Berisha: Synojmë anëtarësimin e Kosovës në NATO

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës e konsideron si të suksesshëm vitin 2019 në realizimin e objektivave të tyre.

Në konferencën përmbyllëse të vitit në këtë ministri, ku u shpalosën puna dhe rezultatet e arritura në vitin 2019, u tha se Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të jetë institucioni më i besueshëm në vend.

Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, tha se besueshmëria e qytetarëve të Kosovës ndaj FSK-së është si shkak i bashkëpunimit të tyre me NATO-n, bashkëpunim të cilin synojnë ta vazhdojnë deri në anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon edhe më tutje të jetë institucioni më i besueshëm në vend, por kësaj radhe me një përqindje të besueshmërisë shumë të lartë dhe kjo përqindje e besueshmërisë është me theksuar në komunitetin joshumicë prej 12 për qind”, theksoi Berisha, i cili shtoi se gjatë këtij viti në trupat e FSK-së janë shtuar anëtarët e gjinisë femërore për 11 për qind, ndërsa nga komunitetet joshumicë 10 për qind.

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, tha se përmbyllja e një viti të suksesshëm është meritë e të gjithë ushtarëve por edhe atyre që i kanë qëndruar në krah FSK-së që nga themelimi i saj.

Një nga aksionet e suksesshme të vitit 2019 siç njoftoi Rama tha se është edhe ai në Shqipëri, ku FSK-ja nisi ekipet e saj të kërkim-shpëtimit pas tërmetit në Durrës.

“Kemi shumë suksese, gjithmonë duke u nisur me kapacitetet aktuale që i kemi, që ne do t’i mbajmë ato. Ne kemi nevojë për kapacitete, dëshmia më e madhe ka qenë edhe tragjedia që ndodhi në Shqipëri ku njësitet tona e kanë kryer obligimin dhe detyrën në mënyrën më të mirë të mundshme në kuptimin profesional. Por ky sukses është i përbashkët, nuk është vetëm sukses i yni”, tha Rama.

Ministria e Mbrojtjes dhe FSK në përgjithësi në të gjitha nivelet dhe struktura të saj udhëheqëse komanduese dhe operacionale, sipas tyre, edhe gjatë këtij viti ka pasur në fokus realizimin e aktiviteteve që zgjerojnë dhe thellojnë gamën e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh me ministritë, komandat dhe shtabet e mbrojtjes së forcave homologe partnere si dhe zhvillimin e diplomacisë së duhur ushtarake për arritjen e marrëveshjeve të reja.

Kjo ministri edhe gjatë këtij viti me strukturat e saj ka koordinuar dhe realizuar aktivitete të shumta dypalëshe, si me SHBA-të, Kroacinë, Turqinë, Gjermaninë, Maqedoninë e Veriut dhe vende të tjera./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne