Britani e Madhe – Jeremy Hunt emërohet ministër i Punëve të Jashtme në vend të Boris Johnson

Ministri britanik i Shëndetësisë, Jeremy Hunt, u emërua të hënën në mbrëmje ministër i Punëve të Jashtme pas dorëheqjes së euroskeptikut, Boris Johnson, i cili ishte në kundërshtim me orientimet e Kryeministres Theresa May në lidhje me Brexit-in, njoftoi “Downing Street”.

“Mbretëresha është e lumtur të miratojë emërimin e Jeremy Hunt si ministër i Punëve të Jashtme dhe Komonuelthit”, njoftoi zyra e Kryeministres May në një komunikatë.

Jeremy Hunt ka qenë një ndër mbështetësit e qëndrimit të Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian. Në 7 vitet e fundit, ai ka qenë në postin e ministrit të Shëndetësisë.

Dorëheqjet e njëpasnjëshme të ish-ministrit të Jashtëm, Boris Johnson dhe ish-ministrit të Brexit-it, David Davis, që të dy kundërshtarë të linjës zyrtare të Londrës për një largim të butë të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, erdhën pas njoftimit të premten nga “Downing Street” të qasjes së re për Brexit-in, e cila parashikon marrëveshje speciale me BE-në për tregtinë e lirë dhe doganat./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne