Islamofobi Rajoni Sociale

Bosnja dhe Kosova hedhin poshtë pretendimin e ministrit austriak për perçe të paguara

Autoritetet fetare dhe politike në Bosnjë dhe Kosovë hodhën poshtë deklaratën e ministrit të jashtëm austriak Sebastian Kurz se gratë në këto vende paguhen për t’u mbuluar.

Zv.Dekania e Fakultetit të Studimeve Islamike në Prishtinë tha për BIRN se nuk ka prova që dikush i paguan gratë të veshin vello dhe e quajti deklaratën “ofensive” dhe “të dëmshme”.

“Nëse një vajzë e mbuluar dëbohet nga shkolla, humbet punën, nuk gëzon barazi financiare dhe mundësi ekonomike dhe politike për shkak të mbulesës, për çfarë përfitimi financiar po flasim këtu?” pyeti ajo.

“Kjo nuk ka logjike, por është pjesë e fushatave islamofobike që vijnë nga të djathtët europianë”, tha ajo, duke shtuar se mbulimi është veshur nga gratë myslimane në rajon për shekuj me radhë.

“Gratë e mbuluara në Kosovë sot janë në margjinat e kufijve të shoqërisë, [që jetojnë] në varfëri ekstreme, [ballafaqohen] me diskriminim të jashtëzakonshëm… dhe mbi të gjitha, dikush thotë se ato marrin para. Kjo është e turpshme,”shtoi Ismaili.

Kurz e bëri deklaratën e tij për gazetën austriake Handelsblatt më 21 gusht, ku paralajmëroi për ndikimin në rritje të Turqisë dhe Arabisë Saudite në Europë.

“Në Sarajevë dhe Prishtinë, për shembull, gratë paguhen të mbulohen plotësisht në publik,” tha Kurz për gazetën.

Qëllimi është, sipas Kurz, të ndryshohej pamja e komuniteteve, raportoi gazeta të hënën.

Ministri boshnjak i Sigurisë, Dragan Mektiç, tha se nuk ishte hasur me raportime të tilla. “Nuk kam informacion të tillë. Kam biseduar me shërbimet tona të sigurisë dhe as ata nuk kanë informacione të tilla. Nuk e di se ku bazohet,” tha ai të martën për kanalin e lajmeve N1, duke shtuar se do të kontaktojë shërbimet austriake të sigurisë për të zbuluar se nga vjen ky raportim.

Në një deklaratë për shtyp, Komuniteti Islamik i Bosnjës, tha gjithashtu se nuk kishin njohuri për raste të tilla. “E pranojmë këshillën e ministrit Kurz për institucionet e BE-së që t’i kushtojnë më shumë vëmendje Ballkanit Perëndimor dhe ne e kuptojmë shqetësimin e tij për situatën aktuale, por ne besojmë se ai gjeti shembullin e duhur për ta ilustruar atë”, tha Bashkësia Islame.

“E dimë se ka një fushatë zgjedhore në Austri dhe se të gjithë po përdorin retorikë të ashpër. Por siç këshillojmë politikanët tanë në Ballkan, gjithashtu mendojmë se edhe në pjesën tjetër të Europës do të ishte më mirë që feja dhe ndjenjat fetare të individëve të mos politizoheshin”, thuhet në deklaratë.

Ndërsa shumë gra myslimane boshnjake mbajnë shami, pak prej tyre mbajnë një vello që i mbulon plotësisht. Ajo nuk konsiderohet si veshja tradicionale myslimane në vend dhe perceptohet gjerësisht si e zakonshme për Lindjen e Mesme.

Bashkësia zyrtare Islame i ka kundërshtuar për vite të tëra grupe të tilla të radikalizuara – disa prej të cilave besohet se e kanë bazën në Vjenë.

Për shembull, autoritetet në Bosnjë besojnë se Jusuf Barçiç, një lider mysliman i vetëshpallur, u financua nga një grup radikalësh me qendër në Vjenë, të drejtuar nga Muhamed Porca, që studioi me Barçiç në Arabinë Saudite.

Porca bëri thirrje për krijimin e një Komuniteti Islamik paralel, më militant, në Bosnje.

Mevlid Jasareviç, i cili po vuan dënimin me 18 vjet burg për sulm ndaj ambasadës amerikane në Sarajevë në tetor 2011, gjithashtu mund të jetë ndikuar nga koha e kaluar në Vjenë, sipas nënës së tij.

Nëna e Jasareviç i tha medias se djali i saj kishte vizituar xhamitë së bashku me një grup vehabish në Vjenë.

Në vitin 2007, ish-kreu i Bashkësisë Islame, Mustafa efendi Çeriç, u tha mediave se elementët radikalë të bazuar në Austri ishin një burim kryesor i ideologjisë që po përpiqej të ndryshonte traditën e moderuar të myslimanëve të Bosnjës.

OPINIONE