Shqiperia

Berati Osman mbetet destinacion turistik edhe në stinën e dimrit

Berati vazhdon të jetë destinacioni i preferuar i turistëve, ku gjatë periudhës janar-nëntor është vizituar nga 40.605 vendas dhe të huaj.

Edhe në stinën e vjeshtës dhe fillimin e stinës së dimrit, qyteti 2400-vjeçar i Beratit, i njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë, por edhe për mikpritjen, ka zgjuar interesin e turistëve të shumtë që e kanë vizituar.

“Megjithëse jemi në fillim të sezonit turistik të dimrit, në muajin nëntor, Muzeu Ikonografik Onufri dhe Muzeu Etnografik vazhdojnë të jenë destinacion i vizitorëve vendas dhe të huaj, veçanërisht në fundjavë e ditët e festave nga vizitorë familjarë”, konfirmon Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat.

Sipas QKM-së, këtë muaj muzetë kishin 1.782 vizitorë, nga 1.033 vizitorë që kanë pasur në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

“Ndërsa në periudhën janar-nëntor 2017 numri i vizitorëve arriti në 40.605, një shifër impresionuese pasi në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kishin vetëm 28.433 vizitorë, duke realizuar 6.928.280 lekë të ardhura nga shitja e biletave, 1.692.960 lekë më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, bën të ditur QKM-ja Berat.

Qendra urbane e Beratit reflekton influenca të traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt XVIII dhe XIX. Kjo traditë është adaptuar për t’iu përshtatur mënyrës së jetesës së qytetit, me shtëpitë e vendosura në shpate me planimetri kryesisht horizontale dhe që përdorin gjerësisht dritën natyrore.

Në vitin 1961, Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë. /ATSH