Berati pret të ketë më shumë se 100 mijë turistë këtë vit

Projeksioni është që këtë vit në Berat të kalohen shifrat e 100 mijë turistëve, dhe kjo do të thotë më shumë punësim dhe zhvillim ekonomik.

Në një takim në Berat, ku u prezantuan projektet e reja për qarkun, Rama theksoi se, “potenciali i jashtëzakonshëm ekonomik që ka kjo zonë për shkak të trashëgimisë kulturore dhe bukurive natyrore u çlirua me programin e Rilindjes Urbane”.

“Një shtëpi që kushtonte mesatarisht 8-10 mijë euro në zonën historike, sot kushton 65-75 mijë euro, një rritje e jashtëzakonshme e vlerës së pasurive të patundshme si rezultat i rritjes së kërkesës për ta vënë në shfrytëzim këtë potencial”, tha Rama.

Rama tha se ka një transformim të rëndësishëm në gjithë zonën që po sjell rritje eksponenciale të numrit të turistëve.

“Nga 13 mijë turistë që numëroheshin në vitin 2013, vitin e shkuar kishim 74 mijë turistë, ndërsa këtë vit projeksioni është që të kalojë shifrat e 100 mijë turistëve. Kjo do të thotë më shumë ekonomi, biznes dhe mundësi punësimi dhe më shumë investime, jo vetëm nga ana e sektorit privat, por edhe nga ana e qeverisë dhe bashkive”, tha Rama.

Dëshmi e rritjes së numrit të turistëve në Berat, sipas Ramës, është edhe numri i biletave të shitura në muzeun Onufri, ku ka 7-fishim të shitjes së biletave.

“Po kështu po të shikojmë numrin e bujtinave dhe hoteleve kemi dyfishim. Kishim 34 dhe sot kemi rreth 60 bujtina dhe hotele. Jemi në kushtet, kur po përjetojmë një proces transformimi të rëndësishëm, që do të sjellë një fuqizim të rëndësishëm ekonomik dhe rritje të punësimit përmes sipërmarrjes individuale në qytet apo në fshat”, tha Rama.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne