Bota

Besimtarët e vendeve të rajonit falin namazin e Natës së Kadrit

Besimtarët muslimanë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë sonte kanë falur namazin e Natës së Kadrit, e cila është një nga netët më të rëndësishme të kalendarit islam dhe sipas mësimeve islame konsiderohet më e vlefshme se një mijë muaj, raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo natë është në dhjetë ditët e fundit të muajit të Ramazanit, muaji më i rëndësishëm i kalendarit islam i cili është në përfundim. Sikurse në të gjitha vendet e botës, edhe në vendet e rajonit pjesa dërmuese e besimtarëve këtë natë e kalojnë në lutje dhe adhurim, lexim të Kur’an-it, si dhe qëndrim në xhami.

Në vende të ndryshme kjo natë shënohet me programe dhe aktivitete të ndryshme.

Në Shkup, ndër xhamitë e mbushura me besimtarë muslimanë që bashkërisht të falin namazin e teravisë dhe atë të Natës së Kadrit, ishte edhe xhamia e Mustafa Pashës. Në këtë xhami ishte organizuar edhe një program nga ana e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut.

Para faljes së namazit, besimtarët patën mundësi të lexojnë Kur’an, si dhe të ndjekin ligjëratë për vlerat dhe rëndësinë e kësaj nate të madhe.

Nata e Kadrit ka mbledhur së bashku qindra besimtarë edhe nëpër xhamitë e kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë. Qindra besimtarë kanë falur namazin në Xhaminë e Tabakëve në Tiranë, ndërkohë që patën mundësi të lexonin edhe Kur’an-in dhe të ndiqnin ligjëratë.

Gjithashtu edhe xhamitë në qytetet e tjera të Shqipërisë janë mbushur me besimtarë për të falur namazin dhe uruar njëri-tjetrin për këtë natë të bekuar.

Po ashtu edhe shumë besimtarë në qytetet e Kosovës së bashku kanë falur namazin e Natës së Kadrit. Në Prishtinë, xhamia “Sulltan Mehmet Fatih” apo Xhamia e Madhe u stërmbush me besimtarë të shumtë që faleshin edhe jashtë xhamisë, në dy ballkonet e saj dhe në oborr. Namazi në pritjen e Natës së Kadrit ishte me lexim të sureve të Kur’an-it më të gjata se zakonisht.

Natën e Kadrit apo natën e përcaktimit të fatit e bën posaçërisht të rëndësishëm fakti se në të ka filluar shpallja e Kur’anit në të cilën është përshkruar vlera e saj e vërtetë. Kjo natë është quajtur kështu pasi besohet se këtë natë përcaktohen dhe shkruhen fatet e të gjitha krijesave të Zotit të Madhërishëm për vitin që vjen./AA

OPINIONE