Bllokimi i komunikimit ka ngulfatur mediat në Kashmir

Kufizimi i lëvizjes dhe bllokimi i komunikimit në rajonin Xhamu Kashmir të administruar nga India, që hyn në ditën e 35-të sot, po u shkakton probleme të mëdha gazetarëve në rajon.

Rajoni me shumicë muslimane përballet me ndërprerje të komunikimit që nga 5 gushti kur India ia hoqi rajonit dispozitat e veçanta të garantuara në Kushtetutën e vendit.

Me mungesë të qasjes në internet dhe me shërbime celulare që vazhdojnë të jenë të pezulluara, po publikohen vetëm disa gazeta lokale.

Gazetarët që përfaqësojnë mediat kombëtare dhe ndërkombëtare varen nga qendra qeveritare e lehtësimit për mediat në Srinagar, e cila ka internet, por jo edhe internet pa kabllo (Wi-Fi).

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Ishfaq Tantry, sekretari i përgjithshëm i “Kashmir Press Club” tregon për vështirësitë gjatë raportimit të storjeve nga Kashmiri në rrethanat aktuale.

“Kuptohet që bllokada e komunikimeve ka ndikuar negativisht në raportimin nga terreni. Në mungesë të internetit dhe telefonëve, përfshirë edhe celularët, gazetarët e kanë të vështirë të verifikojnë dhe kontrollojnë informatat”, thotë ai.

Për më tepër, gazetarët nuk kanë mundësi të pranojnë materialet për të kontrolluar tekstet e tyre të redaktuara apo edhe për të pranuar thirrje telefonike nga zyrat e tyre për kontrollimin e fakteve.

“Me sa duket, bllokada e informacionit ka për qëllim të parandalojë storjet që të mos dilnin nga Kashmiri”, tha ai.

Në gazetar i pavarur, Safwat Zargar, thotë se mbledhja e lajmeve është bërë një “viktimë e madhe” me bllokimin e komunikimit.

“Bllokada ka ngulfatur gazetarët që përfaqësojnë mediat e shtypura dhe online. Edhe pse ka goditur edhe gazetarët e televizioneve, megjithatë ata arrijnë të komunikojnë përmes furgonëve të transmetimit të jashtëm, për t’u lidhur me zyrat e tyre. Viktima e parë dhe e madhe është mbledhja e lajmeve dhe pamundësia e gazetarëve për të arritur tek qeveria dhe burimet e tyre për konfirmim”, tha ai.

Bashaarat Masood, i cili përfaqëson të përditshmen Indian Express, thotë se asnjëherë më parë nuk ka përjetuar kohëra më të vështire për gazetari. Si gazetar me 15 vite eksperiencë, Masood e përshkruan këtë situatë si “të pashembullt”.

“Është bërë një detyrë e vështirë që të dërgojmë storjet tona”, thotë ai për AA.

Pamundësohet funksionimi i mediave lokale

Mediat lokale përjetojnë një situatë shumë më të vështirë. Në Srinagar janë publikuar deri në 180 gazeta të përditshme në gjuhën angleze dhe urdu. Vetëm pesë prej tyre vazhdojnë të publikojnë shkaku i kufizimeve dhe në mungesë të qasjeve.

“Ne kemi përgjysmuar numrin e faqeve, për shkak se nuk kemi mundësi të prodhojmë përmbajtje për 16 faqe çdo ditë”, thotë redaktori i një të përditshmes udhëheqëse në gjuhën urdu, gazeta e cunguar e së cilës vazhdon të publikohet.

“Ne shkojmë në qendrën e lehtësimit për mediat, shkarkojmë përmbajtjen dhe e përdorim në edicion”, thotë redaktori i cili dëshiron të mbetet anonim.

“Ata (gazetarët) nuk kanë mundësi të sjellin edicione të plota, nuk kanë qasje dhe nuk kanë mundësi të përpunojnë të dhënat rreth ngjarjeve ditore, nuk kanë mundësi të lëvizin lirshëm dhe mbi të gjitha, kanë frikë të parashtrojnë pyetje për atmosferën e zymtë”, thanë në një kumtesë të përbashkët dy organet e gazetarisë me bazë në Kashmir.

Shumë gazetarë kanë qenë inovativ për t’u lidhur me zyrat e tyre në mënyrë që të tejkalojnë bllokadën. Ata do të shkonin në aeroport, do të kërkonin pasagjerët që udhëtonin për në New Delhi dhe kështu do të dërgonin USB në zyrat e tyre.

Farooq Khan, fotoreporter i vjetër që punon për një rrjet të huaj, për AA thotë që në ditët e para pas 5 gushtit, ai do të gjente një ndërmjetësues dhe do të dërgonte fotografi me USB. Por, shumica e gazetarëve janë plotësisht të varur nga qendra qeveritare e mediave.

“Në vitin 2016, kur komandanti militant Burhan Wani u vra, pati një ndërprerje të ngjashme të internetit. Por, telefonat fiks funksiononin. Ne mund të dërgonim storjet dhe fotografitë nga zyrat tona. Kësaj radhe, shërbimet fikse për herë të parë janë shkëputur. Ne nuk mund të lidhemi në internet nga zyrat tona”, tha për AA Shuaib Masoodi, një tjetër fotoreporter në Srinagar.

“Kashmir Press Club” dhe grupet tjera që përfaqësojnë mediat kanë shfaqur shqetësime serioze në lidhje me bllokimin e komunikimeve që po ndikon në punën e gazetarëve.

Mbledhja e lajmeve, një viktimë e radhës

Një raport i quajtur “Lajmet prapa telave me gjemba” mbi bllokadën e informacionit në Kashmir i publikuar nga Rrjeti i Grave në Media dhe “India dhe kolektivi i fjalës së lirë” ka shpalosur problemet në të cilat hasin mediat.

“Gazetarët vazhdojnë të ballafaqohen me kufizime të skajshme në të gjitha proceset e mbledhjes së lajmeve, verifikimit dhe shpërndarjes, qarkullimi i lirë i informacionit është bllokuar, duke shkaktuar një heshtje të trazuar që sjell gjëra të këqija për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave”, thuhet në raport.

Në raport gjithashtu thuhet se bllokada e komunikimit dhe ndalimi i internetit jo vetëm që kanë shkaktuar probleme të paimagjinueshme dhe çnjerëzore për të gjithë qytetarët, por i kanë lënë mediat në vendnumëro.

Një deklaratë e publikuar nga “Kashmir Press Club” më 3 shtator, gjithashtu shpreh shqetësimin për “bllokimin e vazhdueshëm të komunikimit”.

“Që nga vendosja e bllokadës së komunikimit në rajon më 5 gusht, Klubi adresoi çështjen me autoritetet qeveritare në disa raste, duke kërkuar rikthimin e funksionimit të celularëve, internetit dhe linjave fikse të gazetarëve dhe mediave, përfshirë gazetat si dhe vetë Klubin. Por, të gjitha këto përpjekje janë treguar të kota, pasi këto shërbime nuk janë rikthyer për gazetarëve deri më sot”, thuhet në kumtesë.

Pas kumtesës, qeveria shtoi katër kompjuterë të rinj në qendrën e lehtësimit të mediave. Ata gjithashtu rivendosën telefonat mobil të zyrtarëve të zgjedhur të qeverisë dhe policisë. Por, nuk u hoq bllokada dhe nuk u lehtësuan kufizimet për mediat.

Megjithatë, autoritetet indiane pretendojnë se 90 për qind e rajonit të diskutuar Xhamu Kashmir është pa kufizime ditore.

Nga viti 1954 deri më 5 gusht të këtij viti, Xhamu Kashmiri kishte dispozita të posaçme sipas të cilave rajoni miratonte ligjet e veta. Dispozitat gjithashtu mbronin ligjin e shtetësisë, i cili ndalonte të huajt që të vendoseshin dhe të zotëronin tokë në këtë territor.

India dhe Pakistani administrojnë dy pjesë të Kashmirit dhe pretendojnë kontroll të plotë mbi këtë rajon. Kina kontrollon gjithashtu një pjesë të rajonit të kontestuar, por India dhe Pakistani kanë zhvilluar dy luftëra për Kashmirin./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne