Bizneseve prodhuese u mbarojnë likuiditetet, 83% nuk paguajnë dot detyrimet; 65% të pakënaqur me paketën ndihmëse të qeverisë

83% e bizneseve prodhuese pohuan se nuk kanë likuiditet të mjaftueshëm për të paguar detyrimet, si rrjedhojë e rënies së ndjeshme të të ardhurave, sipas një Sondazhi që Bashkimi i Prodhuesve realizoi me 100 anëtarë të e tij. Po rreth 80% e bizneseve pohojnë se ata mund të paguajnë pagat për punonjësit e tyre edhe për maksimumi dy muaj.

Ndonëse kanë probleme likuiditeti dhe pamundësi për të paguar pagat, pjesa më e madhe e tyre (57%) pohojnë se nuk kanë në plan që të aplikojnë për të përfituar nga garancia sovrane. Ndihma e qeverisë nuk shihet funksionale, me 65% që raportojnë se nuk janë të kënaqur me të.

Ky është sondazhi i dytë që zhvillohet nga Bashkimi i Prodhuesve dhe në raport me të parin, që u realizua në datat 2 dhe 3 prill, konstatohet që ka një përkeqësim të pritshmërive të prodhuesve, që është e lidhur me kohëzgjatjen e krizës dhe pasiguritë që lidhen me të. 76% e bizneseve thanë se nëse vazhdon kjo situatë mund të rezistojnë maksimumi dhe 2 muaj, nga rreth 70% që ishte përgjigja e të anketuarve në sondazhin e parë.

90% e të anketuarve e konsiderojnë ndikimin e pandemisë në aktivitetin e tyre si negativ/ ose shumë negativ. Pjesa tjetër e konsideron si mesatar dhe asnjë nuk rezulton si përfitues nga kriza.

Tre problemet kryesore që po përballen bizneset prodhuese janë: Mungesa e likuiditetit, Mungesa e klientëve, Ulja e prodhimit. Mungesa e likuiditetit u raportua si problem nga 84% e të anketuarve. Mungesa e klientëve ishte shqetësim për 65% të tyre dhe rënia e prodhimit ka prekur 62% të të anketuarve.

63% e të anketuarve thanë se të ardhurat e tyre kanë rënë më shumë sesa 50% gjatë muajit mars. Pritshmëria vijon të mbetet edhe më pesimiste edhe për prillin dhe majin, ku bizneset presin që tkurrja e arkëtimeve të tyre të thellohet. Përkatësisht 72 dhe 73% e të anketuarve presin që të ardhurat e tyre të bien më shumë se 50% në muajt prill dhe maj.

Në raport me sondazhin e parë, të realizuar në fillim të muajit prill, pritshmëritë janë me negative. Në fillim të muajit prill, 55% e bizneseve prisnin përgjysmim të shitjeve ose më shumë, përkundrejt 72% që rezulton tre javë më vonë.


Në fillim të vitit, sipërmarrësit raportuan se ata prisnin që shitjet në 2020-n të rriteshin me 13% në raport me faktin 2019.

Por, pas shpërthimit të krizës së Covid-19, pritshmëritë kanë ndryshuar tërësisht. Bizneset presin tashmë që të ardhurat e tyre të bien me rreth 30% në raport me faktin 2019, ndërsa janë 37% më të ulëta se parashikimet fillestare.

Pyetjes nëse vazhdon ky bllokim, edhe për sa muaj mund ta mbani hapur aktivitetin, të anketuarit iu përgjigjën:

45% e kompanive deklarojnë se mund të mbajnë hapur aktivitetin e tyre për vetëm 1 muaj. 31% e kompanive deklarojnë se mund të mbajnë hapur aktivitetin e tyre për vetëm 2 muaj. 24% e kompanive deklarojnë se mund të mbajnë hapur aktivitetin e tyre për më shumë se 3 muaj;

Pagat e punonjësve

Bazuar ne përgjigjet e 100 pjesëmarrësve, numri total i vendeve të punës që janë mbyllur tashmë deri në datën 10 Prill, është 3,662, ku disa ndërmarrje raportojnë edhe mbi 200 të shkurtuar.

Anulimi i kontratave dhe mosgjetja e kontratave të reja i ka vënë bizneseve përballë rënies së të ardhurave dhe likuiditeteve. 61% e të anketuarve pohuan se kanë pasur anullime të kontratave dhe porosive për muajt në vijim. 85% pohuan se nuk kanë pasur porosi të reja të kontratave.

Si rrjedhojë, bizneset po hasin probleme me pagat e punonjësve të tyre. Pjesa më e madhe (53%) thanë se nëse vazhdon kjo situatë mund të përballojnë të paguajnë pagat dhe maksimumi për 2 muaj. 5% që tani janë dorëzuar dhe nuk kanë mundësi për të paguar punonjësit.


Vlerësimi i paketës së masave të qeverisë

Qeveria ka hartuar dy paketa për mbështetjen e ekonomisë. Në paketën e parë fokusi ishte te biznesi i vogël, ndërsa për të madhin u miratua një fond garancie prej 11 miliardë lekësh që mund të përdornin sipërmarrjet që kishin problem me pagat e punonjësve. Në paketën e dytë, krahas mbështetjes për biznesin e vogël u zgjerua fokusi në pagesën e punonjësve të disa sektorëve, si call center, fason e turizëm, që i kishin larguar punonjësit deri në 10 prill.

Por, sipërmarrjet prodhuese ndihen të lënë mënjanë nga mbështetja e qeverisë.

65% e tyre thanë se janë të pakënaqur me paketën e ndërhyrjes në ekonomi të qeverisë për përballjen e pandemisë Covid-19 dhe 27% e tyre janë të kënaqur në një farë mase. Rreth 45% e të anketuarve mendojnë se masat ofrojnë lehtësim shumë të kufizuar ndaj vështirësive të biznesit, ndërsa 55% mendojnë se masat nuk sigurojnë aspak lehtësim për vështirësitë e biznesit.


Sondazhi

Në anketim morën pjesë rreth 100 biznese, anëtarët të Shoqatës së Prodhuesve, 90% e të cilëve janë të kategorisë VIP dhe biznes i madh. 69% e të anketuarve kishin mbi 50 punonjës. 805 e tyre janë eksportues. Kompanitë e anketuara ushtrojnë aktivitet në katër sektorë kryesorë prodhues:

Ushqime dhe pije -11.5%, Materiale Ndërtimi – 14.1%, Riciklim, Plastikë, metale, karton – 26.9%, Tekstile dhe Lëkurë – 47.4%.

/MONITOR

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne