BRICS bën apel për ndalimin e konflikteve

Është publikuar komunikata përfundimtare e Samitit të BRICS-it (ku bëjnë pjesë Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), mbajtur në Johanesburg të Afrikës së Jugut.

Vendet pjesëmarrëse në Samitin e 10-të BRICS-it kanë bërë thirrje për mbështetjen e një sistemi të tregtisë transparente dhe shumëpalëshe dhe ndalimin e konflikteve në rajone të ndryshme të botës.

“Mbështesim dhe riaprovojmë tregtinë transparente dhe shumëpalëshe që zhvillohet në kuadër të rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). E dimë se sistemi i tregtisë shumëpalëshe sot ballafaqohet me vështirësi të pashoqe dhe duam të theksojmë rëndësinë e ekonomisë botërore transparente”, janë shprehur vendet anëtare në deklaratën përfundimtare të samitit.

Ndërkaq, në lidhje me vendimet e marra në fushën e energjisë, ministrat e energjisë të vendeve anëtare kanë rënë dakord për krijimin e Platformës së Bashkëpunimit për Hulumtime në Fushën e Energjisë-BRICS, thuhet në komunikatë.

Krahas energjetikës në samit u hodhën hapa edhe në drejtim të bashkëpunimit në shumë fusha të tjera si: problemi i ujit dhe bujqësia.

Vendet anëtare ranë dakord për nevojën e ndalimit të konflikteve në shumë rajone të botës, siç janë Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, dhe moszgjatjen akoma edhe më shumë të konfliktit izraelito-palestinez dhe krizës në Siri dhe Jemen.

“Në veçanti nuk duhet të shtyhet për më vonë zgjidhja e konflikteve të gjata siç është ai izraelito-palestinez. Çështja e Jerusalemit duhet të rezultojë me vendim në varësi të negociatave që do të zhvillohen mes Izraelit dhe Palestinës”, theksojnë vendet e BRICS-it më tej në komunikatën përfundimtare, të cilat kanë shprehur gjithashtu edhe mbështetjen e tyre për Agjencinë e OKB-së për të Ndihmuar Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA).

Vendet e BRICS e përgëzojnë UNRWA-në për mbështetjen e dhënë në shumë fusha, kryesisht në arsim dhe shëndetësi për rreth 5,3 milionë refugjatë palestinezë.

Samiti i vendeve BRICS-it do të përfundojë sot pas takimeve të kryetarëve të shteteve që janë ftuar në kuadër të sesioneve me temë “BRICS Africa Outreach” dhe “BRICS Plus”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne