Rajoni

Bizneset turke të interesuara për investime në Ulqin

Hyrja e Malit të Zi në NATO, shpejtimi i procesit të integrimeve në Bashkimin Evropian si dhe miratimi i planeve urbanistike të Komunës së Ulqinit, hapin mundësitë e tërheqjes së investitorëve të huaj.

Turqia ka qenë dhe mbetet partner strategjik për Malin e Zi. Në këtë republikë aktualisht janë dhjetëra biznese turke në disa sektorë të ekonomisë. Investitorët nga Turqia sipas Arsllan Hajdinaga, këshilltar për investime në kabinetin e kryetarit të Komunës së Ulqinit, gjithnjë e më shumë po tregojnë interesim për të investuar në këtë komunë. Ai flet për përparësitë e Ligjit për investime dhe ambientin tejet të përshtatshëm që i pret ata në komunën e Ulqinit. Në një intervistë ekskluzive për Zërin e Turqisë Z. Hajdinaga veçon sektorët për të cilët investitorët e huaj janë të interesuar, duke theksuar kryesisht sektorin e turizmit, ku ata mund të zbatojnë modelet e tyre të suksesit.

A.Hajdinaga: “Interesimi i investitorëve të huaj për Ulqinin është vazhdimisht në rritje. Këtu kanë ndikuar disa arsye. Arsyet më të rëndësishme që kanë ndikuar në kthimin e investitorëve janë: përfundimi i krizës financiare, e cila ishte aktuale në nivelin global prej vitit 2007-2009. Tani mund të themi se kjo krizë është kapërcyer dhe investitorët kanë filluar të interesohen për investime edhe jashtë kufijve të shteteve të tyre, pastaj Mali i Zi në maj të këtij viti ka hyrë në NATO dhe me këtë ka arritur një shkallë të lartë sigurie qoftë politike, por edhe asaj ekonomike dhe normalisht ndikon shumë edhe fakti që Mali i Zi është në fazën e finale të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, andaj mund të flasim për Malin e Zi si një destinacion stabil dhe që i mirëpret investitorët”.

Komuna e Ulqinit harton broshurën e investimeve për tërheqjen e investitorëve të huaj.

V. Katana: Ju si përfaqësuesi i Komunës së Ulqinit për investime të huaja merrini pjesë në panaire të ndryshme ndërkombëtare për sa i përket investimeve. Në cilat fusha janë më së shumti të interesuar investitorët e huaj?

A. Hajdinaga: “Komuna e Ulqinit është e vetmja komunë në Mal të Zi, e cila praktikon këtë mënyre të promovimit të investimeve. Ne kemi formuar një ekip, i cili merret me promovimin e investimeve, që kanë për qëllim të vetëm promovimin e investimeve, që konsiston në hartimin e materialit propagandues të investimeve dhe hartimi i broshurës, e cila përmbledh të gjitha informacionet dhe ç’do gjë që është e nevojshme për një investitor që vjen në Mal të Zi. Në këtë broshurë investitori i interesuar mund të marrë informatat e nevojshme për masat stimuluese që shteti dhe komuna ofrojnë për ta. Ndër investimet konkrete që ne i kemi definuar në këtë broshurë janë 17 llojesh. Ajo tani është në fazën e plotësimit duke rritur numrin e mundësive për investime. Ndër vendet kryesore, ku komuna e Ulqinit kërkon investitorë është toka e Mavrijanit “ Mavrijan Resort”, që ndodhet rreth 5 kilometra larg nga qendra e Ulqinit, ku me planet ekzistuese është paraparë të ndërtohet një resort i llojit dhe kualitetit të lartë. Pastaj edhe “Marina Port” me kapacitet prej 300 lidhjeve anijesh, e cila gjendet afër qytetit të vjetër të Ulqinit, tokat bujqësore në Shas dhe në Zogaj. Ne ofrojmë edhe truallin për turizëm në Plazhin e Madh, që mund të jetë shumë tërheqës për investitorët. Kemi po ashtu edhe lokacionet për ekoturizëm, hotele etj. Për të gjitha këto ne kërkojmë investitorë. Ekipi, të cilin e ka formuar komuna e Ulqinit për posë promovimit të investimeve, ka edhe rolin e asistencës teknike për investitorët, ku përcjell interesimet e tyre që nga fillimi e deri në fazën finale për informata dhe instruksione të nevojshme”.

