Borisov: Retorika anti-Erdogan nuk e zgjidh krizën e refugjatëve

Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov gjatë një fjalimi në Universitetin Kombëtar dhe të Ekonomisë Botërore në Sofje tha se Turqia është fqinji më i madh i Evropës.

“Turqia është fqinji më i madh i Evropës. Është një shtet i jashtëzakonshëm, me një ushtri të armatosur dhe të trajnuar mirë, dhe para së gjithash me një ushtri, e cila ka marrë pjesë në aktet e vërteta të luftës”, tha Borisov.

Ai gjatë fjalimit të tij kritikoi politikat e Bashkimit Evropian (BE) ndaj Turqisë. “Po jetojmë në një kohë tejet të komplikuar. Jemi në një periudhë kur brezat e vjetër e shihnin luftën, varfërinë dhe mjerimin, si një gjë të zakonshme të historisë, kurse brezat e rinj luftën si të tillë”, tha kryeministri bullgar.

Lidhur me tërheqjen e 40 ushtarëve të Turqisë nga stërvitja e NATO-s në Norvegji, Borisov tha se “Mesazhi i dhënë nga presidenti i shtetit fqinj (Recep Tayyip) Erdoan për tërheqjen e 40 ushtarëve nga Norvegjia është një mesazh, të cilin edhe unë do ta jap për një kohë të gjatë në takimet e Këshillit Evropian dhe një mesazh, të cilin duhet ta shohin. Sepse aty bëhet fjalë për kontradiktën e interpretimit të ngjarjeve. Kur bëhet fjalë për Turqinë dhe presidentin Erdoan, liderët evropianë refuzojnë plotësisht që t’i kuptojnë ata (Turqinë). Kështu që nuk mbetet ndonjë rrugë për afrimin e palëve”.

Borisov tha se edhe vetë ai e ka vendosur këtë çështje në rend dite në takimet e Këshillit Evropian. “Sidomos në takimin e fundit të Këshillit ata kishin kërkuar ndërprerjen e çfarëdo takimi me Turqinë. Ndërsa Turqia ka ushtrinë më të fortë në Evropë. Turqia duhet të jetë partner strategjik si në NATO ashtu dhe në Evropë. Këtu nuk bëhet fjalë për anëtarësimin e shtetit në BE. Ne duhet ta mbrojmë dialogun me Turqinë dhe procesin e marrëveshjeve”, deklaroi Borisov.

“Turqia është fqinji më i madh i Evropës”

Duke theksuar se homologë të shumtë të tij në Evropë po insistojnë për anulimin e marrëveshjes me Turqinë për krizën e emigrantëve, Borisov tha se edhe në Bullgari po bëhet një presion i jashtëzakonshëm për këtë.

“Pas arritjes së marrëveshjes sonë me presidentin Erdoan (për çështjen e emigrimit), presioni ndaj Bullgarisë për këtë çështje ra në zero. Në kufi kapen dy-tre persona në ditë. Përkundër asaj që ne me Turqinë kemi marrëveshjen e ripranimit, ata i marrin përsëri të arratisurit. Në anën tjetër rreth 3 milionë refugjatë po mbahen aty (në Turqi). Pasi që as Gjermania nuk ka arritur konsensus për emigracionin e paligjshëm çfarë do të bëhet kur miliona refugjatë (të cilët po presin në Turqi) do të fillojnë të shkojnë në Evropë?”, tha Borisov.

“Më trajtonin pothuajse si një ‘pagan’”

Kryeministri Borisov tha se marrëveshja për çështjen e migracionit ilegal me Turqinë po funksionon mirë, duke shtuar se beson që mbajtja e presionit të emigrimit jashtë kufijve të BE-së është opsioni më i saktë.

“Në dy vitet e fundit kur unë e tregoja këtë mendim mua më trajtonin pothuajse si një ‘pagan’. Kishte edhe të tillë që më paralajmëruan. Por sipas meje BE-ja në vend të ndërtimit të mureve në mes të anëtarëve të saj, duhet t’i mbyllë me mure kufijtë e saj të jashtëm, duke i përdorur të gjitha mundësitë”, tha Borisov.

Ai kritikoi politikën e BE-së lidhur me rajonet e krizës. “Nuk ka asnjë ndërtesë të vetme që arriti të qëndrojë në këmbë në vendet ,ku ne ndërhymë. As në Irak, as në Siri e as në Libi nuk ka mbetur asnjë ndërtesë e fortë”, tha ai.

Me vullnetin e Erdoanit 3 milionë persona (refugjatë) po qëndrojnë në Turqi”

Borisov tha se përderisa shtetet si Turqia, Rusia, Irani dhe SHBA-ja takohen në forumet ku po diskutohet problemi i emigrimit ilegal për shkak të luftës në Siri, Evropa po vazhdon të pranojë emigrantë.

“Problemi ynë është rivendosja e tyre. A është normale që kur një problem, i cili është krizë për Evropën, vendoset në tryezë dhe ne nuk jemi në takime? Liderët evropianë duhet të jenë të vetëdijshëm se tanimë nuk kemi shansin e të qenit pasiv. Ashtu siç po shihni emigrantët po ikin drejt Evropës. Unë kam respekt të pafund ndaj Turqisë, Rusisë, ShBA-ve dhe Iranit, por emigrimi vjen drejt nesh. Emigrantët nuk shkojnë në Rusi dhe as në Iran por vijnë drejt nesh. Tashmë as bota arabe nuk i pranon ata”, tha Borisov.

Në fjalimin e tij kryeministri bullgar Borisov foli edhe për qëndrimin e BE-së ndaj Turqisë, me ç’rast theksoi: “Sot është e lehtë të flasësh kundër Erdoanit. Çfarë po përfitoni nga kjo? Me vullnetin e Erdoanit 3 milionë persona (refugjatë) po qëndrojnë në Turqi. Derisa këta të arrijnë në Gjermani çfarë do të ndodhë me Bullgarinë dhe Greqinë?”./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne