Belgjika shqyrton ndalimin e shitjes së armëve Arabisë Saudite

Zyrtarët e Belgjikës njoftuan se vendi mund të shqyrtojë ndalesën e shitjes së armëve Arabisë Saudite, pas raportimeve se Rijadi ka përdorur armët belge në luftën në Jemen, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sipas meje, nëse del në pah se armët përdoren në disa konflikte, si në Jemen, atëherë do të jetë mirë ndalja e shitjes për Arabinë Saudite”, tha ministri i Jashtëm belg Didier Reynders për televizionin publik RTBF.

Nga ana tjetër, kryetari i Rajonit të Valonisë, Willy Borsus, tha për RTBF se nëse një kompani belge sillet në kundërshtim me ligjet gjatë shitjes së armëve shteteve të tjera, atëherë vendi “mund të anulojë licencën” e kompanisë në fjalë.

Ndryshe, një hulumtim i publikuar javën e kaluar nga disa mediume dhe organizata joqeveritare në Belgjikë treguan se Arabia Saudite përdor armët dhe municionet e importuara nga Belgjikë në luftën në Jemen.

Edhe pse rajoni i Valonisë, i cili eksporton sasi të madhe të armëve në Arabinë Saudite, pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi kishte njoftuar se nuk do të ketë marrëveshje të re me Arabinë Saudite, mediumet belge kanë shkruar se këtë vit Valonia ka furnizuar tre herë me armë Arabinë Saudite.

Ndryshe, koalicioni i kryesuar nga Arabia Saudite në luftën e Jemenit akuzohet nga shumë organizata ndërkombëtare si përgjegjëse për krime dhe vdekjen e një numri të madh civilësh.

Jemeni është përfshirë nga një konflikt shkatërrues që nga viti 2014, kur rebelët Huthi morën nën kontroll pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana dhe Hudejden.

Konflikti u përshkallëzua në vitin 2015, kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj arabë nisën një fushatë masive ajrore në Jemen, që synonte rikthimin e territoreve të marra nën kontroll nga lëvizja Huthi.

Që atëherë, sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), dhjetëra mijëra jemenas, duke përfshirë civilë, besohet të jenë vrarë në konflikt, ndërsa 14 milionë të tjerë janë në rrezik të urisë.

Sipas OKB-së, Jemeni po përballet me një nga krizat më të këqija humanitare në botë, me më shumë se dhjetë milionë njerëz të shtyrë në pragun e urisë. Më shumë se 22 milionë njerëz në Jemen kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje humanitare./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne