Betonizohen zbulimet arkeologjike të periudhës romake tek “Veliera”

VËZHGIM/

Është mbuluar me beton një nga strukturat e zbuluara nga sondazhet arkeologjike, pas nisjes së zbatimit të projektit “Veliera”, në qytetin e Durrësit. Shtresat e betonit kanë mbuluar sondazhin numër 3, që sipas Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë (KKA), struktura është një “pilastër romak” (që shërbente për mbajtjen, përforcimin e murit, ku supozohet prania e një porte).

Nga gërimi i arkeologëve doli në dritë kjo strukturë, që është vijim i murit rrethues të qytetit, i cili i përket shekullit II, pas lindjes së Krishtit. E megjithatë ky sondazh nuk u krye i plotë sepse nevojitej të gërmohej edhe pjesa e rrugës, që ishte e pamundur si pasojë e kalimit të automjeteve mbi të.

Arkeologët i kanë përfunduar sondazhet prej disa muajsh dhe raporti mbi zbulimet arkeologjike është përfunduar. Por duket se kjo periudhë e gjatë nuk ka qenë e mjaftueshme që KKA-ja të merrte një vendim përfundimtar mbi këtë projekt.

Çfarë thotë firma që po zbaton projektin?

Përfaqësues të saj u shprehën për Amfora.al se disponojnë një vendim të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, që thotë se do të lihen disa gropa (dritare me xham) për të parë strukturat e mbuluara.

Por këto dy hapësira ngjasojnë tërësisht si “puseta” dhe pozicioni i tyre përveç se është larg strukturës së betonizuar, nuk lejon shikimin brenda saj.

Ndërsa Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë zyrtarisht nuk ka bërë publik asnjë vendim të tij mbi këtë pretendim të firmës private dhe hera e fundit kur KKA-ja ka publikuar një vendim, është muaji Maj. Po ashtu burime të Amfora.al pohuan se nuk ka asnjë vendim që e jep këtë udhëzim.

Por në mbledhjen e fundit KKA-ja ngarkoi Këshillin Kombëtar të Restaurimeve që (pa cënuar vendimin e Gjykatës Administrative Durrës) të shikonte mundësinë e ruajtjes së strukturave të zbuluara. Konkretisht:

  1. Bastioni fortifikues i qytetit, ndërtim i shekullit XVII;
  2. Ngrehina e periudhës osmane e shekullit XIX, e ripërdorur si Konak i Princ Vidit, në vitin 1913;
  3. Pilastri romak në sondazhin nr. 3 (në afërsi të pallatit “Fly”);
  4. Strukturat e zbuluara në sondazhin nr. 4 (pranë Bulevardit “Epidamn”);

Dhe në fund vendimi i marrë duhej të kalonte për vendimarrje në KKA. E teksa nuk ka një vendim të publikuar së paku në faqen zyrtare të KKA-së, firma private që po zbaton projektin e bashkisë Durrës prej 8 muajsh, ka vijuar betonzimin e strukturave të shekullit II, pas lindjes së Krishtit.

Por jo vetëm! Pranë sondazhit nr.4, ku gjendet edhe një pjesë e murit rrethues të qytetit (mbuluar me çakull) një punëtor i firmës ka “copëtuar” një strukturë muri me tulla dhe llaç (i ngjashëm me murin rrethues), pa praninë e arkeologëve.

Por ky betonizim nuk ndodh pa dijeninë e bashkisë Durrës. Mjafton të përmendim faktin se në pallatin që ngrihet aty ngjitur, jeton kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.

Betonizohen “vendimet e gjykatave”

Gjykatat, prokuroria dhe përmbarimi janë treguar të paaftë për zbatimin e vendimeve të tyre;

Me datë 3 mars, Prokuroria e Durrësit kërkoi vendosjen e sekuestros preventive (të përkohshme) ndaj firmës që po kryente punimet në zonën e sipërme të projektit. Gjykata Administrative Durrës, me datë 16 shkurt, vendosi pezullimin e punimeve në pjesën e sipërme të projektit.

Me datë 24 shkurt, Zyra e Përmbarimit Durrës nxorri një urdhër që detyronte bashkinë Durrës, të ndërpriste punimet në “vendin ku janë gjetur zbulimet arkeologjike (sesioni i pallatit)”.

Urdhëri ishte afat lënie kohë ndaj bashkisë 5 ditë, e ndërkohë që kaluan 4 ditë nga lëshimi i tij, punimet dhe pompat e betonit nuk ndalën së punuari edhe përgjatë orëve të mbrëmjes.

Por bashkia Durrës e apeloi vendimin e gjykatës dhe me 25 datë prilll, Gjykata e Apelit Durrës la në fuqi vendimin për “Pezullimin e punimeve në zonën arkeologjike A”.

Çfarë thonë institucionet?

Amfora.al kontaktoi disa prej drejtuesve përgjegjës të institucioneve të kulturës, të cilët kërkuan që t’i drejtoheshim në mënyrë zyrtare për rastin, duke nënkuptuar se nuk ka një vendim nga KKA-ja që e legjitimon këtë betonizim të strukturave arkeologjike.

Megjithatë për rastin në do t’i drejtohemi zyrtarisht të gjitha institucioneve të kulturës dhe do të raportojmë në vijim.

Sa ligje janë shkelur?

  1. Vendimi i Gjykatës Administrative Durrës, për pezullimin e punimeve në zonën e sipërpërmendur;
  2. VKM-ja e vitit 2011-të, “Për administrimin e zonës arkeologjike A dhe B në qytetin e Durrësit”, që nuk lejon ndërtimet në zonën arkeologjike A;
  3. Ligji “Për trashëgiminë kulturore”, që ndalon vazhdimin e punimeve pas gjetjes së gjurmëve apo objekteve me vlerë arkeologjike dhe etnografike;

Por përveç ligjit, qytetarët durrsakë dhe jo vetëm, protestuan rreth 4 herë, me një kërkesë të vetme, “mbrojtjen e zbulimeve arkeologjike tek sheshi “Veliera”, me një kosto rreth 6 milion dollar. Grupimi qytetar-rinor “Aktiv për Durrësin” ka qenë faktor kyç në zhvillimin e këtyre protestave  dhe ka denoncuar dhe vijon të paraqes shkeljet në këtë projekt të bashkisë Durrës dhe jo vetëm.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne