Blloku i Netanyahut pritet të fitojë 53 mandate, ndërsa ai i Eisenkotit 48 në zgjedhjet në Izrael

Blloku i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu pritet të fitojë 53 mandate parlamentare, pas numërimit të të gjitha fletëvotimeve të rregullta, ndërsa më shumë se 500 mijë fletëvotime të veçanta ende nuk janë numëruar, transmeton Anadolu.

Sipas transmetuesit Kanali 12, blloku opozitar i udhëhequr nga Gadi Eisenkot pritet të sigurojë 48 mandate, ndërsa partitë kryesisht arabe pritet të fitojnë 19 mandate. Asnjëri nga dy blloqet kryesore nuk pritet të arrijë 61 mandatet e nevojshme për të siguruar shumicën parlamentare në Knessetin me 120 vende. Transmetuesi izraelit raportoi se pjesëmarrja në votime arriti në 77,7 për qind, niveli më i lartë që nga viti 1999.

Megjithatë, më shumë se 500 mijë fletëvotime të veçanta, të vendosura në zarfe të dyfishta, mbeten për t’u numëruar dhe mund të ndikojnë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve parlamentare. Fletëvotimet me zarfe të dyfishta përdoren nga votuesit që votojnë jashtë qendrave të votimit ku janë të regjistruar, përfshirë ushtarët, diplomatët, policët dhe banorët e zhvendosur.

Sipas këtij sistemi, votuesit i vendosin fletëvotimet në një zarf, i cili më pas vendoset brenda një zarfi të dytë që përmban të dhënat e tyre të identifikimit, me qëllim parandalimin e votimit të dyfishtë. Elad Naveh, drejtor i qendrës së kontrollit të Komitetit Qendror të Zgjedhjeve, tha se numërimi i fletëvotimeve me zarfe të dyfishta pritet të fillojë sonte në mbrëmje dhe të përfundojë nesër në mbrëmje. Ai tha se procesi mund të vazhdojë deri të premten.

Rezultatet paraprake mund të ndryshojnë pasi zyrtarët zgjedhorë të përfundojnë numërimin e fletëvotimeve të mbetura. Më shumë se 7,3 milionë izraelitë kishin të drejtë vote në zgjedhjet e së martës, të parat që nga fillimi i luftës gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës, në tetor të vitit 2023./AA

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne