Bilanc tragjik në plazhe/ Dy viktima, njëri në Velipojë dhe tjetri në Gjirin e Lalzit

Dy persona kanë humbur jetën në plazhet shqiptare ditën e djeshme në Velipojë dhe në Gjirin e Lalzit duke e çuar në 11 numrin e viktimave këtë sezon turistik. Në Velipojë humbi jetën Ervid Palaj nga fshati Dajç i Shkodrës, i cili ishte duke pushuar bashkë me të fejuarën. Disa burime thonë se ka qenë kjo e fundit e cila është futur në ujë dhe rrezikonte të mbytej nga dallgët të forta. Palaj ka nxituar për t’i ardhur në ndihmë, por në luftë me dallgët dhe detin e trazuar ai është mbytur vetë. Edhe pse është tentuar t’i jepet ndihma e parë nga pushuesit e tjerë, 30-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë. Mësohet se partnerja është shpëtuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa fati është treguar i pamëshirshëm për të fejuarin e saj, Ervid Palaj i cili bëhet kështu viktima e tretë që humb jetën në plazhin e Velipojës.

Tjetër viktimë në Gjirin e Lalzit
Ndërsa pasditen e djeshme është shënuar edhe viktima e dytë. Ai është Fatjon Alixheja. 18-vjeçari u nxor nga uji në gjendje të rëndë rreth orës 17:00 nga pushuesit në Gjirin e Lalzit dhe u dërgua me shpejtësi në spital, por nuk mundi që të mbijetonte, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve. I riu nga Tirana kishte shkuar me familjen për të kaluar fundjavën në Gjirin e Lalzit, por pasdite është parë nga pushuesit mbi ujë me shenja jete, por në gjendje të rëndë. Pushuesit e nxorën nga uji dhe lajmëruan ambulancën me shpejtësi duke e dërguar në spital, por 18-vjeçari humbi jetën, pasi parametrat jetësor ishin shumë të dobët. Dy viktimat e çuan në 11 numrin e viktimave në të gjitha plazhet e vendit këtë sezon.

Pavarësisht masave të marra nga autoritetet, plazhet shqiptare vijojnë të prodhojnë viktima në radhët e pushuesve çdo sezon turistik si rrjedhojë e mungesës së sigurisë. Një handikap i vjetër është ai i mungesës së rojeve të plazhit pavarësisht ngritjes së këtij shqetësimi vit pas viti dhe numrit tragjik të viktimave në radhët e turistëve vendas apo dhe të huaj.

Burimi: Shqiptarja.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne