BINDJA DEMOKRATIKE prezanton Pavllo Shkarpën në Berat

Patozi: Ju kemi sjellë kandidatin dhe modelin më të mirë

Koordinatori i BINDJES DEMOKRATIKE, Astrit Patozi, tha dje në Berat se beson në një rezultat të mirë në zgjedhjet e 30 qershorit për kandidatët dhe për këshillat bashkiakë që përfaqësojnë këtë forcë politike në gjithë vendin.

Në një takim me banorë të qytetit, ai theksoi se forca e kësaj partie qëndron tek projekti i ri për shqiptarët, në kushtet e një kontrasti të thellë me vizionin e ndryshkur të forcave politike të vjetra.

Ne i kemi sjellë Beratit kandidatin e duhur dhe modelin më të mirë për administrimin e qytetit, dhe unë kam besim se beratasit do të dinë ta vlerësojnë, tha ai mes të tjerash.

Patozi tha se në këto zgjedhje për njerëzit është përherë e më e qartë se Rilindja e ka shpërdoruar votën e qyetarëve në gjithë Shqipërinë, duke u shndërruar në një qeverisje të korruptuar, problematike dhe abuzive. Sipas tij, kjo pamje është më e dukshme në Berat, ku e majta keqqeveris prej gati 20 vjetësh.

Berati nuk ka nevojë për fasadën e Edi Ramës, tha ai, i cili atë e ka si instrument për të manipuluar shqiptarët. Këtij qyteti nuk i duhet kartolina pas ndërtimit të shëtitiores apo pedonales, si i vetmi investim i Rilindjes në vitet e fundit. Por njerëzit kanë nevojë të jetojnë më mirë, të kenë më shumë vende pune dhe të mos e braktisin qytetin duke marrë rrugët herë jashtë vendit, e herë drejt qyteteve të tjera më të mëdha, kur nuk kanë mundësi të shkojnë në perëndim.

Fjalën në takim e mori edhe kandidati i BINDJES DEMOKRATIKE Z.Pavllo Shkarpa.

Partia ime është Berati, tha ai në fillim të fjalës së tij. Përveç shpalosjes së pikave kyçe të programit të tij për drejtimin e bashkisë Berat, Z.Shkarpa nuk la pa falenderuar edhe Z. Patozi për mundësinë dhe mbështetjen mjaft të madhe që i ka dhënë ai dhe BINDJA DEMOKRATIKE. Duke theksuar vlerat që kjo forcë e re politike mbart në filozofinë e saj, Z.Shkarpa i kërkoi të gjithë qyetarëve të Beratit ta votojnë në 30 Qershor kandidaturën e tij dhe gjithashtu të votojnë numrin 36 në fletën e votimit për Këshill Bashkiak, partinë BINDJA DEMOKRATIKE.

Në takim mori pjesë edhe inxhinieri i njohur Z.Xhevahir Ngjeqari i cili në fjalën e tij shprehu mbështetjen e tij për kandidatin Shkarpa dhe theksoi se Berati ka nevojë për projekte të cilat do i rrisin këtij qyteti perspektivën e zhvillimit. Fjalën në fund të takimit e morën edhe banorët të cilët trajtuan problematikat e mprehta të qytetit të Beratit dhe u shfaqën besimplotë për fitoren e Pavllo Shkarpës në zgjedhjet e 30 Qershorit.

Video e plote e takimit:

 

Burimi: bindjademokratike.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne