“Bllokada indiane në Kashmir ka cenuar jetën e përditshme”

Bllokimi pothuajse i plotë nga qeveria indiane në Xhammu Kashmir, pjesën e rajonit të Kashmirit të kontrolluar nga India, “ka ndikuar në mënyrë të egër” në jetën e përditshme të njerëzve, tregoi një raport i një lëvizjeje kundër zhdukjeve me forcë.

Raporti u pulbikua nga Lidhja e Prindërve të Personave të Zhdukur, një bashkësi prej rreth 1.000 personash, të afërmit e të cilëve u janë nënshtruar zhdukjeve me forcë dhe të pavullnetshme në Kashmirin e administruar nga India.

“Kufiri i pacaktuar i imponuar në Kashmir pas Nenit 370 është zgjatje e një gjendjeje de-fakto të jashtëzakonshme, me pasojë të vendosjes së më shumë kufizimeve dhe prangave mbi të drejtat e njeriut të banorëve të Kashmirit”, thuhet në raport.

Tensionet janë rritur që nga 5 gushti, kur qeveria indiane hoqi dispozitat e veçanta të rajonit të kontestuar.

Dispozitat lejonin që qytetarët e rajonit me shumicë muslimane të miratojnë ligjet e tyre dhe ndalonte që të huajt të vendoseshin aty dhe të zotëronin tokë.

Si pjesë e një shtypjeje më të gjerë, shërbimet e internetit janë bllokuar në Xhammu Kashmir, ndërsa udhëheqësit lokalë janë arrestuar.

Raporti hulumton se si shfuqizimi i ligjeve të veçanta ka ndikuar në të drejtat e njerëzve, duke përfshirë të drejtën për kujdes shëndetësor, arsim dhe liri fetare.

Kufizimet kanë çuar në një ulje të numrit të pacientëve në spitale dhe qasje të kufizuar në kujdesin shëndetësor.

Për shkak të bllokimit të sigurisë, thuhet në raport, janë anuluar ndërhyrje të ndryshme kirurgjike të planifikuara.

Po ashtu, raporti paraqet një pasqyrim të zymtë edhe në fushën e arsimit.

“Militantizmi dhe militarizimi kanë prekur pothuajse të gjitha aspektet e luginës, por një grup që ka vuajtur ndikimet e tij në mënyrë më të keqe janë studentët”, thekson raporti.

Kashmiri, një rajon himalajan me shumicë muslimane, kontrollohet nga India dhe Pakistani pjesërisht dhe pretendohet nga të dyja vendet në tërësi. Një pjesë e vogël e Kashmirit administrohet edhe nga Kina.

Që nga ndarja në vitin 1947, dy vendet kanë zhvilluar tri luftëra, në vitin 1948, 1965 dhe 1971, dy prej tyre për Kashmirin.

Disa grupe në Xhammu Kashmir kanë luftuar kundër sundimit indian për pavarësi, ose për bashkim me Pakistanin fqinj.

Sipas disa organizatave të të drejtave të njeriut, mijëra njerëz raportohet se janë vrarë në konfliktin në rajon që nga viti 1989./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne