Biznesi i vogël, më i godituri nga pandemia, çfarë pritet të ndodhë me qiratë e apartamenteve

Pas tërmetit të 26 nëntorit, çmimet e qirave, veçanërisht të apartamenteve të banimit shënuan rritje, për shkak të ofertës të lartë. Me shfaqjen e pandemisë së koronavirusit, çmimet e qirave të apartamenteve dhe bizneseve aktualisht kanë “ngrirë”, shprehen ekspertët, për shkak të karantinës dhe kufizimit të lëvizjeve. Pas zhbllokimit të lëvizjeve, atë çka tregu imobilar pohon me siguri është ndryshimi i çmimit të qirave për godinat e aktivitetit tregtar.

Ylli Sula parashikon se çmimet e qirave të biznesit të pësojnë ulje me heqjen e kufizimeve të lëvizjeve. Dy janë arsyet që do të ndikojnë te rënia e çmimeve të dyqaneve, efektet negative të krizës te biznesi i vogël dhe pasiguria për të rinisur aktivitetin.

“Tregu i qirave do të ketë ecuri dinamike. Pas tërmetit të 26 nëntorit, qiratë e apartamenteve shënuan rritje me 15%, ku mund të thuhet se kjo situatë u shfrytëzua nga shumë pronarë. Goditja më e madhe, e cila po ndihet aktualisht, është te çmimi i ambienteve për aktivitet ekonomik, sidomos te biznesi i vogël, i cili është më i godituri. Biznesi i vogël është ende i pasigurt nëse do të rifillojë aktivitetin. Besoj se çmimi i qirave të ambienteve për biznes të vogël do të pësojë ulje. Për momentin, rënia ende nuk është reflektuar, pasi ka një ‘ngrirje’ të tyre për shkak të kufizimit të lëvizjes”, sipas zotit Sula.

Kërkesat e qirave janë reduktuar në numër, por çmimet nuk kanë ndryshuar në këtë kohë të pandemisë – thotë zonja Nela. “Pritshmëritë janë të shumta për uljen e qirave sidomos të ambienteve për biznes.”

Operatorët e tregut të pasurive të patundshme pohojnë se në këtë periudhë nuk ka pasur, por ka ndodhur që shumë qytetarë kanë lënë banesat me qira, sidomos ato me çmim 25 mijë deri 30 mijë lekë. Zonja Ilda Zaloshnja, nga “The Point”, jep si arsye kryesore të lënies të shtëpive me qira nga ky target klientele fillimisht pamundësinë për të paguar qiranë, si dhe kthimin e studentëve në vendlindje, për shkak të mbylljes të universiteteve.

Në fillim të muajit prill, për shkak të gjendjes të jashtëzakonshme, qeveria miratoi aktin normativ ku të gjithë qiramarrësit individë dhe bizneset me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë, nuk do të paguajnë detyrimin për dy muaj, prill dhe maj.

Shlyerja e detyrimeve të prapambetura për këta dy muaj do të paguhet nga qiramarrësi në mënyrë proporcionale të rënë dakord me qiradhënësin pas muajit maj. Aktualisht, agjencitë imobilare vërejnë se vendimi i qeverisë për shtyrjen e pagesave të qirave për individët dhe bizneset është zgjedhur me marrëveshje midis palëve. “Ka qenë një ndarje gjysmë për gjysmë e qirasë për muajin prill. Në disa raste, të cilat janë sinjalizuar te ne, ose edhe është falur ndonjë muaj”, shprehet zonja Zaloshnja./Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne