Bisedimet për Qipron përfundojnë pa rezultat

Konferenca për zgjidhjen e çështjes së Qipros që zgjati dhjetë ditë në qytetin zviceran Crans-Montana ka përfunduar pa e arritur qëllimin, ka thënë ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu.

“Fatkeqësisht, takimi i dytë i Konferencës për Qipron që filloii në Crans-Montana më 28 qershor përfundoi pa rezultat”, ka theksuar Çavuşoğlu, duke shtuar se Turqia ka ofruar çdo kontribut për gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për ishullin qipriot.

Në diskutime morën pjesë lidërët qipriotë turq dhe grek, Mustafa Akinci dhe Nikos Anastasiadis, nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit special të Kombeve të Bashkuara (OKB) Espen Barth Eide, si dhe delegacionet e vendeve garantuese, Turqisë, Greqisë dhe Britanisë së Madhe.

Në takimin e fundit, të pranishëm ishin Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.

Ministri Çavuşoğlu tha se në 15 vitet e fundit, Turqia ka siguruar çdo mbështetje për gjetjen e zgjidhjes, edhe krahas faktit që pala greke ka refuzuar planin e Kofi Ananit në vitin 2004 në përpjekje për bashkimin e pjesëve të ishullit.

“E vlerësojmë rolin e palës qipriote turke gjatë këtij procesi, sepse ajo gjithnjë në bisedime ka bërë atë që ka pasur përsipër për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme dhe të drejtë”, shtoi Çavuşoğlu.

Shefi i diplomacisë turke më tej tha se mosarritja e rezultatit tregon për pamundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje brenda parametrave të misionit të vullnetit të mirë të OKB-së.

“Tanimë nuk ka kuptim që të këmbëngulet brenda këtyre parametrave”, theksoi ai.

“Po të kishte atmosferë pozitive, do t’i ftonim edhe kryeministrat”, potencoi Çavuşoğlu.

Çavuşoğlu më herët ka deklaruar se bisedimet nuk mund të zgjasin përgjithmonë dhe se ky cikël i bisedimeve do të jetë i fundit.

Pas takimit të djeshëm, edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, njoftoi se bisedimet kanë përfunduar pa rezultat.

Ndryshe, negociatat në Zvicër që filluan më 28 qershor dhe ishin vazhdim i konferencës për Qipron të mbajtur në Gjenevë më 12 janar. Çavuşoğlu atëherë propozoi që ekipi teknik menjëherë të fillojë me përgatitjen e propozimeve për zgjidhje të krizës, për të cilën dakord kishin rënë edhe delegacioni i Qipros Veriore dhe Britanisë, ndërsa ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias ishte shprehur se pala greke nuk është e gatshme për të dhe kishte braktisur negociatat.

Rifillimi i bisedimeve u bë i ditur herët në qershor pasi Guterres takoi krerët e Qipros Turke dhe Qipros Greke në New York.

Bisedimet kishin për qëllim ribashkimin e Qipros së ndarë në një njësi federale. Temat kryesore të bisedimeve në Zvicër ishin sistemi ekonomik në të ardhmen në Qipro, anëtarësimi në Bashkimin Evropian, shpërndarja e autoritetit dhe pushtetit, statusi ligjor i tokave, garancitë, sistemi i sigurisë dhe pronësia e burimeve publike.

Përpjekja e fundit për bashkimin e Qipros përfundoi pa sukses në vitin 2004, kur votuesit në Qipron jugore në një referendum refuzuan të pranojnë planin e propozuar nga ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan.

Ishulli i Qipros u nda në vitin 1974, me shpërthimin e një grusht shteti ushtarak në pjesën jugore greke të Qipros, e cila u shoqërua me një përpjekje për persekutimin e qipriotëve turq dhe kjo ishte arsyeja për ndërhyrje ushtarake të Turqisë si vend garantues i paqes në ishull.

Që atëherë u themeluan Qiproja e Jugut, e cila është anëtare e BE-së dhe Republikën Turke të Qipros Veriore. Turqia ka ruajtur prani ushtarake në ishull, si garantues i paqes dhe stabilitetit. Autoritetet aktuale të të dy pjesëve të Qipros dhe delegacionet e Turqisë dhe Greqisë janë duke punuar në krijimin e një plani për bashkimin e Qipros në një njësi federale./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne