“Biznesmeni” shqiptar që humbi 200 milionë euro në bankën e Singaporit

Shërbimet e huaja në gjueti të miliardave të bankës offshore të Singaporit që falimentoi 1 muaj më parë. Deklaratat e DASH, KE dhe FMN, se Shqipëria është “parajsa” e parave të pista që vijnë nga krimi, trafiqet dhe korrupsioni. Cilët janë pushtetarët shqiptarë klientë të bankës?!

Burime të sigurta bëjnë me dije, se një nga bankat më të mëdha të Singaporit ka falimentuar në fundin e vitit 2018, duke gëlltitur dhjetëra miliarda dollarë ‘kursime’ të njerëzve të rëndësishëm në të gjithë botën. Banka ishte një offshore, e cila është vizituar disa herë edhe nga ‘personalitete’ shqiptare të nivelit shumë të lartë, në pushtet dhe të pushtetshëm.

Shërbimet e huaja inteligjente në gjueti të miliarderëve të bankës offshore të Singaporit

Menjëherë pas falimentimit, burimet thonë se shërbimet inteligjente perëndimore, kanë filluar një investigim shumëplanësh, për personat që kishin depozituar shifra marramendëse në këtë super bankë tashmë të falimentuar. Ka filluar pra gjuetia e parave të terroristëve dhe të klikave të korruptuara anë e mbanë botës, sepse pas falimentimit, sekreti bankar, duket se është ‘thyer’ nga shërbimet sekrete me qëllim, zbulimin e emrave të depozituesve. Nga Lindja e Mesme, nga Ballkani Perëndimor, por edhe nga SHBA. Në këto lista figuron, sipas burimeve edhe Shqipëria, me një depozitues, që ka derdhur në këtë bankë, plot 200 milionë euro, ‘kursime’, duke shënuar emrin e tij, si pronar i këtyre parave. Nëse shërbimet sekrete do të bëjnë publike, në mënyrë të tërthortë emrin e depozituesit, në Shqipëri, do të bëhej ‘hataja’, nënvizon burimi, sepse bëhet fjalë, për një person shumë të rëndësishëm, që nuk e justifikon dot në asnjë mënyrë, një shifër të tillë me kaq shumë zero. Por është çështje kohe, sepse, herët a vonë, ajsbergu do të dalë plotësisht në sipërfaqe. Para disa vitesh, shumë “biznesmenë” shqiptarë, por u thanë edhe zyrtarë të lartë shqiptarë humbën miliona euro në bankat e Qipros, si pasojë e krizës ekonomike në atë vend, edhe këto depozita në llogari bankare si kompani offshore.

Gazeta greke “ Efimerida”: Zyrtarë shqiptarë me pasuria multi-milionëshe në “offshore”

Gazeta greke “Efimerida” pas zgjedhjeve parlamentare të 2017 në Shqipëri, ka publikuar një shkrim ku zbardh dokumentin sekret i OSBE 21/06/2017 ku thuhet zyrtarë të lartë të Shqipërisë kanë pasuri të pabesueshme, e cila është raportuar të jetë rreth 200 milionë euro, të investuara në kompani “offshore” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky fakt është përmendur edhe në një raport konfidencial të Misionit të OSBE-së. Ky raport, pavarësisht se nuk përbënte një qëndrim zyrtar të OSBE-së, nuk është mohuar asnjëherë nga hartuesit e tij. Raporti, i përpiluar nga njësia për çështje politike dhe publike e OSBE, flet për lidhje të politikanëve me krimin e organizuar, për përfitime të tyre nga të ardhura të investuara në kompani të ndryshme apo nga biznese që i drejtojnë familjarët e tyre. Të dhënat u referohen informacioneve konfidenciale, ato të publikuara në media apo kabllogramet e ambasadës amerikane, të publikuara nga Wikileaks, shkruan SHQIPËRIA IME.

Shqipëria, “parajsa” e pastrimit të parave

Shqipëria është cilësuar si “parajsa” e pastrimit të parave të pista, të cilat kanë ardhur kryesisht nga aktivitetet kriminale, nga trafiqet ndërkombëtare të drogës, nga korrupsioni. Të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare, sikurse FMN, BB etj., por edhe institucione politike ndërkombëtare, sikurse DASH dhe BE kanë raportuar gati çdo vit, fakte dhe referenca për Shqipërinë, si vendi ku pastrohen paratë e pista, kryesisht në fushën e ndërtimit, të bixhozit, kazinove, por edhe në pjesëmarrjen e kompanive offshore në përfitimin e tenderëve dhe koncesioneve publike. Para disa muajsh në Portin e Durrësit u sekuestruan mbi 5 milionë euro, të cilat vinin nga Belgjika dhe ishin produkt i trafiqeve ndërkombëtare, të cilat do të pastroheshin në Shqipëri. Të shumtat janë rastet, kur krerët e bandave kriminale në vendet e ndryshme të Evropës shqiptarë në bashkëpunim edhe me kriminelët e kombësive të tjera, kanë investuar miliona euro në pasuri të patundshme, në biznese të ndryshme.

Kompanitë offshore fantazmë që përfitojnë tenderë dhe koncesione publike në Shqipëri

Një nga format klasike që përdoren në Shqipëri për të pastruar paratë e pista është edhe krijimi i kompanive offshore në ishujt e ndryshëm të botës, të cilat, paskëtaj, regjistrohen në Shqipëri si investitorë të huaj dhe marrin pjesë në prokurimet publike. Madje, rasti më i fundit ishte kompania “DH Albania”, e cila falsifikoi dokumentacionin e një kompanie amerikane dhe përdori imazhin e një kompanie amerikane dhe përfitoi koncesionin e 18 milion ë euro të ndërtimin e një loti 2 kilometra tek “Unaza e Re”.

Mark Crawford: Kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë: Kompanitë fantazmë, promovojnë veten e tyre si amerikane dhe ofertojnë në tenderë publikë

Aty ku vendet offshore mund të jenë shqetësuese, është kur ato përdoren nga entitete të huaja për të paguar lobistët për të punuar në SHBA, siç është theksuar si praktikë e zakonshme nga subjektet e ndryshme politike shqiptare në të kaluarën. Po aq shqetësuese është kur kompanitë janë me të vërtetë fantazmë, që nuk janë fare të regjistruara në brendësi apo jashtë bregdetit, por promovojnë veten e tyre si amerikane dhe ofertojnë në tenderë publikë. Sigurisht kjo praktikë është diçka që tërheq vëmendjen e zbatimit të ligjit të SHBA dhe duhet të ndalet.

 

Komisioni Evropian, shuplakë Shqipërisë: Korrupsioni, i lidhur me krimin e organizuar, po pastrojnë para

MONEYVAL, mekanizimi i Këshillit të Evropës kundër pastrimit të parave, i ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare të shtojnë përpjekjet e tyre në ndjekjen e pastruesve të parave dhe konfiskimin e aseteve të tyre, të lidhura me aktivitete që gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme dhe në trajtimin e rreziqeve terroriste financimit të lidhura me to. Në një raport që është shumë negativ për Shqipërinë vihet në dukje lidhja mes korrupsionit dhe organizatave kriminale për pastrimin e parave, ndërkohe që u tërhiqet vëmendja autoriteteve që ata nuk po marrin masat e duhura për të luftuar këtë fenomen. Kjo situatë ka bërë që Komisioni Evropian të zgjerojë mekanizimin e saj mbikëqyrës për fenomenin e pastrimit të parave në Shqipëri. Sipas konkluzioneve të raportit, “korrupsioni paraqet rreziqe të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri. I lidhur shpesh me aktivitetet e krimit të organizuar, ai gjeneron sasi të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe seriozisht dëmton funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale. Autoritetet janë të vetëdijshëm për rreziqet nga korrupsioni, por zbatimi i ligjit deri më tani ka pasur një vëmendje të kufizuar për të shënjestruar korrupsionin e lidhura me pastrimin e parave. MONEYVAL pranon se autoritetet shqiptare kanë një kuptim të mirë të rreziqeve të pastrimit të parave të vendit në ekonominë formale dhe kanë mekanizma koordinues kombëtar për politikë-bërjen për të adresuar rreziqet. Megjithatë, këto mekanizma nuk kanë provuar të jetë plotësisht efektive dhe ka disa fusha ku mund të ishin arritur më shumë rezultate, thotë raporti. Ai shton se dhe hetimet e Drejtorisë së Përgjithshme për Parandalimin rrallë rezultojnë në aktakuza dhe procedurat e pastrimit të parave të lidhura me vepra të rëndësishme shpesh janë pezulluar nga prokuroria. Raporti nënvizon se Shqipëria ka një kornizë të fuqishme ligjore për konfiskimin e të ardhurave kriminale, por numri dhe vlera e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nuk duket të jetë proporcionale me nivelin e kriminalitetit në vend.

 

Kompanitë offshore në Shqipëri shqetësojnë KE: Mund të shërbejnë për pastrimin e parave

Prezenca e kompanive offshore në Shqipëri shihet me shqetësim nga institucionet ndërkombëtarë. Raporti i fundit i Moneyval, mekanizimi i Komisionit Evropian, që bën vlerësimin e Shqipërisë për masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit vë një theks të veçantë për risqet që paraqet prezenca e kompanive që nuk kanë pronësi të qartë, të ashtuquajtura “beneficiary onwnership”, pra ku përfituesit realë nga këto sipërmarrje nuk dihen. Raporti thekson se ato mund të keqpërdoren për pastrim parash dhe bën thirrje që të ketë kushte më të forta dhe më shumë informacion për to. “Janë identifikuar mangësi teknike në lidhje me saktësinë dhe përshtatshmërinë e të dhënave në lidhje me kompanitë offshore si dhe kontrollin e informacionit të personave juridikë si dhe mungesa e masave për të garantuar që bartësit e aksioneve nuk keqpërdoren për pastrim parash, dhe financim të terrorizimit. Rekomandimet e reja të Task Forcës për Veprim Financiar vendosin kushte më të hollësishme në veçanti në lidhje me grumbullimin dhe disponueshmërinë e informacionit për kompanitë offshore”. “Nuk ekzistojnë mekanizma që identifikojnë dhe përshkruajnë proceset për sigurimin dhe regjistrimin e informacionit për kompanitë offshore përveçse si pjesë e proceseve verifikimit të të entiteteve raportuese. Shqipëria ka zhvilluar analiza risku që shfaqin organizatat jofitimprurëse për financimin e terrorizimit në nivel kombëtar. Në mënyrë të veçantë Shqipëria ka kryer një Vlerësim Kombëtar Risku, ku u analizua risku i pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit në disa sektorë financiarë dhe jo financiarë Gjithsesi nuk është bërë asnjë vlerësim gjithëpërfshirës i risqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit që lidhen me të gjitha llojet e personave juridikë të krijuar në vend” thuhet në raport. Shqipëria është kryesisht në përputhje me kërkesat për identifikimin e llojeve të personave juridikë dhe regjistrimin e informacionit bazë. Megjithatë, ka dobësi në lidhje me vlerësimin e rrezikut lidhur me personat juridik; mungesa e një mekanizmi të qartë për të siguruar se informacioni i ruajtur nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë është i saktë dhe të dhënat e mbajtura nga gjykata janë të përditësuar në mënyre të vazhdueshme; mungesa e sanksioneve për shoqatat, fondacionet dhe qendrat për të rifreskuar informacionin e regjistruar; mekanizëm për të siguruar disponueshmërinë, saktësinë dhe monedhën e informacionit të përfituesit të titullit, dobësitë në lidhje me rregullimin e aksioneve të bartësit dhe drejtorët e emëruar” vlerëson raporti. Viteve të fundit kompanitë offshore kanë rritur prezencën e tyre ne Shqipëri duke përfituar kontrata të rëndësishme koncesionare si në shfrytëzimin e burimeve të natyrës ashtu edhe në shërbime dhe kontrata pune.

 

DASH: Shqipëria, parajsa e pastrimit të parave

Departamenti Amerikan i Shtetit e ka klasifikuar Shqipërinë në listën e vendeve më të mëdha të pastrimit të parave për vitin 2017. Shqipëria ka një ekonomi të madhe ‘cash’ dhe informale, me flukse domethënëse parash që hyjnë nga jashtë në formën e remitancave. Burimet kryesore të parasë kriminale vijnë nga trafiku i drogës, evazioni fiskal, kontrabanda dhe trafiku i qenieve njerëzore”. Raport i Departamentit Amerikan të Shtetit lidhur me klimën e biznesit për vitin 2018 (“Investment Climate Statements for 2018”) nuk e ka përfshirë fare Shqipërinë, ndryshe nga një vit më parë, pra 2017, ku Shqipëria ishte pjesë e listës së vendeve,që SHBA i sugjeron investitorëve amerikanë për të bërë biznes. Në raportin e fundit mbi Strategjinë e Kontrollit të Narkotikëve, DASH thotë se Shqipëria mbetet në rrezik domethënës për pastrim parash për shkak të korrupsionit të gjerë dhe institucioneve të dobëta. “Shqipëria ka një ekonomi të madhe cash dhe informale, me flukse domethënëse parash që hyjnë nga jashtë në formën e remitancave. Burimet kryesore të parasë kriminale vijnë nga trafiku i drogës, evazioni fiskal, kontrabanda dhe trafiku i qenieve njerëzore”, thuhet në raport. Por çfarë do të thotë klasifikimi në listën e vendeve kryesore të pastrimit të parave? Sipas Departamentit të Shtetit, në vendet që bëjnë pjesë në këtë listë, institucionet financiare kryejnë transaksione, të cilat përfshijnë shuma domethënëse parash që burojnë nga trafiku i drogës. “Ndërtimi, veçanërisht në zonat bregdetare, projektet e biznesit dhe kumari janë metodat më më popullore të pastrimit të parave në Shqipëri”, thuhet në raport. Sipas Departamentit të Shtetit, institucionet shqiptare janë inefektive në luftën kundër pastrimit të parave. Si rezultat paratë e pista në vend pastrohen lehtësisht. Shqipëria u rikthye në listën e zezë të pastrimit të parave vitin e kaluar për shkak të rritjes masive të trafikut të drogës dhe parasë kriminale në ekonomi.

Kurir: Mafia shqiptare pastroi 1.5 miliardë euro në Serbi

Mafia shqiptare ka shtrirë aktivitetin e saj edhe në rajon. Mediet serbe raportojnë se në 10 vitet e fundit familjet mafioze shqiptare kanë pastruar në Serbi plot 1.5 miliardë euro. Në një shkrim të tabloidit “Kurir” thuhet se pjesa më e madhe e këtyre parave është investuar në tregun pasurive të paluajtshme. Sipas të njëjtave burime mafia shqiptarë është bërë në këtë mënyrë “ndoshta një nga aktorët kryesorë që ka ndërtuar skemat e pastrimit të parave të krimit të organizuar”, të ardhura të përfituara kryesisht nga trafiku i drogës dhe armëve”. Ish-drejtori i policisë së Beogradit Marko Nicoviç thotë se “trafikantët shqiptarë kanë pastruar rreth 80 deri në 100 milionë euro në vit në këtë vend duke blerë toka, pasuri të patundshme dhe ndërtuar godina përmes të ashtuquajturve biznesmenë serbë”. “Në këto transaksione, si rregull, shqiptarët nuk shfaqen asnjëherë. Kjo funksionon me anë të personave të tjerë. Ai thotë se shqiptarët përdorin persona me emra si p.sh., Petar Petroviç nga Mynihu i cili shërben si fasadë. Investimet më të mëdha të tyre janë në jug dhe juglindje të Serbisë” – thotë Nicoviç. Ai shton se klanet shqiptare të trafikut të drogës kanë përdorur të njëjtat skema për të investuar paratë e paligjshme edhe në rajone turistike të detit Adriatik në Kroaci apo në Malin e Zi, por edhe në Bosnje Hercegovinë.

Marrëzia e koncesioneve në 2018-n. Rrugët me financim të huaj na kushtojnë 53% më lirë se fondet tona

Gjatë një viti, e njëjta kategori rruge e ndërtuar në Shqipëri ka kushtuar më shumë se dyfishi kur është ndërtuar me fonde të brendshme në krahasim me të njëjtën njësi rruge që është ndërtuar me financim të huaj. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës, një kilometër rrugë e kategorisë B, me fonde të huaja, ka kushtuar 88,1 milionë lekë për kilometër, ndërsa me fonde të brendshme ka kushtuar 187 milionë lekë për kilometër, ose 112% më shumë. Nga të dhënat zyrtare gjatë 8-mujorit 2018, qeveria shqiptare ka ndërtuar 22 kilometër rrugë të kategorisë B (me dy korsi) me fonde të huaja që i kanë kushtuar 1.9 miliardë lekë, ndërsa ka raportuar se ka harxhuar po 1.9 miliardë lekë me fonde të brendshme dhe ka ndërtuar vetëm 10 kilometra. Rrugët me financim të huaj na kanë kushtuar këtë vit 53% më lirë se investimet me fonde të brendshme.

Jakup B. GJOÇA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne