Benet Beci drejtor i ri i KESH: Pse e pranova propozimin e Ramës

Ish-drejtori Ekzekutiv prej 13 vjetësh i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, FSHZH, ka pranuar propozimin e kryeministrit Rama për të drejtuar një tjetër institucion strategjik, siç është Korporata Elektroenergjitike Shqiptare.

Një lëvizje e konsideruar prej shumëkujt si e papritur duke pasur parasysh faktin se Beci është një prej drejtuesve më jetëgjatë në krye të FSHZH dhe që rezistoi ndryshimeve politike.

“E pranova me kënaqësi këtë propozim si shenjë të besimit, por edhe si mundësi që përvojën time prej shumë vitesh si menaxher dhe drejtues, ta zbatoj edhe në një sektor tjetër strategjik, siç është KESH”, ka thënë Beci pas emërimit drejtor i Korporatës Elektronergjitike Shqiptare.

Që prej vitit 2005 Benet Beci është drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i krijuar në vitin 1993 me fonde të donatorëve të huaj me mision zbutjen e varfërisë në zonat rurale. Sipas bilancit të këtij institucionit Benet Beci e mori drejtimin e FSHZH në kohën kur portofoli i këtij institucioni ishte rreth 116 milionë Euro. Gjatë drejtimit të tij ky portofol u rrit në më shumë se 480 milionë euro, ose 8 herë më shumë. Nga viti në vit aktiviteti i FSHZH u zgjerua duke u transformuar nga një institucion me aktivitet kryesisht në zonat rurale, në instrumentin më të besuar të donatorëve për investime në të gjithë territorin e vendit në infrastrukturë, turizëm, bashkëpunim ndërkufitar etj.
Donatorët e mëdhenj si Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka e Këshillit të Europës, etj. i kanë besuar FSHZH projektet madhore të zhvillimit. Rreth 20 projekte madhore dhe 2,100 nënprojekte në funksion të zhvillimit të infrastrukturës, turizmit, kulturës janë realizuar me sukses gjatë këtyre 13 viteve.

Kush është Benet Beci?

Benet Beci ka kryer studimet universitare në Fakultetin e Ekonomisë në vitin 1987, ato master në administrim biznesi me një temë mbi sistemin bankar në vitin 2003 dhe doktoraturën në vitin 2015 me një temë mbi zhvillimin rajonal, shkruan Panorama.

Ai ka kryer edhe një sërë specializimesh të tjera brenda dhe jashtë vendit, kryesisht në sistemin bankar dhe atë të mikrofinancës, analizës financiare e menaxhimit të riskut, por edhe mbi partneritetet publiko-private dhe inovacionet në qeverisje.

Gjatë karrierës së tij, Benet Becit i janë besuar detyra të rëndësishme sidomos në sistemin bankar ku ka pasur disa pozicione, nga të cilat më i spikaturi ka qenë ai i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Por Beci ka një përvojë të gjerë edhe në menaxhim financiar në institucione të Financimit Rural.

Sidoqoftë pa dyshim, detyra më e rëndësishme ka qenë ajo e drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, një institucion publik që implementon projekte zhvillimi në nivel lokal dhe kombëtar. Beci e ka drejtuar me sukses këtë post që prej vitit 2005 deri më sot./ tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne