan (PSC) ka paraqitur kriteret e nevojshme për rindërtimin e paqes në vend.

Në deklaratë bëhet thirrje për lirimin e të gjithë shtetasve sudanezë të arrestuar për arsye politike ndërsa theksohet se duhet të përfundojë menjëherë dhuna dhe të fillojë një hetim i besueshëm për ngjarjet që ndodhën kohën e fundit.

Gjithashtu në deklaratë vihet theksi mbi rëndësinë e zbatimit të thirrjes së Unionit Afrikan që fuqitë e jashtme duhet të shmangen nga ndërhyrja. Gjithashtu është marrë në konsideratë deklarata e Unionit Afrikan për mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj personave që pengojnë transferimin e qeverisjes në Sudan tek vullneti civil.

Ngjarjet në Sudan

Forcat e sigurisë në Sudan ndërhynë me plumba të vërtetë dhe gaz lotsjellës ndaj qytetarëve, ku prej disa javësh protestonin për ruajtjen e demokracisë përballë kazermës ushtarake në kryeqytetin e vendit, Khartoum. Sipas Komitetit Qendror të Mjekëve të Sudanit (CDC) është raportuar se kanë humbur jetën 108 persona. Ndërsa Ministria sudaneze e Shëndetësisë ka deklaruar se numri i të vrarëve nuk kalon 46.

Protestat e nisura më 19 dhjetor të vitit të kaluar në Sudan kundër krizës ekonomike u përhapën me shpejtësi në Khartoum dhe në gjithë vendin, duke u shndërruar në protesta kundër regjimit. Më 11 prill, pasi mori kontrollin e pushtetit, ushtria sudaneze njoftoi përfundimin e periudhës së Al-Bashirit pas disa muajve të protestave popullore kundër qeverisjes së tij 30-vjeçare.

Pas ardhjes së ushtrisë në pushtet, protestat kanë vazhduar nëpër rrugë, ku protestuesit kërkuan kalimin në një qeverisje civile, ndërsa janë zhvilluar bisedime me qeverisjen ushtarake se si duhet të formohet qeveria kalimtare./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne