Bruksel – Mark Zuckerberg pranon gabimin, kërkon ndjesë edhe përpara ligjvënësve evropianë

Themeluesi dhe shefi ekzekutiv (CEO) i rrjetit social “Facebook”, Mark Zuckerberg, kërkoi sërish ndjesë të martën për rolin e tij në skandalin e kompanisë “Cambridge Analytica” dhe që kishte lejuar depërtimin e lajmeve të rreme në platformën e tij.

Zuckerberg e nisi fjalën e tij në Parlamentin Evropian duke pranuar edhe një tjetër herë gabimin.

“Gjatë viteve të fundit nuk kemi bërë mjaftueshëm për të mos lejuar që mjetet, të cilat vet i kemi ndërtuar, të përdoren edhe për të shkaktuar dëme”, tha miliarderi duke u shpjeguar ligjvënësve evropianë se Facebook-u krijon shanse të reja, të cilat u mundësojnë njerëzve të ruajnë kontaktet dhe të komunikojnë vazhdimisht.

Kjo seancë dëgjimore në Bruksel u zhvillua para një publiku të ngushtë, por u transmetua drejtpërsëdrejti në internet, nën presionin e shumë formacioneve politike.

“Ne nuk e morëm parasysh sa duhet përgjegjësinë tonë. Ky ishte një gabim dhe për këtë më vjen keq”, deklaroi Zuckerberg në fjalimin e tij për informacionet e rreme, ndërhyrjet nga jashtë në zgjedhje apo programuesit që përdorin në mënyrë keqdashëse informacionet personale, sikurse kishte bërë muajin e kaluar në Uashington.

Ai u zotua se do të bëjnë investime të rëndësishme për të shtuar masat e sigurisë, pasi siguria e të dhënave të njerëzve ka më tepër rëndësi sesa nxjerrja e fitimeve.

“Tashmë jemi më të kujdesshëm që diçka e ngjashme me skandalin ‘Cambridge Analytica’ të mos përsëritet më kurrë. Ne do të kufizojmë qasjen e aplikacioneve tek të dhënat personale, do të ndërpresim aksesin e aplikacioneve që s’përdoren tek të dhënat personale, si dhe do t’u ofrojmë individëve më tepër shanse për t’i penguar këto”, u shpreh themeluesi i rrjetit social më të frekuentuar në botë duke nënvizuar se kanë bërë kontrollet e nevojshme dhe ndaluar aplikacionet, të cilat kanë shkaktuar shqetësim.

Mark Zuckerberg tërhoqi vëmendjen se Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR), e cila do të hyjë në fuqi më 25 maj në të 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, vendos rregulla shumë më forta dhe Facebook-u do t’i sendërtojë këto standarde anembanë botës për t’u mundësuar përdoruesve më tepër kontroll mbi llogaritë dhe të dhënat e tyre personale.

Pronari i Facebook-ut garantoi se rrjeti i tij social do të ndajë plotësisht tri parimet në zemër të këtij rregullimi të ri evropian: Kontroll, transparencë dhe përgjegjësi.

Duke rikujtuar se në 18 muajt e ardhshëm do të ketë zgjedhje të rëndësishme në aspektin global në shumë vende, përfshi këtu Evropën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Brazilin dhe Indinë, Zuckerberg pohoi se kompania e tij ka qenë shumë e ngathët në përcaktimin e ndërhyrjeve të Rusisë në 2016-n.

“Deri atëherë, ne kemi qenë të fokusuar më shumë tek sulmet kibernetike. Ne s’ishim të përgatitur për sa i takon shpërndarjes së informacioneve të gabuara në një mënyrë të koordinuar. Por organizimin e sulmeve të tilla në Facebook po e vështirësojmë me investime serioze”, vlerësoi ai.

Po ashtu – vijoi Zuckerberg – ne kemi ndërhyrë me shpejtësi ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme duke përfshirë gjuhën e urrejtjes në Facebook, si dhe kemi hequr menjëherë 99% të përmbajtjeve të organizatave terroriste falë sistemeve të inteligjencës artificiale.

Ai kishte të drejtë të zgjidhte se cilave pyetje do t’u jepte përgjigje duke nxitur zhgënjimin dhe mërzitjen e disa politikanëve evropianë, që e akuzuan bosin e teknologjisë se e kishte zgjedhur enkas këtë format për një arsye të caktuar.

Zuckerberg nuk iu përgjigj pyetjes nëse kompania e tij ishte kthyer në monopol dhe u bëri bisht gjithashtu pyetjeve të tjera lidhur me mënyrën se si do të garantonte ruajtjen apo mbrojtjen e të dhënave personale.

Deputeti belg, Guy Verhofstadt, e pyeti atë nëse donte të kujtohej si gjeniu që krijoi një “përbindësh” digjital, por edhe në këtë rast themeluesi i Facebook-ut nuk u përgjigj.

Kompania britanike e konsulencës politike, “Cambridge Analytica”, e cila mohon të ketë kryer shkelje, u akuzua gjatë javëve të kaluara se ka siguruar dhe përpunuar në mënyrë të paautorizuar të dhënat personale të 87 milionë përdoruesve të Facebook-ut për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe në referendumin për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja, në vitin 2016.

Në muajin prill, Mark Zuckerberg ka dëshmuar gjithashtu përpara Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së në lidhje me skandalin e rrjedhjes së të dhënave që përfshin kompaninë e tij./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne