Bota

Brenda 4 viteve në burg, Mursit i janë lejuar vetëm 3 vizita

Brenda katër viteve në burg, vetëm tre herë i janë lejuar vizita Muhamed Mursit, presidentit të parë të zgjedhur të Egjiptit i cili u largua përmes një puçi ushtarak në vitin 2013.

Kreu i palës mbrojtëse të Muhamed Mursit, Abdulmumin Abdulmaksud, për AA tha se që nga largimi nga detyra në vitin 2013 përmes puçit ushtarak e deri më tani, Mursit i është dhënë vetëm tre herë leje për të pranuar vizitë.

“Sipas një vendimi që Gjykata Penale e Kajros mori të hënën, policia mbrëmë lejoi të takohemi për një orë e 15 minuta me Mursin në Burgun Tora”, tha Abdulmaksud, duke mos dhënë informacione për përmbajtjen e takimit.

“Fillimisht patëm mundësi të takoheshim me Mursin së bashku me palën delegacionin mbrojtës në Burgun Bruxhul Arab në vitin 2014. Takimi i dytë ndodhi në muajin qershor në Burgun Tora, ku të pranishëm ishin e shoqja e tij, fëmijët dhe unë. Vizita e treta ishte vizita që e zhvillova unë gjatë ditës së djeshme”, theksoi Abdulmaksud.

Ndryshe, të hënën, në seancën e sotme gjyqësore të procesit gjyqësor “bastisja e burgjeve”, Mursi u ankua për kushtet e gjykatës në të cilën gjykohet dhe për gjykimin e tij brenda një kafazi të qelqit, duke thënë se edhe pse është i pranishëm në sallën e seancave, sërish ndihet sikur të gjykohet në mungesë.

Fillimisht, Gjykata Penale e Kajros kishte lejuar që Mursi çdo muaj t’i nënshtrohet kontrollit shëndetësor dhe të takohet me avokatët në seancat e posaçme.

Megjithatë, pasi në media u shpalos një letër në të cilën shkruante se “Mursi është lider legjitim dhe nuk e pranon gjykimin”, gjykata në nëntor të vitit 2013 i ndaloi vizitat për të.

 

 

 

 

OPINIONE