BeH, shënohet përvjetori i masakrës së dytë në tregun e Sarajevës

Përmes një ceremonie,  në kryeqytetin e Bosnjë dhe Hercegovinës, Sarajevë, u përkujtuan viktimat e masakrës së dytë ndaj tregut Markale gjatë luftë së Bosnjës, me rastin e 24-vjetorit të kësaj ngjarjeje, raporton Anadolu Agency (AA).

Më 28 gusht të vitit 1995, në kohën e rrethimit të Sarajevës, forcat serbe sulmuan me mortajë për herë të dytë tregun Markale, duke shkaktuar 43 civilë të vdekur dhe 75 të plagosur.

Ceremonia përkujtimore filloi me leximin e emrave të viktimave, ndërsa të pranishëm ishin kryetari i Këshillit Presidencial të Bosnjë dhe Hercegovinës, Zhelko Komsiç, kryetari i Bashkisë së Sarajevës, Abdullah Skaka, Ministri i Çështjeve të Veteranëve të Kantonit të Sarajevës, Ismir Jusko, të afërm të viktimave dhe qytetarë.

Pjesëmarrësit vendosën lule në përmendoren e viktimave dhe bënë lutje.

Në fjalën e tij, ministri Jusko tha se në katër muajt e fundit thuajse nuk ka pasur javë që nuk janë përkujtuar viktima civile.

“Sulmi që ndodhi në ditën e sotme para 24 viteve ishte masakra e fundit në Sarajevën e rrethuar. Kjo masakër mobilizoi NATO-n”, tha Jusko.

Ndërkaq, e mbijetuara e sulmit Amerisa Ahmetoviç tha se si pasojë e sulmit kishte humbur njërën këmbë.

“Isha 16-vjeçare. Ishte gjë e tmerrshme. Ishte një nga gjërat më të rënda që mund t’i ndodhë njeriut në jetë”, theksoi Ahmetoviç.

Po ashtu, Rasim Koso, dëshmitar i ngjarjes, tha se ajo që kishte parë kishte qenë e tmerrshme.

“Përreth mund të shihje krahë, koka”, tha Koso, duke treguar se edhe ai vetë kishte ngelur i plagosur nga sulmi, por një gjë të tillë nuk e kishte vërejtur menjëherë.

“Pashë se këmbët më ishin mbushur me gjak. Më vendosën në një automjet mbi dy gra të vdekura dhe më dërguan”, rrëfeu ai.

Ndryshe, sulmi i parë me mortajë nga ana e forcave serbe në tregun Markale ndodhi më 5 shkurt të vitit 1994, me çka 68 persona humbën jetën dhe u plagosën 144 të tjerë.

Gjatë rrethimit 44-mujor të Sarajevës, në mes të prillit të vitit 1992 dhe dhjetorit të vitit 1995, jetën humbën 11.541 persona, përfshirë afër dy mijë fëmijë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne