Britania ka nevojë për punëtorë të kualifikuar për disa profesione

Sipas një vlerësimi të Ministrisë së Brendshme të Britanisë së Madhe, ky shtet ka nevojë për një numër të konsiderueshëm të punëtorëve të kualifikuar që vijnë nga shtetet që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian për t’i plotësuar vendet e punës që do të mbeteshin të lira pas Brexitit.

Në raportin e hartuar nga Komisioni Këshillues për Migrimin bëhet thirrje që ministrat ta zgjerojnë listën e profesioneve që duhet të plotësohen nga punëtorët e huaj. Në mesin e profesioneve që duhet të kryhen edhe nga punëtorët e huaj janë arkitektët, dizajnerët e ueb-faqeve, psikologët dhe veterinerë.

Profesionet tjera që tashmë janë të përfshira në këtë listë duhet të zgjerohen për t’i mbuluar të gjitha nevojat e sektorëve përkatës, përfshirë praktikantët mjekësorë, artistët dhe inxhinierët.

Autoritetet britanike ofrojnë lehtësira për personat që janë të kualifikuar për këto profesione, përfshirë pagesën e taksave më të lira për viza dhe heqje të kriterit për të ardhura minimale.

Udhëheqësi i këtij komisioni, Alan Manning, tha: “Tregu i punës sot është shumë më ndryshe nga ai i vitit 2013. Shkalla e papunësisë është më e ulët dhe punëdhënësit e sektorëve të ndryshëm të industrisë po përballen me vështirësi për të gjetur punëtorë të shkathtë për plotësimin e vendeve të punës”, shkruan “Independent”./express

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne