Britania e shqetësuar për mercenarët në impjantet e naftës në Libi

Ambasada britanike në kryeqytetin e Libisë, Tripoli, të shtunën deklaroi se raportimet për ndërhyrjen e fuqive të huaja në objektet e naftës në vend janë shqetësuese.

Ambasada në një deklaratë të postuar në mediat sociale ths se ndërprerja e objekteve të naftës libiane ka kushtuar mbi 6 miliardë dollarë që nga janari dhe ka dëmtuar infrastrukturën e sektorit të naftës.

Deklarata shtoi se militarizimi i sektorit energjetik në Libi është i papranueshëm dhe mund të çojë në dëmtime të mëtejshme, duke shtuar se raportimet për mercenarët që ndërhyjnë në fushën Sharara janë shqetësuese dhe çështja e energjisë nuk duhet të përdoret si një mjet politik negociues.

Më tej theksohet se Korporata Kombëtare e Naftës e Libisë (NOC) është organi i vetëm i autorizuar përgjegjës për nxjerrjen, përpunimin, shpërndarjen dhe eksportimin e naftës së vendit. Misioni britanik tha se për hir të të gjithë libianëve, përpjekjet e NOC-së nuk duhet të pengohen.

Deklarata u bëri thirrje të gjitha palëve në Libi që të kthehen në tryezën e bisedimeve.

Libia është shkatërruar nga lufta civile që nga rrëzimi i sundimtarit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011. Qeveria e re e vendit u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për zgjidhje politike afatgjate dështuan për shkak të sulmeve ushtarake të forcave të komandantit renegat Khalifa Haftar.

OKB-ja e njeh qeverinë libiane të kryesuar nga Fayez al-Sarraj si autoritet legjitim të vendit, ndërsa Tripoli ka luftuar milicitë e Haftarit që nga prilli i vitit 2019, një konflikt që ka marrë mbi 1.000 jetë njerëzish.

Qeveria nisi operacionin “Stuhia e Paqes” në mars për të kundërshtuar sulmet e Haftarit mbi kryeqytetin Tripoli, dhe së fundmi çliroi vendet strategjike, duke përfshirë bazën ajrore të Al-Watiya dhe qytetin Tarhuna, fortesën e fundit të Haftarit në Libinë perëndimore./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne