Bosnjë Herzegovinë: Ministri i Jashtëm iranian Zarif bën thirrje për luftë ideologjike kundër ekstremizmit

Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif thotë se Irani dhe Bosnja duhet së bashku të luftojnë terrorizmin për të promovuar paqen dhe sigurinë në rajon dhe në mbarë botën.

“Lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit është një shqetësim i përbashkët i Iranit, Bosnjës dhe Bashkimit Europian. Ekstremizmi nuk ka lidhje me islamin dhe fetë e tjera”, tha në Sarajevë të premten Zarif gjatë një takimi me Bakir Izetbegoviçin, anëtarin boshnjak musliman të presidencës trepalëshe të Bosnjës.

“Prioritetet kundër dogmës së ekstremizmit duhet të jetë fushata ideologjike dhe kulturore. Ne mund të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin në këtë fushë dhe ta konsiderojmë atë në interes të paqes dhe sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare,” shtoi ai.

Ai më tej theksoi rëndësinë e heqjes së pengesave në rrugën e zhvillimit të lidhjeve tregtare dhe tha se Irani mund të jetë një furnizues i sigurt i energjisë për Bosnjën.

Izetbegoviç, nga ana e tij, vlerësoi nivelin e marrëdhënieve politike dhe kulturore midis Teheranit dhe Sarajevës dhe tha se heqja e sanksioneve kundër Iranit ka përgatitur terrenin për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik.

Irani dhe pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – SHBA, Franca, Britania, Rusia dhe Kina – plus Gjermania nënshkruan marrëveshjen e rëndësishme bërthamore, e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) më 14 korrik 2015 dhe në 16 janar 2016 filloi zbatimi i saj.

Sipas JCPOA-s, Irani vendosi të kufizojë programin e tij bërthamor në shkëmbim të heqjes së sanksioneve.

“Irani synon të promovojë stabilitetin e Bosnjes”

Ndërkohë, në një takim me kryeministrin boshnjak Denis Zvizdic, ministri i jashtëm iranian tha se politika e Teheranit është të ndihmojë Sarajevën për të përmirësuar solidaritetin dhe stabilitetin e saj kombëtar nëpërmjet bashkëpunimit të të gjitha grupeve etnike.

“Irani është për zgjerimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Bosnjë Herzegovinën,” shtoi Zarif.

Ai gjithashtu vuri në dukje se mbajtja e një seance e komisionit të përbashkët ekonomik të të dy vendeve mund të çojë në zhvillimin e bashkëpunimit.

Kryeministri i Bosnjes shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me Iranin.

Ai shtoi se Teherani dhe Sarajeva gëzojnë marrëdhënie të përzemërta dhe të dy theksuan se të dy palët duhet të nënshkruajnë një marrëveshje tregtare preferenciale, të vendosin bashkëpunimin bankar dhe të lehtësojnë kërkesat për viza si hapa për të forcuar lidhjet tregtare dhe ekonomike.

Irani është gati për lidhje të gjithanshme me Bosnjën

Në një takim me Kryetarin e Dhomës së Popujve të Bosnjë Herzegovinës Ognjen Tadiç, diplomati më i lartë iranian tha se Teherani është gati të zgjerojë marrëdhëniet me Sarajevën në të gjitha fushat dhe theksoi se asnjë pengesë nuk mund të pengojë zgjerimin e lidhjeve.

Të dy personalitetet shkëmbyen mendime rreth çështjeve më të fundit rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht fushatës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

Në një takim tjetër, ministri i jashtëm iranian dhe homologu i tij boshnjak Igor Crnadak theksuan rëndësinë e luftimit të terroristëve dhe ekstremistëve të cilët përbëjnë një kërcënim të përbashkët ndaj të gjitha vendeve anembanë botës.

Dy diplomatët kryesorë gjithashtu diskutuan mënyrat për të rritur bashkëpunimin e ngushtë në organizatat dhe qarqet ndërkombëtare.

Duke kryesuar një delegacion politiko-ekonomik, Zarif filloi të hënën turneun e tij në katër shtete të Evropës Lindore. Ai më parë vizitoi Serbinë, Bullgarinë dhe Kroacinë dhe ka mbajtur bisedime me zyrtarët e lartë të tre vendeve./press/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne