Berlin, protestë kundër shitjes së armëve në luftën e Jemenit

Në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, u mbajtën protesta kundër vendeve anëtare të Bashkimit Evopian (BE) të cilat u shesin armë vendeve pjesëmarrëse në luftën e Jemenit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në protestën e zhvilluar në sheshin e 18 Marsit, para portës historike të Brandenburgut (Brandenburger Tor), e cila u mbajt nga iniciativa e quajtur “Veprim i britmës – Stop tregtisë së armëve” në të cilën morën pjesë organizata të ndryshme të shoqërisë civile u protestua kundër Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së që u shesin armë vendeve pjesëmarrëse në luftën e Jemenit.

Në shesh u vendos një podium me motive ngjyrë të zezë mbi të cilin ndodheshin 4 persona me maskat e kancelares gjermane Angela Merkel, presidentit francez Emmanuel Macron, kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez dhe kryeministres britanike Theresa May.

Zëdhënësja e iniciativës, Christine Hoffmann ka bërë të ditur se në Jemen po hedhen bomba me armët e prodhuara nga Gjermania dhe disa vende të tjera dhe se sot po përjetohet një prej fatkeqësive më të mëdha njerëzore të ditëve të sotme. Ajo tha se kompanitë gjermane me miratimin e qeverisë gjermane i shesin armë vendeve pjesëmarrëse në luftën e Jemenit si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Jordania.

Hoffmann theksoi se armët e prodhuara në Gjermani, Francë, Britani të Madhe, Itali dhe Spanjë përdoren në luftën e Jemenit dhe se këto vende janë përgjegjëse për fatkeqësinë njerëzore në Jemen.

Duke i kërkuar qeverisë gjermane që në nivel të BE-së të bëjë përpjekje për të siguruar që të mos u shiten armë vendeve të përfshira në luftën e Jemenit, Hoffmann kërkoi po ashtu që të zbatohet embargoja e armëve në nivel të BE-së ndaj vendeve që marrin pjesë në luftë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne