Borxhi/ Skandal 7 miliardësh mes Qeverisë dhe Bankës, zbulohet letërkëmbimi i sekretarit me ministren

Mashtrim me vlerën e borxhit publik të shtetit shqiptar. Kjo ka ndodhur në 6 mujorin e parë të vitit 2019 dhe është zbuluar nga letërkëmbimi i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko me Ministrinë e Financave. Mekanizmi i përdorur për të fiksuar një vlerë më të ulët është emetimi i bonove të thesarit për mbulimin e humbjeve të BSH, nga kursi i këmbimit.

Koha e mashtrimit korrespondon me përgatitjet për daljen në treg për eurobondin e katërt, një huamarrje që ndikohet shumë nga parametrat e borxhi aktual, në fillim të këtij viti.  Borxhi i manipuluar, ngjashëm me rastin e Greqisë para shpërthimit të krizës së 2008-s, është reflektuar në raportimet e institucioneve ndërkombëtare, përfshirë BB, FMN, BERZH dhe BE.

Korrespondenca

Banka e Shqipërisë me shkresë nr. 181/1 datë 03.04.2019 ka vendosur në dijeni Ministrinë e Financave se, në përfundim të procesit të auditimit të pasqyrave financiare të BSH, llogaria “Rezerva e Rivlerësimit të Valutave” në mbyllje të vitit financiar 2018 ka rezultuar me gjendje negative 6,874,170,793.33 lekë, për të cilën në zbatim të ligjit për bankën dhe të marrëveshjes “Mbi transferimin e fitimit neto të Bankës së Shqipërisë pranë Ministrisë së Financave dhe mbulimin e humbjeve të Bankës së Shqipërisë”, ka kërkuar zëvendësimin e kësaj shume me emetim të bonove të thesarit 6-mujore.

Nga ana e Ministrisë së Financave me shkresë nr. 5983/1 datë 12.06.2019 drejtuar Bankës së Shqipërisë është njoftuar emetimi i letrës me vlere në shumën 6,874,170,793.33 lekë me afat maturimi 6 muaj dhe normë interesi të barabartë me yield mesatar të ponderuar të ankandit të fundit të bonove të thesarit me afat maturimi 6-mujor. Nga auditimi që ka bërë KLSH konstatohet se kjo letër me vlerë nuk është paraqitur në regjistrin e borxhit 6-mujor të vitit 2019 dhe gjithashtu edhe në treguesit e borxhit për 6-mujorin 2019.

Në afatin e maturimit, nga ana e Bankës së Shqipërisë me shkresë nr. 3088/1 datë 04.12.2019 drejtuar ministrisë është kërkuar riemetimi i titullit 6-mujor që maturohet në 13.12.2019, nëpërmjet rinovimit me çmim blerje të instrumentit me vlerë 6,874,170,793.33 lekë. Nga auditimi konstatohet se emetimi i këtij instrumenti nuk është realizuar sipas kërkesës së BSH.

Me qëllim trajtimin e situatës nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arian Kraja i është drejtuar me një memo Ministres Anila Denaj, ku është vendosur në dijeni dhe është sugjeruar rikonsiderimi i rinovimit në muajin Janar 2020 duke qenë se rinovimi nga data 15 dhjetor 2019-31 dhjetor 2019 ka efekt rritës tek niveli i borxhit dhe stoku i tij në zbatim të Ligjit të Buxhetit për vitin 2019. Ky fakt tregon se nga ana e Ministrisë së Financave nuk është përmbushur detyrimi për rifinancimin e këtij instrumenti.

Shkelja e qëllimshme e ligjit

Këto veprime janë në kundërshtim me nenin 64 të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” në të cilin citohet që “Për sa kohë shuma e regjistruar në llogarinë e vlerësimit të rezervës i korrespondon humbjeve neto në valutë, kjo shumë duhet të mbulohet me letrat me vlerë të borxhit, të cilat mbartin interes sipas interesit të tregut, të emetuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë për Bankën e Shqipërisë dhe të mbajtura nga Banka e Shqipërisë në llogarinë e vlerësimit të rezervës së letrave me vlerë jashtë bilancit. Brenda katër muajve pas mbylljes së vitit financiar, shuma kryesore totale e këtyre letrave me vlerë të mbajtura nga Banka e Shqipërisë do të rritet ose zbritet sipas nevojës për të siguruar ekuivalencën midis kësaj shumë dhe shumës së regjistruar në llogarinë e vlerësimit të rezervës si humbje neto e valutës në fund të vitit financiar”.

Sipas marrëveshjes mes dy institucioneve,  “Ministria brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga marrja e kërkesës njofton Bankën mbi transferimin e titujve shtetërorë të tregtueshëm në pronësi të Bankës”. Efekti i mungesës së emetimit të instrumentit të borxhit të mësipërm në shumën 6,874,170,793.33 lekë përfaqëson një nënvlerësim të stokut të borxhit real të raportuar në fund të vitit 2019 në të njëjtën shumë. Rrjedhimisht, stoku i borxhit në 31.12.2019 vlerësohet në shumën 1,119,500 milion lekë nga 1,112,626 milion lekë i raportuar nga MFE në treguesit e borxhit publik. Pra afro 7 miliardë lekë më shumë.

Rasti i mësipërm tregon se sa të pabesueshme janë statistikat qeveritare në raport me publikun, por edhe me institucionet ndërkombëtare.

Në fillim të vitit qeveria raportonte nivelin e borxhit në 66.7%. Niveli aktual i borxhit të qeverisjes qendrore, sipas të dhënave të tremujorit më të fundit (shtator 2020) vlerësohet në nivelin 1.260.313 milionë lekë ose 79.7% e PBB. A është e saktë shifra e servirur?/tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne