Bozdag: Nuk ka gjenocid në asnjë periudhë të historisë turke

Zëvendëskryeministri i Turqisë, Bekir Bozdag, njëherësh zëdhënës i Ankarasë zyrtare, deklaroi të premten vonë se në asnjë periudhë të historisë turke nuk ka krim, faj dhe turp gjenocidi.

“Vendimi shpifës i Parlamentit të Holandës është i paqenë dhe i pavlefshëm për Turqinë. Nuk ka krim, faj dhe turp gjenocidi në asnjë periudhë të historisë turke. Të dhënat historike dhe dokumentet arkivore janë dëshmitare të kësaj të vërtete. Historia, dokumentet arkivore dhe realiteti s’mund të ndryshohen kurrë me vendime parlamentare”, shkruan zv/kryeministri Bozdag në rrjetin social “Twitter”.

Dhoma e Përfaqësuesve të Holandës adoptoi të enjten me 142 vota pro dhe 3 kundër një vendim që njeh si “gjenocid” pretendimet e pabaza armene në lidhje me ngjarjet e vitit 1915.

Vendimi i dhomës së ulët të Parlamentit holandez bie ndesh me protokollin qeveritar të vendit, sipas së cilit “njohja e gjenocideve duhet të bazohet në vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe konkluzionet e qarta, të pakontestueshme të hulumtimeve dhe gjetjeve shkencore të Kombeve të Bashkuara”.

Ky vendim nuk ka fuqi imponuese as për qeverinë holandeze, e cila vepron në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më datë 9 dhjetor 1948 (rezoluta nr. 260).

Qeveria holandeze njoftoi gjithashtu të enjten se “nuk do të ndjekë Dhomën e Përfaqësuesve në vlerësimin e saj për të njohur ngjarjet e vitit 1915 si gjenocid”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne