Biznesi turk në Shqipëri operon sot me rreth 500 biznese

Kryetari i Unionit Turk të Odave dhe Bursave (TOBB), Rifat Hisarcıklıoğlu dhe delegacioni që kryesonte realizoi një takim me ministren e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Anila Denaj, ku u diskutua për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë, shkëmbimin e eksperiencave dhe mundësitë e investimeve në Shqipëri.

Pas takimit, ministrja Denaj tha se kjo vizitë është shumë e mirëpritur për disa arsye, sepse siç theksoi ajo, së pari Unioni i Dhomave të Shqipërisë ka një dritare partneriteti për të mësuar nga dhomat e biznesit në Turqi për mënyrën e operimit të tyre dhe fuqizimit në të ardhmen, ndërsa së dyti për mënyrat e bashkëpunimit në të ardhmen.

Denaj theksoi se synojnë që në vitin në vijim, duke filluar nga muaji shkurt ose mars, të kenë mundësinë e krijimit të një platforme komunikimi të bizneseve turke dhe shqiptare për marrëdhëniet e drejtpërdrejta.

“Bizneset turke mund të vijnë në Shqipëri dhe të shikojnë oportunitetet që ka Shqipëria në disa sektorë të rëndësishëm. Unë e njoftova zotin Rifat se kush janë sektorët tanë shumë të rëndësishëm dhe me potencial zhvillimi ekonomik, ende të pashfrytëzuar 100 për qind siç është turizmi, agropërpunimi, pjesa e manifakturës dhe mbi të gjitha industria tekstile që në rastin e Turqisë ka shumë për të na mësuar sesi mund të fuqizohet dhe të krijojë një platformë shumë të madhe të rritjes së punësimit në Shqipëri“, theksoi Denaj.

Ajo u shpreh se pjesë e diskutimeve ishte adresimi i çështjeve dhe problematikave që ka biznesi turk në Shqipëri, që operon sot me rreth 500 biznese, që sipas saj, marrin zgjidhje. Denaj shtoi se përfaqësuesit e Qeverisë së Shqipërisë angazhohen që çështjet e problematikave të bizneseve turke të zgjidhen në kohë.

“Politikat stimuluese të Qeverisë së Shqipërisë janë aktualisht në ofertë për të gjithë investitorët e huaj dhe pse jo ato turq që sigurisht duke parë edhe afrimitetin e dy popujve dhe eksperiencat e deritanishme mund ta shfrytëzojnë edhe më shumë. Folëm për turizmin, si një nga fushat kryesore ku dhe stimujt prej disa vitesh janë duke u shfrytëzuar me disa investitorë, kryesisht vendas, por jo vetëm”, u shpreh Denaj.

Ndërsa, kryetari i Unionit Turk të Odave dhe Bursave (TOBB), Rifat Hisarcıklıoğlu, tha se me ministren Denaj realizuan një takim tepër të dobishëm.

Ai tha se ishte vendosur që të organizohej forumi i biznesit midis biznesit turk dhe atij shqiptar, por ky takim nuk u realizua për shkak të tërmetit në Shqipëri dhe sipas tij pritet të realizohet së afërmi.

“Ministrja na bëri një paraqitje mjaft të mirë për objektivat kryesorë për nxitjen e investimeve strategjike në Shqipëri. Ne u informuam gjerësisht në mënyrë që bota e biznesit turk të krijojë një ide sa më të mirë për mundësitë, për investimet strategjike që mund të bëjmë këtu në Shqipëri. E ardhmja e Shqipërisë është tepër e shkëlqyer. Bota e biznesit turk dëshiron që të jetë këtu në Shqipëri bashkë me vëllezërit dhe motrat tona shqiptare”, theksoi ai.

Duke e konsideruar si të rëndësishme Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Dhomave të Ballkanit, ai tha se gjatë vizitës u nënshkrua marrëveshja për krijimin e forumit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi, që është nënshkruar ndërmjet UCCIAL dhe TOBB.

***

-Në Tiranë u mbajt Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Dhomave të Ballkanit, mori pjesë edhe Turqia

Në fokus të aktivitetit të organizuar nën kujdesin e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, ishin diskutimet mbi çështjet e arsimit profesional, dixhitalizimi i shërbimit të dhomave dhe bashkëpunimi ekonomik mes dhomave të tregtisë nga vendet e Ballkanit.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük si dhe përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe industrisë të vendeve të Ballkanit.

Në fjalën e saj, ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Anila Denaj, tha se aktiviteti për Shqipërinë është i veçantë, pasi sipas saj përfaqëson edhe kryesinë për vitin 2019 të Asamblesë së Dhomave të Tregtisë së Ballkanit.

Sipas Denajt, Ministria e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë është një institucion që e ka kuptuar më së miri që marrëdhënia dhe dialogu me biznesin është kyç për të zhvilluar ekonominë dhe për të çuar përpara zhvillimet, të cilat sipas saj në ditët e sotme janë komplekse.

Ndërsa, kryetari i Unionit Turk të Odave dhe Bursave (TOBB), Rifat Hisarcıklıoğlu, në fjalën e tij tha se Turqia ka punuar dhe do të punojë fort bashkë me Shqipërinë për përballimin e situatës së emergjencës.

Sipas tij, Turqia është partneri i pestë i tregtisë dhe për këtë Turqia mund të konsiderohet numër një për sa i përket investimeve të drejtpërdrejta të huaja.

