Kandidati i pavarur që ka marrë mbështetjen e opozitës për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama gjatë podakastit të tij, ku tha se opozita është e dëshpëruar që zgjedh për kandidat një aktor humori.
Përmes një postimi në Facebook, Binaj e cilëson kryeministrin si aktorin më të madh në Shqipëri.
“Aktori më i madh në Shqipëri është Edi Rama, që u merr 140 milionë Euro qytetarëve duke ” i bindur” se po bën incenerator pa vënë asnjë tullë! Prestigjiator”, shkroi Binaj në Facebook.
Gjatë podkastit të tij të dielën, Rama ironizoi përzgjedhjen e opozitës për kandidatin për kryebashkiak të Tiranës, duke e cilësuar Florjan Binajn “një aktor humori gjoja i pavarur” që ka bërë për të qeshur edhe Kongresin e PS duke imituar atë vetë.
Duke u ndalur te zgjedhjet për bashkinë e kryeqytetit, për të cilën ende nuk ka një datë, Rama tha se Florian Binaj po luan rolin e radhës, ndërsa zgjedhja e tij tregon dëshpërimin e kënetës, siç e quajti ai Partinë Demokratike.
“Këneta është kaq e dëshpëruar, sa për Tiranën ka nxjerrë një aktor humori në rolin e një kandidati gjoja të pavarur, që për vite të tëra i ka bërë për të qeshur të gjithë, madje edhe vetë Kongresin e Partisë Socialiste, ku ka ardhur njëherë për të luajtur rolin tim. Prandaj, nuk e gjykoj fare keq aktorin për rolin e ri që ka marrë, se aktorët këtë punë kanë, me role jetojnë. Por kush voton mua dhe Partinë Socialiste, do të votojë Ogertën, që t’i japë Tiranës drejtuesen e duhur dhe qeverisë partneren e duhur në krye të bashkisë, për të vazhduar punën transformuese për kryeqytetin e Shqipërisë 2030”, tha Rama./pamfleti
