Komuna e Ulqinin krijon ekip të specializuar për kontakte me investitorët.

V.Katana:Ju folët për atë se çfarë ofron komuna e Ulqinit dhe çfarë keni përfshirë në broshurën, të cilën ua ofroni investitorëve. Në cilat fusha konkretisht konsiston interesimi i investitorëve të huaj?

A. Hajdinaga: “Ardhja e investitorëve është gjithnjë e në rritje. Në këtë drejtim mund të përmend investitorët nga Franca, Turqia, e kjo falë edhe Ambasadave me të cilat ne bashkëpunojmë. Ndër investitorët francezë, të interesuar kemi grupin HUGAR, ku bashkëpunëtor i saj është një arkitekt i njohur në nivel botëror. Kjo sipërmarrje është e interesuar të investojë në Adën e Bunës. Sa i përket investitorëve nga Turqia kemi: “TavukÇuluk”, “Doğuş Grup”, “Polin”, “Hubteks” etj. Në këtë drejtim kemi bashkëpunim shumë të mirë me Ambasadën e Turqisë, e sidomos me atasheun ekonomike Znj. Fatma Derya Koç, e cila vazhdimit investitorët turq që janë të interesuar për Malin e Zi i drejton tek ne. Rasti më i fundit është ai i “Hubteks Grup”, që janë të interesuar për investime në fushën e bujqësisë. Tani jemi në fazën e negociatave dhe shpresojmë që së shpejti do të dalim me rezultate konkrete”.

Vlen të përmendet se kompanitë turke që janë të interesuara për investime në Mal të Zi mund të shfrytëzojnë përparësitë e asaj që Mali i Zi ka nënshkruar marrëveshje për tregtinë e lirë. Një e tillë ekziston edhe me Turqinë.

V. Katana:Çfarë mund të presim konkretisht në një të ardhme të afërt?

A. Hajdinaga: “Shumë prej investime janë në fazën fillestare, ku ne biem dakord për detaje, por nga ato që përmenda me të afërt kemi interesimin e Hubteks grupit për ngritjen e serave për prodhimin e bananeve. Edhe grupi Polin është një kompani turke që është e interesuar të ndërtojë Akua Park në Ulqin. Edhe ky projekt është në fazën finale, ku pritet përfundimi i studimit të lokacionit, i cili do të krijojë kushtet për fillimin e ndërtimit të tij . “Tavuk Çuluk” po ashtu është një kompani, e cila është e interesuar për prodhim bujqësor”.

Komuna e Ulqinit bashkëpunon frytshëm me të gjitha strukturat e prezencës turke në Mal të Zi.

V. Katana:Ambasada e Turqisë në Mal të Zi ka një afrimitet të veçantë sa i përket bashkëpunimit me komunën e Ulqinit. Ata përherë i drejtojnë investitorët e ndryshëm që të vijnë dhe të investojnë në Ulqin. Çfarë mund të na thoni për këtë bashkëpunim?

A. Hajdinaga: “Bashkëpunimi me të gjitha strukturat turke që veprojnë në Mal të Zi është në nivel të lartë. Turqia këtu është e pranishme jo vetëm me Ambasadën, por edhe me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim ndërkombëtar, TIKA, pastaj edhe me Institutin “Yunus Emre”. Unë personalisht kam bashkëpunim më të dendur me zyrën ekonomike për tërheqjen e investitorëve nga Turqia në Ulqin, prandaj mund të them se turqit në Mal të Zi shohin një ambient të favorshëm për investime sepse ekzistojnë një sërë masash stimuluese, që kjo republikë u ofron investitorëve, siç janë përparësitë në tatimin mbi fitimin, punësimin, taksës komunale për rregullimin hapësinor etj.”./ trt