“Tregtia me BE-në është dyfishuar 10 vitet e fundit dhe zgjerimi i saj ka qenë në dobi të vendeve të Ballkanit. Rajoni ka rritur eksportet e veta në BE me 130 për qind dhe rritja e eksporteve në rajon ishte 50 për qind. Nga ana tjetër tregtia mes Turqisë dhe vendeve të Ballkanit vazhdon të rritet. Ne kemi nevojë për më shumë bashkëpunim, për më shumë tregti dhe lidhje në biznes. Misioni i përbashkët duhet të fokusohet në zgjerimin e tregtisë dhe të marrëdhënieve të biznesit”, u shpreh Hisarcıklıoğlu.

Në përfundimit të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Dhomave të Ballkanit u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi midis Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Unionit Turk të Odave dhe Bursave.

Gjithashtu me vendim unanim u vendos për pranimin dhe anëtarësimin e Odës Ekonomike të Kosovës në këtë organizatë.

Asambleja e Përgjithshme e ABC-së shënoi edhe përfundimin e kryesimit për vitin 2019 nga Shqipëria, ndërsa në vitin 2020 drejtimin do ta marrë Bosnje dhe Hercegovina.

Aktualisht 10 vendet që bëjnë pjesë në ABC, kanë një qarkullim import-eksport prej 20 mld Euro.

***

-Parlamenti shqiptar zgjat afatin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore

Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në disa qarqe, e cila u shpall pas tërmetit që goditi Shqipërinë me 26 nëntor.

Me propozim të Këshillit të Ministrave me 92 vota pro dhe dy kundër, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë miratuan shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më datë 31 mars 2020, në qarqet Durrës, Lezhë dhe Tiranë.

Sipas Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, qëllimi i zgjatjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore është garantimi i sigurisë së jetës së banorëve, sigurimi i veprimtarisë normale për jetesën e komuniteteve të prekura në këto zona, si dhe marrja e masave parandaluese, mbrojtëse dhe rehabilituese në infrastrukturën dhe mjedisin e prekur nga situata e krijuar pas tërmetit.

Tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, përveçse shkaktoi 51 persona të vdekur dhe qindra të plagosur, shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale.

Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulturore, shkolla dhe objekte të institucioneve.

***

-Shqipëria udhëheq kontributin e përbashkët të vendeve të Kartës së Adriatikut në Misionin e NATO-s në

 

Irak në 2020 

Zv. Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë, Laura Cooper, vizitoi Shqipërinë javën e kaluar për të marrë pjesë në Ministerialin vjetor të Mbrojtjes SHBA – Karta e Adriatikut (A5).

Ministrat e Mbrojtjes apo përfaqësuesit e tyre nga pesë vendet anëtare, ranë dakord të vijojnë operacionet e tyre të përbashkëta në Misionin Mbështetës të NATO-s në Afganistan, si dhe të ndjekin një kontribut të përbashkët të udhëhequr nga Shqipëria në Misionin e NATO-s në Irak në 2020.

Shqipëria shërbeu si vend kryesues dhe mikpritës për të gjitha aktivitet e A5-ës për vitin 2019 dhe do t’ia kalojë kryesinë Bosnje-Hercegovinës në 2020.

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka gjatë fjalës së saj për situatën pas

tërmetit  theksoi se për të gjithë, vendin, institucionet, por veçanërisht për Ministrinë e Mbrojtjes, këto kanë qenë ditë dhimbjeje, vështirësie, por edhe të një pune të jashtëzakonshme për menaxhimin e situatës.

Ministrja falënderoi të pranishmit për suportin që i kanë dhënë Shqipërisë, ndërsa theksoi se: “…Që kur Shqipëria mori kryesimin e Iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut në janar 2019, ne shpallëm si prioritetin tonë më të madh politikën e dyerve të hapura. Morëm përsipër të punojmë e të përpiqemi me çdo mundësi për ta zgjeruar dhe për ta hapur më tej këtë iniciativë. Sot, besoj më shumë se kurrë se, kjo është një domosdoshmëri, sepse besoj që pikërisht formate si ky hedhin themelet e bashkëpunimit, fuqizimit të marrëdhënieve dhe krijimit të asaj rrjete lidhjesh, miqësish, kontaktesh, që janë aq të rëndësishme për të garantuar paqen dhe sigurinë në zonën euroatlantike…”.

***

-ALSAR në bashkëpunim me shoqatat bamirëse turke vazhdon shpërndarjen e ndihmave pas tërmetit të 26 nëntorit 

Në vijimësi të fushatës ditët e solidaritetit për familjet e prekura nga tërmeti, Fondacioni ALSAR në bashkëpunim me Shoqatën “Hayrat” me qendër në Turqi realizoi shpërndarjen e kontingjentit të IX-të të ndihmave humanitare në njësinë administrative Mamurras, ku u dhuruan ndihma në artikuj ushqimorë, batanije dhe veshmbathje për t’u lehtësuar sadopak vuajtjet dhe vështirësitë 100 familjeve të fshatit Vrinjoll të prekura nga kjo fatkeqësi natyrore.

Përfaqësues të ALSAR, por edhe banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit shprehën mirënjohjen e tyre ndaj Shoqatës Bamirëse “Hayrat” që kontribuoi për realizimin e suksesshëm të këtij projekti.

Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne