BIK-u organizon për të tretin vit me radhë shkuarjen në umre

Bashkësia Islame e Kosovës për të tretën herë me radhë organizon shkuarjen në vendet e shenjta, Meke dhe Medinë për të kryer umren.

Grupi prej 50 besimtarësh këtë të enjte do të niset për në vendet e shenjta dhe për këtë ngjarje zëvendësdrejtori i drejtorisë për Haxh në BIK, Fitim Gashi, bën të ditur për Ekonomia Online se i kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura.

“Në ditën e enjte në mëngjes do të nisemi një grup për ta kryer umren. Jemi përafërsisht 50 vetë dhe i kemi bërë të gjitha përgatitjet, përfshirë rezervimin e hoteleve, vizat. Është kryer edhe procesi i vaksinimit Është viti i tretë që kemi filluar me organizimin e umres, pra prej vitit 2017. Kemi pasur nga 3 deri 4 umre për vit. Tash jemi në vitin e tretë dhe çmimi varion, pasi dy vitet e fundit kemi pasur një çmim standard që e kemi mbajt, varësisht prej dhomave. Dhoma me dy shtretër ka qenë 1200 euro për person, ajo me tre shtretër 1150 dhe me 4 1100 euro”, thotë ai.

Por këtë vit çmimi për të kryer pelegrinazhin e umres do të jetë më i shtrenjtë, pasi që shërbimi për pajisje me viza ka shënuar ngritje të çmimit.

“Ndërsa sivjet meqenëse i kanë shtrenjtuar shërbimet për pajisje me viza. Aty përfshihet edhe sigurimi shëndetësor e që është diku për 200 euro më shumë. Për këtë arsye këtë vit dhoma me dy shtretër është 1350 euro, ajo me 3 shtretër 1300 euro dhe me 4 persona 1250 euro”, thotë ai.

Gashi tregon edhe për itinerarin e kësaj ngjarje. Bën të ditur se atje do të qëndrojnë deri më 7 janar, kur edhe do të përfundojë ceremonia e kryerjes së umres.

“Si zakonisht shkojmë në Medine për arsye se është më lehtë. Kur shkojmë fillimisht në Medine pastaj ihramet i veshim duke shkuar prej Medinës për Meke. Në Medine do të qëndrojnë rreth 4 ditë dhe pastaj do të nisemi për Mekë dhe atje do të qëndrojmë diku deri më 7 janar. Pra nisja është me 26 dhjetor prej këtu. Diku deri më 31 dhjetor do të jemi në Medine, ndërsa deri më 7 janar do të qëndrojmë në Mekë dhe nga Xhide do të kthehemi në Stamboll dhe prej Stambolli në Prishtinë”, thotë ai për eo.

Umreja është një ngjarje me vlerë të madhe për besimtarët, andaj Gashi thotë se të gjithë ata që kanë mundësi financiare është mirë që ta kryejnë këtë pelegrinazh.

“Umreja është një ceremoni fetare vlera e të cilës është shumë e madhe, duke nisur nga ajetet e Kuranit dhe hadithet e Pejgamberit a.s. Për të gjithë ata që kanë mundësi është mirë që ta kryejnë umren, pasi Muhamedi a.s. e ka krahasuar umren edhe me Haxh, e në veçanti në Ramazan, sepse umre nënkupton të shkosh në Qabe të bësh tavafin rreth Qabesë, vrapimin mes dy kodrave Safa dhe Marva, kjo është ajo që nënkupton umrenë. Është normal që të shkosh tek ‘Shtëpia e Zotit’ – Qabe është sevap i madh”, përfundon ai.

Umre është pelegrinazh i muslimanëve në Mekë. Muslimanët mund ta bëjnë umren në çdo kohë, në kontrast me Haxhin i cili bëhet në një muaj të caktuar.

Në gjuhën arabe, Umre do të thotë “vizita e një vendi të popullarizuar”.

Në Sheriat, Umre do të thotë bërja Tavaf rreth Qabes dhe Sai mes Safa dhe Marva, që të dyja bëhen pas veshjes së Ihramit./mesazhi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne