Bota ka “ngelur në klasë” në luftën kundër torturës

Tortura, një nga krimet më brutale kundër njerëzimit, është një nga krizat kryesore globale në luftën e së cilës vendet kanë dështuar, pavarësisht se ajo ndalohet nga shumë marrëveshje ndërkombëtare/

Raportet e organizatave të të drejtave të njeriut dhe organizatave ndërkombëtare mbi torturën sistematike në shumë vende zbulojnë se tortura nuk është mundur të parandalohet në mbarë botën.

Tortura, e cila përfshin të gjitha sulmet fizike dhe psikologjike ndaj individëve, përshkruhet si një nga metodat më brutale të përdorura me qëllim për të dobësuar viktimat e saj, si dhe për të dëmtuar dinjitetin dhe respektin e tyre.

Konventa e pranuar nga OKB-ja në vitin 1984 kundër “Torturës dhe Ndëshkimeve dhe Trajtimeve të Tjera Mizore, Çnjerëzore ose Poshtëruese” hyri në fuqi me 26 qershor 1987 pas nënshkrimit nga një numër i mjaftueshëm shtetesh.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhjetë vite pas kësaj date me qëllim çrrënjosjen e torturës dhe mbështetjen e viktimave të torturës, në vitin 1997 shpalli 26 qershorin si “Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit me Viktimat e Torturës“.

Ndonëse Neni 5 i Deklaratës Universale të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe Neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e ndalojnë torturën, fatkeqësisht, tortura nuk mund të parandalohet në mbarë botën pavarësisht se ajo është një nga krimet më mizore kundër një qenieje njerëzore.

Qindra mijëra njerëz në Siri në qelitë e torturave të regjimit

Në burgjet e fshehta të regjimit në Sirinë, e cila ka hyrë në vitin e tetë të luftës civile, torturat si shkulja e thonjve të këmbëve, djegia pas spërkatjes me benzinë, përdhunimet dhe vendosja e armës në gojë, me të cilat përballen të burgosurit, ka qenë në agjendën e opinionit publik botëror që nga viti 2011.

Regjimi i Esadit, në territoret që kontrollon në Siri, zbaton tortura sistematike në shtatë burgje kryesore dhe 18 qendra të marrjes në pyetje, ndaj mbi rreth 500 mijë njerëzve të arrestuar.

Sipas të dhënave të Rrjetit Sirian të të Drejtave të Njeriut (SNHR), vetëm në Siri ndodhen të paktën 500 mijë njerëz që mund të identifikohen, të cilët mbahen të arrestuar në vendet e torturës të regjimit të Beshar Esadit.

Amnesty International (AI) ka akuzuar ushtrinë e Mianmarit për krime lufte

Të përballur me spastrimin etnik ndër vite dhe të detyruar të largohen nga Mianmari, myslimanet e Arakanit pavarësisht presioneve që komuniteti ndërkombëtar ushtron ndaj Mianmarit, vazhdojnë t’u nënshtrohen vrasjeve, përdhunimit dhe torturës.

Përndjekja e myslimaneve të Arakanit, që janë viktima të një shkeljeje sistematike të të drejtave të njeriut, herë pas here reflektohet edhe në raportet e organizatave të ndryshme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Në raportin e publikuar së fundmi, Amnesty International akuzoi ushtrinë e Mianmarit për krime lufte dhe shkelje të të drejtave të njeriut me operacionet e reja ushtarake që ka ndërmarrë në rajonin e Arakanit.

Organizata në raportin e saj njoftoi se ushtria e Mianmarit ka vrarë dhe plagosur civilët në sulmet e vazhdueshme që nga janari, pa dallim në luftën kundër Ushtrisë Budiste të Arakanit, e cila organizon veprime të armatosura me kërkesën për autonomi në rajon.

Ushtria e Mianmarit në raport akuzohet për “ekzekutime jashtëgjyqësore, arrestime arbitrare dhe tortura”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres në një shkrim të tijin për një gazetë pas vizitës së tij në kampet e refugjatëve të Arakanit në Bangladesh vitin e kaluar, ishte shprehur se “Fëmijët e vegjël janë masakruar para prindërve të tyre, ndërsa anëtarët e familjeve janë torturuar dhe vrarë, ndërkohë që vajzat dhe gratë janë përballur me përdhunime masive, kurse po ashtu janë djegur fshatrat dhe janë bërë hi”.

Shumica e palestinezëve torturohen në paraburgim

Presioni, persekutimi dhe shkeljet e të drejtave të njeriut që kryhen në mënyrë sistematike kundër popullit të Palestinës që nga themelimi i shtetit të Izraelit, japin një tablo pesimiste çdo ditë e më shumë.

Sipas të dhënave të Qendrës Kërkimore të të Burgosurve Palestinezë, në tremujorin e parë të këtij viti nga forcat izraelite janë arrestuar 1.600 palestinezë, nga të cilët 230 fëmijë dhe 40 gra.

Qendra ka theksuar se gjendja e të burgosurve palestinezë në krahasim me vitin e kaluar përkeqësohet gjithnjë e më shumë dhe se ata i nënshtrohen politikave sistematike të represionit që minojnë dinjitetin njerëzor në burgje.

Kjo politikë theksohet se ka filluar në qendrën e marrjes në pyetje me metoda të torturës fizike dhe psikologjike, ndërsa janë aplikuar torturua gjatë paraburgimit ndaj mbi 95 për qind të palestinezëve.

Torturat në burgjet e fshehta të Egjiptit

Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut janë të shqetësuar rreth torturës sistematike që është rritur në gjithë Egjiptin pasi Abdulfettah es-Sisi mori pushtetin në vitin 2013 me një grusht shteti.

Human Rights Watch (HRW), në raportin e saj të bazuar në hulumtimet dhe intervistat e kryera në Gadishullin Sinai në periudhën 2016-2018, ka paraqitur arrestimet e padrejta, zhdukjet, torturat, ekzekutimet jashtëgjyqësore dhe sulmet e padrejta kundër civilëve që nga viti 2013, kur u rritën tensionet në Egjipt.

Në raportin ku vihet në dukje se forcat ushtarake dhe policore egjiptiane kanë rolin kryesor në shumicën e këtyre shkeljeve të të drejtave të njeriut, thuhet se ushtarët kanë torturuar shumë të burgosur duke i rrahur ose duke i goditur me elektroshok.

Njerëzit në burgjet e fshehta të Egjiptit u nënshtrohen torturave dhe detyrohen të jetojnë në kushte çnjerëzore, thuhet gjithashtu në raport.

Nga ana tjetër, pas vdekjes në sallën e gjyqit më 17 qershor të presidentit të parë demokratik Mohamed Morsi, HRW i bëri thirrje Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut që të hetojë keqtrajtimin e përhapur në Egjipt dhe shkeljet e përhapura të të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe vdekjen e Morsit.

Duke deklaruar se qeveria egjiptiane ka mbetur “e pandjeshme” ndaj kërkesave të vazhdueshme për përkeqësimin e dukshëm dhe trajtimin e gjendjes fizike të Morsit, HRW kishte vlerësuar se “Keqtrajtimi i Morsit mund të jetë në nivelin e torturës në kornizat e Luftës kundër Torturës së Kombeve të Bashkuara”.

Detajet e torturës në burgjet sekrete të Emirateve të Bashkuara Arabe në Jemen

Në raporte dhe media të ndryshme ndërkombëtare, shumë herë është theksuar se njerëzit përballen me tortura dhe përdhunime në burgjet e fshehta të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në Jemen, ku lufta vazhdon prej më shumë se pesë vitesh, në të cilën EBA është partneri më i madh ushtarak i koalicionit arab të udhëhequr nga Arabia Saudite.

Në raportin e publikuar nga HRW me bazë në Nju-Jork janë dhënë detaje në lidhje me “torturat, rrëmbimet dhe zhdukjet që Emiratet e Bashkuara Arabe dhe grupet që ajo mbështet kryejnë në burgjet e fshehta të ngritura në të gjithë vendin kundër militantëve Huthi dhe grupeve rivale ndaj tyre”.

Edhe në raportin e delegacionit të ekspertëve që Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut krijoi për një periudhë një vjeçare në shtator të vitit 2017 për monitorimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Jemen, është theksuar se ka prova të arsyeshme që Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe mund të kenë kryer krime lufte në Jemen, të tilla si përdhunime, tortura, zhdukje me detyrim dhe privim nga të drejtat e jetesës.

Teknikat e hetimit çnjerëzor të CIA-s

Përdorimi i teknikave të hetimit çnjerëzor nga SHBA-ja duke arrestuar mijëra njerëz nën emrin e luftës kundër terrorizmit, veçanërisht pas sulmeve të 11 shtatorit, ka shkaktuar shumë kritika si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij.

Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka theksuar se duhet të mbyllet Baza e Guantanamos, ku ShBA mban të dyshuarit për terrorizëm pa u njohur të drejtën për t’u gjykuar, si dhe burgjet e fshehta të ngritura në pjesë të ndryshme të botës.

Senati amerikan në raportin e tij të publikuar në vitin 2014 ku shpjegon për teknikat e marrjes në pyetje që CIA ka përdorur pas sulmeve të 11 shtatorit, zbuloi se inteligjenca ndaj të burgosurve të kapur ka kryer kërcënime seksuale, tortura me ndjenjën e mbytjes në ujë, pritje të gjata në hapësira të ngushta dhe shumë tortura të tjera shqetësuese.

Në këtë kontekst, administrata e Uashingtonit kërkon nga Britania ekstradimin e Julian Assange, themeluesin e Wikileaks, i cili zbuloi të vërtetat e errëta që forcat amerikane kanë kryer, si vrasja e shumë civilëve pa dallim në Irak dhe Afganistan, si dhe fshehjen e këtyre masakrave dhe torturave të kryera ndaj të burgosurve.

Në një aktakuzë të njoftuar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, Assange akuzohet për “pjesëmarrjen në një nga rrjedhjet më të mëdha të informacionit sekret në historinë amerikane”./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne