Berlin – Testohet rruga e parë inteligjente, projekt i profesorit turk

Në Gjermani u bë testimi i parë i rrugës inteligjente për projektin e makinave autonome, në krye të së cilës ndodhet profesori turk nga Universiteti Teknik i Berlinit, Sahin Albayrak.

Në ceremoninë e fillimit të testimit të organizuar në sheshin “Ernst-Reuter” të kryeqytetit Berlin, morën pjesë edhe ambasadori i Turqisë, Ali Kemal Aydin, ministri i Transportit të Gjermanisë, Andreas Scheuer, Kryeministri i landit të Berlinit, Michael Muller dhe një numër i madh i mysafirëve të ftuar.

Vozitja e parë në etapën e gjatë 3,6 km, që shtrihet mes Portës historike “Brandenburg” dhe sheshit “Ernst-Reuter” e që përfshin edhe bulevardin “17 Qershori”, u realizua nga ministri Scheuer, Kryeministri Muller dhe profesori Sahin Albayrak.

Në fjalën e mbajtur gjatë këtij aktiviteti ministri Scheuer tha se kur është zgjedhur për herë të parë si deputet para 17 vjetësh ai nga Bavaria kaloi në Berlin, ku ka patur vështirësi të mëdha për shkak të trafikut të ngjeshur.

Scheuer e krahasoi profesorin Albayrak, të cilin e vlerësoi lartë, me personazhin e “Q”-së, që është drejtor teknik i shërbimit të inteligjencës në filmat e James Bond-it. Ministri falënderoi Albayrak dhe ekipin e tij dhe theksoi se projekti është një nga vizionet e ardhshme të Gjermanisë.

Në projektin e rrugës inteligjente, më shumë se 100 sensorë dhe kamera janë vendosur në rrugën e gjatë 3,6 kilometra dhe të gjitha të dhënat e siguruara i transmetohen makinës.

Me anë të këtij sistemi, makinat që kërkojnë një vend parkimi, orientohen në hapësira boshe, ndërsa kanë mundësinë edhe për të rezervuar vendet e parkimit.

Sistemi mund të masë ndotjen e ajrit ose dendësinë e trafikut të shkaktuar nga fluksi i makinave.

Planifikohet që kur të përfundojë projekti, automjetet të jenë në gjendje të lëvizin të sigurt pa shofer./TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne