Borchardt: Klima politike e acaruar. Votimin elektronik ta testojmë në zgjedhjet vendore

Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bernd Borchardt, ishte sot i ftuar në emisionin “7 pa 5”, në “Vizion Plus”. Ai foli për projektin “Shtigje rinore” si dhe për reformën në drejtësi, reformën zgjedhore, klimën politike në vend dhe përballjen me të kaluarën.

Më poshtë do të gjeni një pjesë të intervistës:

Me gjithë reformën dhe gjithë lëvdatat që marrim ne për reformën, prapë se prapë klima politika në vend ne shqiptarëve na duket më e acaruar se kurrë, ju si e konsideroni?

 Bernd Borchardt: Ju kujtohet besoj që kam qenë Ambasador i Gjermanisë përgjatë viteve 2007-2010. Ta them në mënyrë të butë, klima politike nuk është përmirësuar. Ky ishte zhgënjim. Ndonjëherë ashpërsia e konfliktualitet politik është e tillë sa… duhet të mësohemi, le të themi. Sidoqoftë, pozitiv është fakti që shumica e të rinjve me të cilët flasim dhe bashkëpunojmë nuk e pëlqejnë këtë lloj konfliktualiteti. Pra, kam shpresë se gjërat do të ndryshojnë.

Është normale që të ketë jetë kjo lloj klimë mosbesimi mes forcave politike dhe a e dëmton kjo imazhin e Shqipërisë? Ju e thatë që duhet të ndryshojë, por a e kuptojnë politikanët shqiptarë këtë që për çështje madhore duhet të jenë bashkë dhe duhet t’i lënë pas këto ngërçet e vogla, sikletet e vogla politike?

 Bernd Borchardt: Patjetër që mënyra e ndërveprimit mund të përmirësohet, të bëhet më konstruktive, madje edhe më njerëzore. Jo vetëm hedhje faji, thënie të gjërave të këqija për tjetrin, dhe akuza të rënda të pabazuara. Kjo është njëra nga mënyrat se si politika, se si elitat politike, mund të zhvillohen drejt një drejtimi më të mirë, dhe kështu shpresoj të ndodhë. Sikurse e thashë, prej diskutimeve me politikanët e rinj dhe me votuesit e rinj kuptoj që një gjë e tillë pritet.

 Në komisionin e reformës zgjedhore duket sikur po bashkëpunojnë, sikur po merren vesh të paktën, nuk ka sherre. Si është mendimi juaj? Se jeni vëzhgues dhe mbështetës të këtij komisioni.

Bernd Borchardt: Qasja në komisionin e posaçëm ka qenë shumë konstruktive. U gjet mirëkuptimi për zhvillimin e një plani pune, në bazë të të cilit po punohet. Ky plan pune ka të bëjë kryesisht me trajtimin e tetë temave të ndryshme, në kontekstin e reformës zgjedhore.  Tema si shitblerja e votës, votimi nga jashtë vendit, votimi elektronik dhe çështje të tjera, si dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, kuptohet. Ne dhe kolegët tanë nga Këshilli i Evropës kemi nisur të organizojmë tryeza teknike që përqendrohen në këto tetë tema. Pesë prej tryezave teknike janë zhvilluar tashmë dhe diskutimet përgjatë tyre më kanë lënë mbresa pozitive. Duket se ka vend për kompromis. Do të ketë edhe tri tryeza teknike të tjera. Programi përfundon në fillim të korrikut. Pastaj, kuptohet që radhën e kanë politikanët. Janë ata që duhet të marrin vendimet politike, jo ne. Duhet të hartohen ndryshimet ligjore. Pas kësaj, së bashku me kolegët tanë të ODIHR-it në Varshavë, ne mund të ofrojmë komente për projektligjet, për të parë nëse përputhen teknikisht me standardet më të mira evropiane.

Sa rrezikojmë të kemi një reformë zgjedhore në kurriz të partive të vogla? Partitë e vogla janë me frikë gjithmonë.

 Bernd Borchardt: Përveç votimit jashtë vendit, nuk është diskutuar ndonjë ide deri tani për ndryshime thelbësore në sistemin zgjedhor. Në fakt, njëri prej elementëve do të ishte në dobi të partive të vogla. Një nga shqetësimet e ngritura shpesh është se gjatë numërimit, disa vota numërohen keq, sistematikisht, ose nuk numërohen, ose numërohen në favor të partive të mëdha. Me një sistem numërimi elektronik, këto shqetësime mund të pakësohen.

Diskutimi ka nisur nga çështja ka apo jo shitblerje vote. Nuk duhet ta nisnin, në fakt, nga një vendosje besimi mes palëve? Sepse ka një perceptim se po pati besim mes palëve, çdo gjë shkon vaj në Shqipëri.

 Bernd Borchardt: Besimi është diçka që rritet ngadalë. Është si klima politike, e cila duhet të përmirësohet. Ama, mund të eliminohen fushat ku ka mosbesim. Sapo ju dhashë shembullin e numërimit elektronik të votave. Faktori njerëzor eliminohet, pasi mosbesimi nuk ka lidhje me makineritë, por me njerëzit që numërojnë. Ekziston një numër i kufizuar fushash të tjera, ku faktori njerëzor mund të zëvendësohet nga makineritë e pakorruptueshme. Si për shembull, identifikimi elektronik i votuesve. Dëgjojmë shpesh akuza se diku nga e shtuna mbrëma, njerëzit shkojnë të blejnë ose të marrin hua karta identiteti për dy ditë, me qëllim që simpatizantët e një partie të mos shkojnë të votojnë. Me identifikim biometrik, nuk e shet dot gjurmën e gishtit. Nga ana tjetër, ka shumë akuza për shitblerje vote, kështu që kjo e zgjidh pjesërisht problemin, jo plotësisht. Pastaj, çështja është të gjendet mënyra për parandalimin e shitblerjes së votës. Më shumë transparencë të financave të partive, për shembull. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme, ku ne kemi bërë rekomandimet tona gjatë tryezave teknike që përmenda më lart. Ose nevojiten më shumë trajnime për prokurorët, se si të procedojnë ligjërisht këtë lloj krimi zgjedhor. Kodi Penal i Shqipërisë parashikon dënime shumë të rënda për shitblerjen e votës. Po të ketë marrëveshje politike, këto dënime mund të ashpërsohen dhe kjo mund të kenë edhe efekt frenues.

Zgjedhjet lokale janë vitin tjetër. Duhet të nxitojmë pak? Mos jemi vonë? Se kur vjen afati në fund themi që s’kemi kohë për ta bërë, do ta provojmë në zgjedhjet e ardhshme.

Bernd Borchardt: Njëra nga çështjet për të cilën ende nuk jemi shumë vonë, por ku njëkohësisht koha po kalon, është vendimi se çfarë do të bëhet me votimin elektronik. Duhet kryer një testim. Këtë e rekomandojmë shumë fort. Mundësia më e mirë për një testim të tillë janë zgjedhjet vendore. Pastaj duhet marrë vendimi se çfarë lloj votimi elektronik do të përdoret; duhen shkruar termat e referencës për blerjen e makinerive; duhet të kryhet procesi i prokurimit; nevojiten njerëz që të certifikojnë makineritë në lidhje me sistemet e mbrojtjes nga ndërhyrja dhe nga manipulimet; pastaj duhen trajnuar personat që do të vendosin makineritë në punë, e kështu me radhë. Dhe mos harroni që pastaj u duhet shpjeguar procesi votuesve. Nevojiten fushata intensive që njerëzit të dinë se si funksionon. Të rinjtë janë të gjithë në “Facebook” dhe dinë të përdorin pajisje elektronike. Ama, nëna ime nuk do dinte.

Ka një pikë ku investohet shumë OSBE-ja kohët e fundit, e shkuara komuniste e këtij vendi. Pse duhet që shqiptarët të përballen me të shkuarën e tyre komuniste?

Bernd Borchardt: Trashëgimitë e së shkuarës u japin formë shoqërive demokratike dhe kanë ndikim afatgjatë te shoqëritë dhe tek institucionet. Vendi ku jam rritur unë, Gjermania, filloi shumë shumë ngadalë të përballej me të shkuarën e saj. Nga koha kur isha i ri, shoqërinë time e mbaj mend si mjaft autoritare. Që nga atëherë, shoqëria jonë është emancipuar. Kuptohet, që ende ka persona dhe individë autoritarë, por vendi është zhvilluar dhe është kthyer në demokraci të konsoliduar. Unë besoj fuqimisht që përballja me të shkuarën, që në Gjermani nisi të kryhej me intensitet pas 25 vitesh nga përfundimi i luftës, e ndihmoi shumë këtë proces. Më parë, ju përmendët mungesën e besimit. Mungesa e besimit është trashëgimi tipike e vendeve post-totalitare dhe post-diktatoriale. Ekziston përvoja që fqinji apo dhe pjesëtarët e familjes mund t’ju tradhtojnë duke ju paditur te Sigurimi i Shtetit për një fjalë goje. Kjo të ngulitet në kokë dhe të duhet ta heqësh disi. Mënyra më e mirë është duke i diskutuar këto çështje, duke mësuar për to. Më la shumë mbresa fakti që Shqipëria filloi hapjen e dosjeve të Sigurimit, ashtu siç u bë në Gjermani me dosjet e Stasit, në Lindjen Komuniste. E gjitha kjo ndihmoi shumë për të rifituar besimin. Sepse në fund e mëson të vërtetën dhe i thua vetes: “ky person më tradhtoi, por këta të tjerët, ndaj të cilëve kisha ndjesi të këqija, nuk më kanë bërë asgjë”.

Ju përmendët vendin nga ju vini, Gjermaninë, dhe nuk besoj se sot në Gjermani, pas dy diktaturave, del njeri me portrete të Hitlerit apo të Erich Honecker në duar. Këtu në Shqipëri ndodh dhe ndodh rëndom. Tregon kjo balancën shumë delikate në të cilën ndodhet ky vend? Jemi vend i vogël. Do të na duhet më shumë kohë ndoshta?

 Bernd Borchardt: Siç e përmenda, ky proces në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas diktaturës naziste, filloi në fund të viteve ‘60, që i bie 25 vjet pas luftës. U desh kohë e gjatë. Dy-tre vjet më parë u shfaq një film për gjyqin e Aushvicit, me titull “Labirinti i heshtjes”. I tillë ishte qëndrimi i shoqërisë në vitet ‘60. Pra, duhet kohë që shoqëria të zhvillohet në këtë drejtim. Në pjesën lindore të Gjermanisë, ka ende nostalgjikë të regjimit komunist. Numri i tyre është në rënie, sipas perceptimit tim, por ende ka njerëz që nuk i janë larguar asaj mendësie.

Pra, ju thoni jemi në rrugën e duhur? Thjesht do të duhet kohë? Por nuk kemi më kohë për të humbur.

Bernd Borchardt: Po, dhe kjo është arsyeja që OSBE-ja e ka mbështetur këtë proces. Ky është një proces me të cilin shoqëria juaj duhet të përballet, ndërsa ne mund të ndihmojmë duke sjellë përvojat e vendeve të tjera; jo vetëm nga Gjermania, të cilën e kam më afër zemrës, por edhe nga vendet e tjera që janë përballur me të shkuarën e tyre komuniste dhe diktaturat e tjera.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne