Kultura Shqiperia

Berat, Rama viziton xhaminë që restaurohet nga TIKA turke; qeveria shqiptare restauron vetëm kishat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në kuadër të takimit të Këshillit të Ministrave të zhvilluar në qytetin e Beratit, gjatë mbrëmjes të së premtes ka zhvilluar një vizitë edhe në ambientet e xhamisë Mbret, objekt kulti ky i cili është duke u restaururar nga Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA).

Rama gjatë vizitës në këtë xhami është shoqëruar nga disa ministra ku u vu re dhe prania e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro.

Rama pati mundësinë të marrë informacion të detajuar nga afër për projektin e restaurimit. Informacionet për këtë i janë përcjellë nga Koordinatori i TIKA-s në Shqipëri, Necip Özay Özütok.

Pasi ka marrë informacion dhe ka parë nga afër gjendjen e xhamisë para restaurimit, Kryeministri Rama është larguar për të vazhduar me turin e tij në këtë qytet.

Xhamia Mbret në Berat është një objekt i cili është në listën e objekteve të kategorisë së parë të trashëgimnisë kulturore. TIKA do të ndërhyjë në të gjitha pjesët e kësaj faltoreje duke i restauruar pjesët e dëmtuara, si dhe duke bërë nga e para pjesët të cilat nuk restaurohen.

Agjencia Turke, TIKA krahas kësaj xhamie ka nisur restaurimin e Xhamisë së Beqarëve në Berat, Teqesë së këtij qyteti, Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër dhe Xhaminë simbol të fesë İslame në Shqipëri, atë të Et’hem Beut në Tiranë.

TIKA krahas restaurimeve të objekteve të cilat i përkasin historisë së përbashkët shqiptaro-turke, ka realizuar më shumë se 300 projekte që prej nisjes së aktivitetit të saj në vendin tonë. Projektet të cilat kanë për synim përmirësimin e infrastrukturës dhe jetës së qytetarëve shqiptarë, janë realizuar në fusha të ndryshme,si shëndetësia, arsimi, bujqësia, infrastruktura, etj. ©Frekuenca.com

OPINIONE