Biografia e Imam Ebu Hanife (Pjesa e 4-t)

Ftesa per tu bere Gjykates.

 

Një ditë prej ditëve Ebu Xha’fer El-Mensuri e fton Ebu Hanifen për ta caktuar gjykatës suprem, por Ebu Hanifja këtë ofertë nuk e pranon. Gjithashtu halifi nga ai kishte kërkuar që gjykatësve që u shfaqen probleme në procedurat gjyqësore të konsultohen me të, por Ebu Hanifja edhe këtë ofertë e refuzoi, kështu që Ebu Xha’feri atë e dënoi me rrahje dhe burgim ose sipas disave e ka dënuar vetëm me burgim.

 

Në librin “El-Menakib” të El-Muvefak El-Mekiut thuhet: Ebu Hanifes kur i ka ardhur koha që të shkojë në Bagdad i është ndryshuar fytyra, duke thënë: Ky më ka ftuar për detyrë që të më caktojë gjykatës. Ndërsa unë atij i tregova se nuk jam për atë detyrë edhe pse e di se argumenti i takon atij që dëshmon, ndërsa betimi atij që refuzon, kështu që për gjykatës nuk mund të jetë kush tjetër veç njeriut i cili do të jetë kundër atij, fëmijëve dhe komandantëve të tij. Ndërsa unë këtë nuk mund të bëj, sepse kur hyra tek ai nuk isha në vete gjersa u largova prej tij.

 

Ebu Xha’fer El-Mensuri i thotë: Pse nuk i pranove dhuratat e mia? Ebu Hanifja thotë: Unë i tregova shërbetorit se prijësi i myslimanëve nuk më ka dhuruar diçka nga pasuria e tij që atë të mos e kthej, por në qoftë se do të më kishte dhuruar diçka nga pasuria e tij sigurisht do ta kisha pranuar. Ndërsa ato që më ishin sjell mua nga prijësi i myslimanëve ishin prej pasurisë së arkës shtetërore të myslimanëve, kurse unë nuk kam pjesë në pasurinë e tyre nga arka shtetërore, ngase nuk jam prej atyre që luftojnë, e të marrë atë që u takon luftëtarëve. Gjithashtu nuk jam prej fëmijëve të tyre nga ajo që u takon dhe marrin fëmijët e tyre, po ashtu nuk jam nga të varfërit që të marrë atë që u takon të varfërve. Ebu Xha’feri El-Mensuri thotë: Atëherë prano që të vinë gjykatësit për atë çka do të kenë nevojë për ty. Ebu Hanifja gjithashtu refuzoi që të caktohet gjykatës, sepse Ebu Hanifja atë e shihte punë të rrezikshme, ndoshta për arsye që kishte frikë për veten për t’u ballafaquar me të. Po ashtu ai refuzoi edhe konsultimin e gjykatësve me të, sepse kur të paraqitet ndonjë çështje gjyqësore ajo ishte si me dhënë vendim, ndërsa ai nuk dëshironte në asnjë mënyrë që të japë vendime. Ky refuzim i tij nuk ishte çështje e thjeshtë e refuzimit të caktimit për gjykatës, të konsultuarit e gjykatësve me të dhe refuzimin e dhuratave, por Ebu Hanifja nuk e përfilli aspak përfundimin e saj. Kurse Ebu Xha’fer El-Mensuri pas këtij refuzimi atë e burgosi dhe urdhëroi që të rrihet dhe se është rrahur me njëqind e dhjetë shkopinj. Ndërsa sa herë që rrihej i thoshin prano caktimin për gjykatës, ai thoshte: Nuk mundem, por kur u zgjatën rrahjet ai fshehtas u lutë duke thënë: “O Zot me fuqinë Tënde largo nga unë dëmin e tyre.” Kështu që një kohë shumë të shkurt pas kësaj lutje do të bisedojnë për gjendjen e vështirë të tij me Ebu Xha’fer El-Mensurin dhe do ta  lirojë atë nga burgu. Ebu Hanifja pas lirmit nga burgu qëndron në burgim shtëpiak dhe i ndalohet që të jep fetva, të ulet me njerëzit dhe të del nga shtëpia. Kurse kjo gjendje e tillë ka zgjatur deri në vdekje në vitin 150h./767m. Ebu Hanifja kishte lënë testament që të varroset në një tokë të lejuar e cila nuk është e uzurpuar, gjithashtu edhe në tokën në të cilën nuk do të mund që të shpif Ebu Xha’feri atë se atë e ka uzurpuar. Në lidhje me këtë transmetohet se Ebu Xha’feri kur ka dëgjuar këtë ka thënë: Kush do të më justifikoj për Ebu Hanifen duke qenë gjallë dhe i vdekur. Në namazin e xhenazes së juristit të Irakut (Fekihu’l-Irak) dhe Imamit më të madh (Imamu’l-A’dham) ka marrë pjesë tërë Bagdadi dhe supozohet se numri i atyre që kanë prezantuar në faljen e namazit të xhenazes ka qenë 50.000 vetë. Imami është varrosur në Bagdad.  



 

Lavderimet e bashkekohesve te tij per te.

 



Bashkëkohësi i Ebu Hanifes El-Fudejl bin Ijad ka thënë: “Ebu Hanifja ka qenë jurist (fekih) dhe i njohur për dituri të gjerë dhe të pasur, i njohur nga rrethi i tij për bujari, durimtar në mësim të diturisë tërë natën dhe ditën, zbukuronte netët me falje të namazit të natës, agjëronte shumë, shumë pak fliste edhe atë vetëm kur çështja kishte të bëjë me hallallin (të lejuarën) dhe haramin (të ndaluarën); ka qenë shumë i zgjuar që të sjell argumente të forta për të vërtetën”.

 

Xha’fer bin Er-Rebi’ thotë: “Qëndrova te Ebu Hanifja pesë vite dhe nuk kam parë njeri sikur ai që qëndronte në heshtje, por kur pyetej në lidhje me çështjet e fikhut menjëherë gjallërohej dhe fillonte të rrjedhë si lumë.”

 

Abdullah bin Mubareku (bashkëkohës i Ebu Hanifes) thotë: “Ebu Hanifja ka qenë truri i dijes (shkencës).”

 

El-A’meshi (bashkëkohës i Ebu Hanifes) thotë: Me të vërtetë Ebu Hanifja është fakih (jurist).

 

Muhadithi i njohur Ibn Xhurejxhi për të thotë: “Ky në të ardhmen do të jetë njeri mahnitës, por kur u rritë dhe filloi të përmendet ai, tha: Ky me të vërtetë është fakih, ky me të vërtetë është fakih.”

 

Gjithashtu disa dijetarë bashkëkohës për të kanë thënë: “Sikurse ai (Ebu Hanifja) nuk e ka njohur askush hadithin, ngase ai i nxirrte shkaqet e dispozitave që ngërthenin nga shprehjet dhe lidhshmëritë e tyre që ishin të përafërta me thëniet dhe se nuk ngelte vetëm me kuptimin literal (kuptimin sipërfaqësor) të hadithit, por, me kuptimin e vërtetë të saj që përmbante hadithi. Nga kjo kështu që nxirrte shkakun dhe ndërlidhte me çështjet të cilat ishin të ndërlidhura njëra-tjetra dhe të ngjashme, pastaj për to jepte vendim. Kështu që dispozitën e njohur e konsideronte bazë për ato çështje të ngjashme për nga kuptimi.” 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne