Britanikët kërkojnë referendum të ri për Brexitin

Gjysma e britanikëve kërkojnë mbajtjen e një referendumi të ri rreth largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian (Brexit), ndërsa 78 për qind e qytetarëve mendojnë se qeveria është duke e udhëhequr keq procesin e Brexit-it, ka treguar një anketë e fundit në këtë vend.

Sipas një ankete të kompanisë “Sky Data” të zhvilluar me 1.466 persona më 20-23 korrik, shumica e popullatës janë shprehur pro shkuarjes në referendum për marrëveshjen e Brexit-it të cilën qeveria do t’ia ofrojë BE-së.

Rezultatet tregojnë se 50 për qind e qytetarëve kanë kërkuar një referendum i cili do t’i përfshinte alternativat për “marrëveshjen e parashtruar nga qeveria”, “largim pa marrëveshje” dhe “ngelje në BE”. Ndërkaq, 40 për qind janë shprehur kundër kërkesës për referendum.

Gjersa 78 për qind e pjesëmarrësve mendojnë se qeveria është duke e udhëhequr keq procesin e Brexit-it, 74 për qind e kanë konsideruar si të pakënaqshme udhëheqjen e Kryeministres Theresa May.

Ndërkohë, 31 për qind janë të mendimit se Brexit do të sjellë rezultate pozitive në jetën e tyre personale, ndërsa 42 për qind kanë shprehur mendim negativ. 51 për qind besojnë se Brexit do të sjellë pasoja negative për vendin.

Ndryshe, May kishte deklaruar se procesi i mëtutjeshëm i Brexit-it do të udhëhiqej nga vetë ajo pas dorëheqjes së Boris Johnson dhe David Davis, të cilët ishin përkrahës të mëdhenj të largimit nga BE-ja.

Dorëheqjet ndodhën disa ditë pasi qeveria më 6 korrik shpalli qasjen e re të negociatave, përmes së cilës hapeshin dyert për marrëveshje speciale të tregtisë së lirë dhe doganore. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne